[1] Éshtë më i mirë një i varfër që ecën në ndershmërinë e tij se sa ndonjë që është i çoroditur nga buzët dhe që është budalla.
[2] Përveç kësaj nuk është mirë që një shpirt të jetë pa dije; kush ecën me hapa të shpejta gabon rrugë.
[3] Budallallëku i njeriut e bën rrugën e tij të rrëshqitshme dhe zemra e tij pezmatohet kundër Zotit.
[4] Pasuritë sigurojnë një numër të madh miqsh, por i varfëri ndahet nga vet miku i tij.
[5] Dëshmitari i rremë nuk do të mbetet pa u ndëshkuar dhe ai që thotë gënjeshtra nuk do të ketë shpëtim.
[6] Të shumtë janë ata që kërkojnë favorin e princit dhe të gjithë janë miq të atij që bën dhurata.
[7] Të gjithë vëllezërit e të varfërit e urrejnë atë, aq më tepër largohen prej tij miqtë e vet. Ai mund t'u shkojë pas me fjalë, por ata nuk gjenden më.
[8] Kush fiton mënçuri do vetë jetën e tij dhe ai që mbetet i matur do të gjejë të mirën.
[9] Dëshmitari i rremë nuk do të mbetet pa u ndëshkuar, dhe ai që thotë gënjeshtra do të humbasë.
[10] Të jetuarit në kënaqësi nuk i shkon budallait, dhe aq më pak një shërbëtori të sundojë mbi princat.
[11] Mënçuria e bën njeriun të mos rrëmbehet shpejt nga zemërimi dhe është në lavdinë e tij t'i kapërcejë fyerjet.
[12] Zemërimi i mbretit është si ulërima e një luani, por favori i tij është si vesa mbi bar.
[13] Një bir budalla është një fatkeqësi për të atin, dhe grindjet e vazhdueshme të bashkëshortes së tij janë si një e pikuar e vazhdueshme.
[14] Shtëpia dhe pasuritë janë trashëgimi nga etërit, por një bashkëshorte e mënçur vjen nga Zoti.
[15] Përtacia të bën të biesh në një gjumë të thellë dhe njeriu i plogët do të vuajë nga uria.
[16] Kush respekton urdhërimin ruan jetën e tij, por ai që lë pas dore sjelljen e tij ka për të vdekur.
[17] Ai që ka mëshirë për të varfërin i jep hua Zotit, i cili do t'ia kthejë ato që i ka dhënë.
[18] Ndëshko birin tënd sa ka shpresë, por mos u shty deri sa të shkaktosh vdekjen e tij.
[19] Njeriu shumë gjaknxehtë duhet të ndëshkohet si pasojë e kësaj, sepse po nuk u ndëshkua, ai do të bëhet edhe më tepër gjaknxehtë.
[20] Dëgjo këshillën dhe prano mësimet, që ti të bëhesh i urtë për kusurin e ditëve të tua.
[21] Ka shumë plane në zemrën e njeriut, por vetëm plani i Zotit do të mbetet i pandryshuar.
[22] Ajo që dëshiron njeriu është mirësia dhe një i varfër vlen më tepër se një gënjeshtar.
[23] Frika e Zotit të çon në jetë; kush e ka do të mbetet i ngopur dhe nuk do të preket nga asnjë e keqe.
[24] Përtaci e zhyt dorën e tij në pjatë, por nuk arrin as ta çojë në gojë.
[25] Godite tallësin dhe njeriu i thjeshtë do të bëhet mëndjehollë; qorto atë që ka mend dhe ai do të fitojë dituri.
[26] Kush përdor dhunë me të atin dhe dëbon nënen e tij, është një faqenxirë dhe me turp.
[27] Biri im, mos dëgjo më mësimet, dhe do të largohesh nga fjalët e diturisë.
[28] Dëshmitari i lig tallet me drejtësinë dhe goja e të pabesëve gëlltit padrejtësinë.
[29] Ndëshkimet janë përgatitur për tallësit dhe goditjet për kurrizin e budallenjve.