[1] Dituria ka ndërtuar shtëpinë e saj, ka gdhendur shtatë shtyllat e saj.
[2] Ka vrarë kafshët e saj, ka përzier verën e saj dhe shtruar tryezën e saj.
[3] Ka dërguar jashtë shërbëtoret e saj; nga vendet më të larta të qytetit ajo thërret:
[4] "Ai që është budalla të vijë këtu!". Atij që i mungon gjykimi i thotë:
[5] "Ejani, hani nga buka ime dhe pini verën që kam përzier.
[6] Lëreni budallallëkun dhe do të jetoni, ecni në rrugën e arsyes".
[7] Ai që korrigjon tallësin tërheq mbi vete të shara, dhe ai që qorton të pabesin merr të shara.
[8] Mos qorto tallësin sepse ai do të të urrejë; qorto të urtin dhe ai do të të dojë.
[9] Mësoje të urtin dhe ai do të bëhet edhe më i urtë. Mësoje të drejtin dhe ai do të rritë diturinë e tij.
[10] Frika e Zotit është parimi i diturisë, dhe njohja e të Shenjtit është zgjuarsia.
[11] Sepse nëpërmjet meje do të shumohen ditët e tua dhe do të të shtohen vite jete.
[12] Në rast se je i urtë, je i urtë për veten tënde; në rast se je tallës, pasojat do t'i kesh vetëm ti.
[13] Gruaja budallaqe është zhurmëmadhe, aspak e zgjuar dhe nuk di asgjë.
[14] Rri ulur te porta e shtëpisë së saj, mbi një fron në vendet e larta të qytetit,
[15] për të ftuar ata që kalojnë nëpër rrugë, që shkojnë drejt në rrugën e tyre:
[16] "Ai që është budalla të vijë këtu!". Dhe atij që i mungon arsyeja i thotë:
[17] "Ujërat e vjedhura janë të ëmbla; buka që hahet fshehurazi është e shijshme".
[18] Por ai nuk e di që atje janë të vdekurit, që të ftuarit e saj janë në thellësinë e Sheolit.