[1] Mos u mburr me ditën e nesërme, sepse nuk di atë që mund të sjellë një ditë.
[2] Le të të lëvdoj një tjetër dhe jo goja jote, një i huaj dhe jo buzët e tua.
[3] Guri peshon dhe rëra është e rëndë, por zemërimi i budallait peshon më tepër se të dyja bashkë.
[4] Tërbimi është mizor dhe zemërimi është i furishëm, por kush mund t'i bëjë ballë xhelozisë?
[5] Më mirë një qortim i hapur se një dashuri e fshehur.
[6] Besnike janë plagët e një shoku, dhe të rreme të puthurat e një armiku.
[7] Kush është i ngopur përçmon huallin e mjaltit; por për atë që ka uri çdo gjë e hidhur është e ëmbël.
[8] Si zogu që endet larg folesë së tij, kështu është njeriu që endet larg shtëpisë së tij.
[9] Vaji dhe parfumi gëzojnë zemrën, kështu bën ëmbëlsia e një shoku me këshillat e tij të përzërmërta.
[10] Mos e braktis mikun tënd as mikun e atit tënd dhe mos shko në shtëpinë e vëllait tënd ditën e fatkeqësisë sate; është më mirë një që banon afër se sa një vëlla larg.
[11] Biri im, ji i urtë dhe gëzo zemrën time, kështu do të mund t'i përgjigjem atij që përflet kundër meje.
[12] Njeriu mendjemprehtë e shikon të keqen dhe fshihet, por naivët shkojnë tutje dhe ndëshkohen.
[13] Merr rroben e atij që është bërë garant për një të huaj dhe mbaje si peng për gruan e huaj.
[14] Ai që bekon të afërmin e tij me zë të lartë në mëngjes herët, do t'ia zënë si mallkim.
[15] Pikëllimi i vazhdueshëm në një ditë shiu të madh dhe një grua grindavece i ngjasin njera tjetrës.
[16] Kush arrin ta përmbajë, mban erën dhe zë vajin me dorën e tij të djathtë.
[17] Hekuri mpreh hekurin, kështu njeriu mpreh fytyrën e shokut të tij.
[18] Kush kujdeset për fikun do të hajë frytin e tij, dhe ai që i shërben zotit të tij do të nderohet.
[19] Ashtu si në ujë fytyra pasqyron fytyrën, kështu zemra e njeriut e tregon njeriun.
[20] Sheoli dhe Abadoni janë të pangopur, dhe të pangopur janë gjithashtu sytë e njerëzve.
[21] Poçja është për argjendin dhe furra për arin, kështu njeriu provohet nga lëvdata që merr.
[22] Edhe sikur ta shtypje budallanë në një havan bashkë me grurë me dygeçin e tij, budallallëku nuk do të largohej prej tij.
[23] Përpiqu të njohësh mirë gjendjen e deleve të tua dhe ki kujdes për kopetë e tua,
[24] sepse pasuritë nuk zgjatin përherë, dhe as një kurorë nuk vazhdon brez pas brezi.
[25] Kur merret bari i thatë dhe del bari i njomë dhe mblidhet forazhi i maleve,
[26] qengjat do të furnizojnë rrobat e tua, cjeptë çmimin e një are
[27] dhe dhitë mjaft qumësht për ushqimin tënd, për ushqimin e shtëpisë sate dhe për të mbajtur shërbëtoret e tua.