Skip to content
Opens in a new window

[1] Fjalët e urta të Salomonit, birit të Davidit, mbret i Izraelit,

[2] për të njohur diturinë dhe për të mësuar gjykimet e mënçura;

[3] për të ditur si të veprosh me urti, me drejtësi, me gjykim dhe ndershmëri,

[4] për t'u dhënë shkathtësi njerëzve të thjeshtë, njohje dhe reflektim të riut.

[5] I urti do të dëgjojë dhe do të rritë diturinë e tij; njeriu i zgjuar do të përfitojë këshilla të urta,

[6] për të kuptuar një sentencë dhe një enigmë, fjalët e të urtëve dhe thëniet e tyre të errëta.

[7] Frika e Zotit është fillimi i njohjes; por njerëzit e pamend përçmojnë diturinë dhe arsimin.

[8] Dëgjo, o biri im, mësimet e atit tënd dhe mos i lër pas dore mësimet e nënes sate,

[9] sepse janë një nur që zbukuron kokën tënde dhe një stoli në qafën tënde.

[10] Biri im, në qoftë se mëkatarët duan të të mashtrojnë, mos prano,

[11] në qoftë se thonë: "Eja me ne; kemi ngritur një pritë për të derdhur gjak; i ngritëm gracka të pafajmit pa ndonjë shkak;

[12] le t'i kapërdimë të gjallë, ashtu si Sheoli, tërësisht si ata që zbresin në gropë;

[13] ne do të gjejmë lloj-lloj pasurish të çmueshme, do t'i mbushim shtëpitë tona me plaçka;

[14] ti do ta hedhësh në short pjesën tënde me ne, dhe të gjithë ne do të kemi një qese të vetme";

[15] biri im, mos shko me ta në po atë rrugë, ndale hapin nga shtegu i tyre,

[16] sepse këmbët e tyre turren drejt së keqes dhe ata nxitojnë të derdhin gjak.

[17] Shtrihet më kot rrjeta përpara çdo lloji zogjsh;

[18] por këta kurdisin prita kundër gjakut të vet dhe ngrenë kurthe kundër vetë jetës së tyre.

[19] Të tilla janë rrugët e çdo njeriu të etur për pasuri; ajo ia heq jetën atyre që e kanë.

[20] Dituria bërtet nëpër rrugë, zëri i saj dëgjohet nëpër sheshe;

[21] ajo thërret në vendet ku ka turma dhe ligjëron në hyrje të portave të qytetit;

[22] "Deri kur, o njerëz të thjeshtë, do t'ju pëlqejë thjeshtësia dhe tallësit do të kënaqen duke u tallur dhe budallenjtë do të urrejnë dijen?

[23] Ejani në vete nga qortimi im; ja, unë do të derdh mbi ju Frymën time dhe do t'ju bëj të njohura fjalët e mia.

[24] Sepse unë thirra dhe ju nuk keni dashur, shtriva dorën time dhe askush prej jush nuk i kushtoi vëmendje,

[25] përkundrazi hodhët poshtë të gjitha këshillat e mia dhe nuk pranuat ndreqjen time,

[26] edhe unë do të qesh me fatkeqësinë tuaj, do të tallem kur të vijë ajo që ju druani,

[27] kur ajo që druani të vijë si një furtunë, dhe fatkeqësia juaj të vijë si një stuhi, kur t'ju mbulojnë fatkeqësia dhe ankthi.

[28] Atëherë ata do të më thërrasin mua, por unë nuk do të përgjigjem; do të më kërkojnë me kujdes, por nuk do të më gjejnë.

[29] Sepse kanë urryer dijen dhe nuk kanë zgjedhur frikën e Zotit,

[30] nuk kanë dashur të pranojnë këshillën time dhe kanë përbuzur të gjitha qortimet e mia.

[31] Prandaj do të hanë frytin e sjelljes së tyre dhe do të ngopen me këshillat e tyre.

[32] Sepse përdalja e njerëzve të thjeshtë i vret dhe qetësia e rreme e budallenjve i zhduk;

[33] por ai që më dëgjon do të banojë një vend të sigurt, do të jetë me të vërtetë i qetë, pa frikë nga çfarëdo e keqe".

Fjalët e urta — Chapters