Skip to content
Opens in a new window

[1] Atëherë Zoti iu përgjigj Jobit në mes të furtunës dhe i tha:

[2] "Kush është ai që e errëson planin tim me fjalë që nuk kanë kuptim?

[3] Mirë, pra, ngjishe brezin si një trim; unë do të të pyes dhe ti do të më përgjigjesh.

[4] Ku ishe kur unë hidhja themelet e tokës? Thuaje, në rast se ke aq zgjuarsi.

[5] Kush ka vendosur përmasat e saj, në rast se e di, ose kush ka vënë mbi të litarin për ta matur?

[6] Ku janë vendosur themelet e saj, ose kush ia vuri gurin qoshes,

[7] kur yjet e mëngjesit këndonin të gjithë së bashku dhe tërë bijtë e Perëndisë lëshonin britma gëzimi?

[8] Kush e mbylli me porta detin kur shpërtheu duke dalë nga gjiri i nënës,

[9] kur i dhashë retë për rroba dhe terrin për pelena?

[10] Kur i caktova një kufi dhe i vendosa shufra hekuri dhe porta,

[11] dhe thashë: "Ti do të arrish deri këtu, por jo më tutje; këtu do të ndalen valët e tua krenare!"?

[12] Që kur se ti jeton a ke dhënë urdhra në mëngjes ose i ke treguar vendin agimit,

[13] që ai të kapë skajet e tokës dhe të tronditë njerëzit e këqij?

[14] Ndërron trajtë si argjila nën vulë dhe shquhet si një veshje.

[15] Njerëzve të këqij u mohohet drita dhe krahu i ngritur u copëtohet.

[16] A ke arritur vallë deri në burimet e detit ose a ke vajtur vallë në kërkim të thellësirave të humnerës?

[17] Të janë treguar portat e vdekjes, apo ke parë vallë portat e hijes së vdekjes?

[18] A e ke vënë re gjerësinë e tokës. Thuaje, në rast se i di të gjitha këto!

[19] Ku është rruga që të çon në banesën e dritës? Dhe terri, ku është vendi i tij,

[20] që ti të mund t'i çosh në vendin e tij, dhe të mund të njohësh shtigjet që të çojnë në shtëpinë e tij?

[21] Ti e di, sepse atëherë kishe lindur, dhe numri i ditëve të tua është i madh.

[22] Vallë, a ke hyrë ndonjë herë në depozitat e borës ose a ke parë vallë depozitat e breshërit

[23] që unë i mbaj në ruajtje për kohërat e fatkeqësive, për ditën e betejës dhe të luftës?

[24] Nëpër çfarë rruge përhapet drita ose përhapet era e lindjes mbi tokë?

[25] Kush ka hapur një kanal për ujërat që vërshojnë dhe rrugën për bubullimën e rrufeve,

[26] që të bjerë shi mbi tokë të pabanuar, mbi një shkretëtirë, ku nuk ka asnjë njeri,

[27] për të shuar etjen e shkretëtirave të mjeruara, për të bërë që të mbijë dhe të rritet bari?

[28] Shiu, vallë, a ka një baba? Ose kush i prodhon pikat e vesës?

[29] Nga gjiri i kujt del akulli dhe kush e krijon brymën e qiellit?

[30] Ujërat ngurtësohen si guri dhe sipërfaqja e humnerës ngrin.

[31] A mund t'i bashkosh ti lidhjet e Plejadave, apo të zgjidhësh vargjet e Orionit?

[32] A i bën ti të duken yllësitë në kohën e tyre, apo e drejton ti Arushën e Madhe me të vegjlit e saj?

[33] A i njeh ti ligjet e qiellit, ose a mund të vendosësh ti sundimin e tyre mbi tokë?

[34] A mund ta çosh zërin tënd deri në retë me qëllim që të mbulohesh nga shiu i bollshëm?

[35] Mos je ti ai që hedh rrufetë atje ku duhet të shkojnë, duke thënë: "Ja ku jam?".

[36] Kush e ka vënë diturinë në mendje, ose kush i ka dhënë gjykim zemrës?

[37] Kush numëron retë me anë të diturisë, dhe kush derdh shakujt e qiellit

[38] kur pluhuri shkrihet në një masë dhe plisat bashkohen midis tyre?

[39] A mund ta gjuash ti gjahun për luaneshën apo të ngopësh të vegjlit e uritur të luanit,

[40] kur struken në strofkat e tyre apo rrinë në pritë në strukën e tyre?

[41] Kush i siguron korbit ushqimin e tij, kur zogjtë e tij i thërrasin Perëndisë dhe enden pa ushqim?

Jobi — Chapters