[1] Njeriu që fortëson qafën kur qortohet, do të thyhet papritmas pa tjetër.
[2] Kur të drejtët shumohen, populli gëzohet, por, kur sundon i pabesi, populli rënkon.
[3] Njeriu që e do diturinë gëzon të atin; por ai që shkon me prostitutat shkapaderdh pasurinë e vet.
[4] Mbreti e bën të qëndrueshëm vendin me anë të drejtësisë, por ai që merr dhurata e çon në shkatërrim.
[5] Njeriu që i bën lajka të afërmit të tij shtrin një rrjetë mbi hapat e tij.
[6] Në mëkatin e një njeriut të keq ka një lak, por i drejti këndon dhe gëzohet.
[7] I drejti interesohet për çështjen e të varfërve, por i pabesi nuk e kupton këtë interesim.
[8] Tallësit kurdisin trazira në qytet, por njerëzit e urtë e qetësojnë zemërimin.
[9] Në rast se një njeri i urtë hyn në grindje me një budalla, dhe budallai zemërohet dhe qesh, nuk ka paqe.
[10] Njerëzit gjakatarë urrejnë të ndershmin, por njerëzit e drejtë kërkojnë të mbrojnë jetën e tij.
[11] Budallai e shfryn gjithë zemërimin e tij, por i urti e frenon dhe e ul.
[12] Në rast se një mbret dëgjon fjalët gënjeshtare, tërë ministrat e tij bëhen të pabesë.
[13] I varfëri dhe shtypësi kanë këtë të përbashkët: Zoti ndriçon sytë e të dy palëve.
[14] Mbreti që u siguron drejtësi të varfërve në të vërtetë do ta ketë fronin të vendosur për gjithnjë.
[15] Shufra dhe qortimi japin dituri; por fëmija për të cilën nuk kujdeset kurrkush e turpëron nënen e vet.
[16] Kur shtohen të pabesët shtohen edhe shkeljet, por të drejtët do të shohin shkatërrimin e tyre.
[17] Korrigjo birin tënd, ai do të japë rehatinë dhe do t'i sigurojë kënaqësi shpirtit tënd.
[18] Kur nuk ka një vizion profetik, populli bëhet i shfrenuar, por lum ai që respekton ligjin.
[19] Një shërbëtor nuk ndreqet vetëm me fjalë; edhe kur i kupton, nuk bindet.
[20] A ke parë një njeri që ngutet në të folur? Ka më tepër shpresa te një budalla se sa te ai.
[21] Në se dikush rrit me përkujdesje qysh në fëmijëri shërbëtorin e vet, në fund ai do të dojë të bëhet trashëgimtar i tij.
[22] Njeriu zemërak kurdis grindje dhe njeriu idhnak kryen shumë mëkate.
[23] Kryelartësia e njeriut e çon poshtë atë, por ai që ka një shpirt të përvuajtur do të ketë lavdi.
[24] Kush bëhet ortak me një vjedhës urren jetën e vet. Ai dëgjon betimin, por nuk padit asgjë.
[25] Frika e njeriut përbën një lak, por ai që ka besim te Zoti është i siguruar.
[26] Të shumtë janë ata që kërkojnë favorin e princit, por drejtësia për çdo njeri vjen nga Zoti.
[27] Njeriu jo i drejtë është një neveri për të drejtët, dhe ai që ecën me ndershmëri është një neveri për të pabesët.