Skip to content
Opens in a new window

[1] Biri im, në qoftë se je bërë garant për të afërmin tënd, në rast se ke dhënë dorën si garanci për një të huaj,

[2] je zënë në lakun e fjalëve të gojës sate, je zënë nga fjalët e gojës sate.

[3] Bëj këtë, pra, biri im, dhe shpengohu, sepse ke rënë në duart e të afërmit tënd. Shko, hidhu në këmbët e tij dhe ngul këmbë me të madhe te i afërmi yt.

[4] Mos u jep gjumë syve të tu as çlodhje qepallave të tua;

[5] çlirohu si gazela nga dora e gjahtarit, si zogu nga dora e atij që kap zogjtë.

[6] Shko te milingona, o përtac, vër re zakonet e saj dhe bëhu i urtë.

[7] Ajo nuk ka as kryetar, as mbikëqyrës, as zot;

[8] e gjen ushqimin në verë dhe mbledh zahirenë e saj gjatë korrjes.

[9] Deri kur, o përtac, do të rrish duke fjetur? Kur do të shkundesh nga gjumi yt?

[10] Të flesh pak, të dremitësh pak, të rrish me duar në ije për t'u çlodhur,

[11] kështu varfëria jote do të vijë si një vjedhës, dhe skamja jote si një njeri i armatosur.

[12] Njeriu pa vlerë, njeriu i keq, ecën me një gojë të çoroditur;

[13] luan syrin, flet me këmbët, bën shenja me gishta;

[14] ka ligësi në zemër, kurdis vazhdimisht të keqen dhe mbjell grindje.

[15] Prandaj shkatërrimi i tij do të vijë papritur, në një çast do të shkatërrohet pa rrugëdalje tjetër.

[16] Zoti i urren këto gjashtë gjëra, madje shtatë janë të neveritshme për të:

[17] sytë krenare, gjuha gënjeshtare, duart që derdhin gjak të pafajshëm,

[18] zemra që kurdis plane të këqija, këmbët që turren shpejt drejt së keqes,

[19] dëshmitari i rremë që thotë gënjeshtra dhe ai që shtie grindje midis vëllezërve.

[20] Biri im, ruaje urdhërimin e atit tënd dhe mos harro mësimet e nënës sate.

[21] Mbaji vazhdimisht të lidhura në zemrën tënde dhe fiksoji rreth qafës sate.

[22] Kur do të ecësh, do të të udhëheqin; kur të pushosh, do të të ruajnë; kur të zgjohesh, do të flasin me ty.

[23] Sepse urdhërimi është një llambë, mësimi një dritë, dhe ndreqjet e mësimit janë rruga e jetës,

[24] për të të mbrojtur nga gruaja e keqe, nga lajkat e gjuhës të gruas së huaj.

[25] Mos dëshiro në zemrën tënde bukurinë e saj dhe mos u rrëmbe nga qepallat e saj.

[26] Sepse për një prostitutë burri katandiset për një copë bukë, dhe gruaja e një tjetri gjuan shpirtin e vyer të një burri.

[27] A mund të mbajë burri një zjarr në gji të tij pa djegur rrobat e trupit?

[28] A mund të ecë burri mbi qymyr të ndezur pa djegur këmbët e tij?

[29] Në këtë gjendje është ai që shkon tek gruaja e një tjetri; kush e prek nuk do të mbetet pa u ndëshkuar.

[30] Nuk përçmohet hajduti që vjedh për të shuar urinë kur është i uritur;

[31] por në rast se kapet në faj, duhet të kthejë shtatëfishin, dhe të japë tërë pasurinë e shtëpisë së tij.

[32] Por ai që kryen një shkelje kurore me një grua është një njeri pa mend; ai që bën një gjë të tillë shkatërron jetën e tij.

[33] Do të gjejë plagë dhe përçmim, dhe turpi i tij nuk do t'i hiqet kurrë.

[34] sepse xhelozia e tërbon bashkëshortin, që do të jetë i pamëshirshëm ditën e hakmarrjes.

[35] Ai nuk do të pranojë asnjë shpërblim dhe nuk do të kënaqet, edhe sikur t'i bëjnë shumë dhurata.

Fjalët e urta — Chapters