[1] A nuk bërtet vallë dituria dhe maturia a nuk e bën zërin e saj të dëgjohet?
[2] Ajo qëndron në këmbë mbi majën e lartësive, gjatë rrugës, në kryqëzimet e rrugëve;
[3] bërtet pranë portave, në hyrje të qyteteve, në prag të dyerve;
[4] "Ju drejtohem juve, o njerëz dhe zëri im u drejtohet bijve të njeriut.
[5] Kuptoni, o njerëz të thjeshtë, maturinë, dhe ju, njerëz pa mend, kini një zemër të urtë.
[6] Më dëgjoni, sepse do të flas për gjëra të rëndësishme dhe buzët e mia do të hapen për të thënë gjëra të drejta.
[7] Sepse goja ime do të shpallë të vërtetën; pabesia është e neveritshme për buzët e mia.
[8] Të gjitha fjalët e gojës sime janë të drejta, në to nuk ka asgjë të shtrembër dhe të çoroditur.
[9] Janë të gjitha të drejta për atë që ka mend dhe për ata që kanë gjetur dijen.
[10] Pranoni mësimin tim dhe jo argjendin, dijen në vend të arit të zgjedhur,
[11] sepse dituria vlen më tepër se margaritarët, të gjitha gjërat që dikush mund dikush të dëshiroje nuk barazohen me të.
[12] Unë, dituria, rri me maturinë dhe e gjej dijen në meditim.
[13] Frika e Zotit është të urresh të keqen; unë e urrej kryelartësinë, arrogancën, rrugën e keqe dhe gojën e çoroditur.
[14] Mua më takon mendimi dhe dituria e vërtetë; unë jam zgjuarsia, mua më përket forca.
[15] Nëpërmjet meje mbretërojnë mbretërit dhe princat vendosin drejtësinë.
[16] Nëpërmjet meje qeverisin krerët, fisnikët, tërë gjykatësit e tokës.
[17] Unë i dua ata që më duan, dhe ata që më kërkojnë me kujdes më gjejnë.
[18] Me mua janë pasuria dhe lavdia, pasuria që zgjat dhe drejtësia.
[19] Fryti im është më i mirë se ari, po, se ari i kulluar, dhe prodhimi im më tepër se argjendi i zgjedhur.
[20] Unë eci në rrugën e drejtësisë, në mes të shtigjeve të drejtësisë,
[21] për t'i bërë ata që më duan të trashëgojnë pasurinë e vërtetë dhe për të mbushur thesaret e tyre.
[22] Zoti më zotëroi në fillim të rrugës së tij, përpara veprave të tij më të lashta.
[23] U vendosa nga amshimi, që në krye, para se toka të ekzistonte.
[24] Më prodhuan kur nuk kishte ende humnera, kur nuk kishte burime me ujë të bollshëm.
[25] Më prodhuan para se themelet e maleve të ishin përforcuar, para kodrinave,
[26] kur nuk kishte sajuar ende as tokën, as fushat dhe as plisat e para të dheut.
[27] Kur ai fiksonte qiejtë, unë isha aty; kur bënte një rreth mbi sipërfaqen e humnerës,
[28] kur i bënte të qëndrueshëm qiejtë e epërm, kur përforconte burimet e humnerës,
[29] kur i caktonte detit caqet e tij në mënyrë që ujërat të mos kalonin përtej urdhërit të tij, kur vendoste themelet e dheut,
[30] unë isha pranë tij si një arkitekt, isha çdo ditë kënaqësia e tij, duke u gëzuar çdo çast para tij;
[31] kënaqesha në pjesën e banueshme të botës dhe gjeja ëndjen time me bijtë e njerëzve.
[32] Tani, pra, më dëgjoni, o bij; lum ata që ndjekin rrugët e mia!
[33] Dëgjoni këto mësime, tregohuni të urtë dhe mos i hidhni poshtë!
[34] Lum ai njeri që më dëgjon, duke u gdhirë çdo ditë te portat e mia dhe duke ruajtur shtalkat e portave të mia.
[35] Sepse ai që më gjen, gjen jetën, dhe siguron përkrahjen e Zotit.
[36] Por ai që mëkaton kundër meje, i bën të keqe vetvetes; të gjithë ata që më urrejnë duan vdekjen".