[1] Ashtu si bora nuk i shkon verës as shiu të korrave, kështu nuk i shkon lavdia budallait.
[2] Ashtu si harabeli fluturon andej e këtej dhe dallëndyshja fluturon, kështu mallkimi pa arsye nuk ka efekt.
[3] Kamxhiku për kalin, kapistra për gomarin dhe shkopi për kurrizin e budallenjve.
[4] Mos iu përgjegj budallait simbas budallallëkut të tij, që të mos bëhesh edhe ti si ai.
[5] Përgjigjju budallait simbas budallallëkut të tij, që ai të mos mendojë se është i urtë.
[6] Kush dërgon një mesazh me anë të një budallai pret këmbët e tij dhe pi dhunë.
[7] Ashtu si këmbët e çalamanit janë pak të qëndrueshme, kështu është një fjalë e urtë në gojën e budallenjve.
[8] Kush i jep lavdi një budallai është si ai që lidh një gur te hobeja.
[9] Një fjalë e urtë në gojën e budallenjve është si një gjemb që hyn në dorën e një të dehuri.
[10] Perëndia i madh që ka krijuar të gjitha gjërat është ai që i jep shpërblimin budallait dhe shkelësve.
[11] Ashtu si një qen kthehet në të vjellat e tij, kështu budallai e përsërit budallallëkun e tij.
[12] A ke parë një njeri që e pandeh veten të urtë? Ka më tepër shpresë për një budalla se sa për të.
[13] Përtaci thotë: "Ka një luan në rrugë, ka një luan nëpër rrugë!".
[14] Ashtu si lëviz porta në menteshat e saj, kështu sillet përtaci në shtrat të tij.
[15] Përtaci e fut dorën në pjatën e tij, por lodhet edhe ta çojë te goja.
[16] Përtaci pandeh se është më i urtë se shtatë persona që japin përgjigje me mend.
[17] Kalimtari që përzihet në një grindje që nuk i përket, është si ai që kap nga veshët një qen.
[18] Ashtu si një i marrë që gjuan me ura zjarri, me shigjeta dhe me vdekje,
[19] kështu është ai që mashtron të afërmin dhe thotë: "E bëra për shaka!".
[20] Kur mungojnë drutë, zjarri shuhet; dhe kur nuk ka një gojë të keqe, grindja merr fund.
[21] Ashtu si qymyri jep shpuzën dhe drutë zjarrin, kështu njeriu grindavec i nxit grindjet.
[22] Fjalët e gojëkeqit janë si ushqime shumë të shijshme dhe depërtojnë deri në thellësi të zorrëve.
[23] Buzët e zjarrta dhe zemra e keqe janë si zgjyra të argjendit të vendosura mbi një enë balte.
[24] Ai që urren shtiret me buzët e tij, por në zemër të vet përgatit mashtrimin.
[25] Kur ai flet në mënyrë të sjellshme mos i ki besim, sepse ka shtatë gjëra të neveritshme në zemër.
[26] Edhe sikur urrejtja e tij të jetë fshehur me tinëzi; ligësia e tij do të dalë hapur në kuvend.
[27] Kush hap një gropë do të bjerë brenda dhe kush rrokullis një gur do të bjerë përsëri mbi të.
[28] Gjuha gënjeshtare urren ata që ka plagosur, dhe goja lajkatare sjell shkatërrimin.