Skip to content
Opens in a new window

[1] Kush veçohet kërkon kënaqësinë e tij dhe zemërohet kundër gjithë diturisë së vërtetë.

[2] Budallai nuk gjen kënaqësi te maturia, por vetëm në të vënit në dukje të zemrës së tij.

[3] Kur vjen i pabesi vjen edhe përçmimi dhe bashkë me humbjen e nderit vjen turpi.

[4] Fjalët e gojës së një njeriu janë ujëra të thella; burimi i diturisë është si një rrjedhë uji që shkon duke gurgulluar.

[5] Nuk është mirë të preferosh të pabesin, apo të shkaktosh humbjen e të drejtit në gjyq.

[6] Buzët e budallait të çojnë në grindje, dhe goja e tij kërkon goditje.

[7] Goja e budallait është shkatërrimi i tij dhe buzët e tij janë një lak për jetën e tij.

[8] Fjalët e shpifësit janë si një gjellë shumë e shijshme që zbret thellë në zorrë.

[9] Edhe ai që është përtac në punën e tij është vëlla i planprishësit.

[10] Emri i Zotit është një kala e fortë, tek ai turret i drejti dhe gjen siguri.

[11] Pasuria e kamësit është qyteti i tij i fortë dhe simbas mendimit të tij ajo është si një mur i lartë.

[12] Përpara shkatërrimit, zemra e njeriut ngrihet, por para lavdisë vjen përulësia.

[13] Kush jep përgjigje për një çështje para se ta ketë dëgjuar, tregon marrëzinë e tij për turp të vet.

[14] Fryma e njeriut i jep krahë në sëmundjen e tij, por kush mund ta ngrerë një frymë të demoralizuar?

[15] Zemra e njeriut të matur fiton dituri, edhe veshi i të urtëve kërkon diturinë.

[16] Dhurata e njeriut i hap rrugën dhe e çon në prani të të mëdhenjve.

[17] I pari që mbron çështjen e vet duket sikur ka të drejtë; por pastaj vjen tjetri dhe e shqyrton.

[18] Fati u jep fund grindjeve dhe i ndan të fuqishmit.

[19] Një vëlla i fyer është si një qytet i fortë; dhe grindjet janë si shulat e një kalaje.

[20] Njeriu e ngop barkun me frytin e gojës së tij, ai ngopet me prodhimin e buzëve të tij.

[21] Vdekja dhe jeta janë nën pushtetin e gjuhës; ata që e duan do të hanë frytet e saj.

[22] Kush ka gjetur grua ka gjetur një gjë të mirë dhe ka siguruar një favor nga Zoti.

[23] I varfëri flet duke u lutur, kurse i pasuri përgjigjet me ashpërsi.

[24] Njeriu që ka shumë miq duhet gjithashtu të tregohet mik, por është një mik që është më i lidhur se një vëlla.

Fjalët e urta — Chapters