[1] Zoti vazhdoi t'i përgjigjet Jobit dhe tha:
[2] "Ai që kundërshton të Plotfuqishmin, a dëshiron vallë ta korrigjojë? Ai që qorton Perëndinë, t'i përgjigjet kësaj pyetjeje".
[3] Atëherë Jobi iu përgjigj Zotit dhe i tha:
[4] "Ja, jam shpirtvogël, çfarë mund të të përgjigjem? E vë dorën mbi gojën time.
[5] Kam folur një herë, por nuk do të flas më; po, dy herë, por nuk do të shtoj asgjë".
[6] Atëherë Zoti iu përgjigj Jobit në mes të furtunës dhe i tha:
[7] "Çohu, ngjishe brezin si një trim; unë do të të pyes dhe ti do të më përgjigjesh.
[8] A dëshiron pikërisht të anulosh gjykimin tim, të më dënosh mua për të justifikuar vetveten?
[9] A ke ti një krah si ai i Perëndisë dhe a mund të të gjëmojë zëri sa zëri i tij?
[10] Stolisu, pra, me madhështi dhe madhëri, vishu me lavdi dhe me shkëlqim.
[11] Jepu rrugë tërbimeve të zemërimit tënd; shiko tërë mendjemëdhenjtë dhe uli,
[12] shiko tërë kryelartët dhe poshtëroji, dhe shtypi njerëzit e këqij kudo që të ndodhen.
[13] Varrosi të tërë në pluhur, mbylli në vende të fshehta.
[14] Atëherë edhe unë do të lëvdoj, sepse dora jote e djathtë të ka siguruar fitore.
[15] Shiko behemothin që e kam bërë njëlloj si ti; ai ha barin si kau.
[16] Ja, forca e tij qëndron në ijet dhe fuqia e tij në muskujt e barkut të tij.
[17] E lëkund bishtin e tij si një kedër; nervat e kofshëve të tij janë të thurura mirë.
[18] Kockat e tij janë si tuba prej bronzi; kockat e tij janë si shufra hekuri.
[19] Ai është e para nga veprat e Perëndisë; vetëm ai që e bëri mund t'i afrohet atij me shpatën e tij.
[20] Ndonëse malet prodhojnë ushqim për të, dhe aty tërë kafshët e fushave dëfrehen,
[21] ai shtrihet nën bimët e lotusit, në vende të fshehura në kallamishte dhe në moçale.
[22] Bimët e lotusit e mbulojnë me hijen e tyre, shelgjet e përroit e rrethojnë.
[23] Lumi mund të dalë nga shtrati i tij, por ai nuk ka frikë; është i sigurt nga vetja e tij, edhe sikur Jordani të sulej kundër gojës së tij.
[24] Kush, pra, mund ta zërë nga sytë apo t'i shpojë flegrat e hundës me gremça?