Skip to content
Opens in a new window

[1] Zemra e mbretit në duart e Zotit është si rrjedhat e ujit; atë e drejton ngado që do ai.

[2] Çdo rrugë e njeriut është e drejtë në sytë e tij, por Zoti i peshon zemrat.

[3] Të zbatosh drejtësinë dhe paanësinë është një gjë që i pëlqen Zotit më shumë se flijimi.

[4] Sytë krenarë dhe një zemër kryelartë, që janë llamba e të pabesëve, janë mëkat.

[5] Synimet e njeriut të kujdesshëm çojnë me siguri në bollëk, por ai që ngutet do të bjerë me siguri në varfëri.

[6] Të përftosh thesare me një gjuhë gënjeshtare është një kotësi kalimtare e atij që kërkon vdekjen.

[7] Dhuna e të pabesëve merr tutje, sepse ata nuk pranojnë të zbatojnë drejtësinë.

[8] Rruga e njeriut të fajshëm është dredha-dredha, por njeriu i drejtë vepron ndershmërisht.

[9] Éshtë më mirë të banosh mbi qoshen e një çatie se sa në një shtëpi bashkë me një grua grindavece.

[10] Shpirti i të pabesit dëshiron të keqen; as shoku i tij nuk gjen mëshirë në sytë e tij.

[11] Kur tallësi ndëshkohet, i thjeshti bëhet i urtë; por kur i urti mësohet ai fiton dije.

[12] I drejti vëren me kujdes shtëpinë e të pabesit dhe përmbys të pabesët, sepse janë të këqij.

[13] Kush mbyll veshin ndaj britmës së të varfërit, do të bërtasë edhe ai, por nuk do të ketë përgjigje.

[14] Një dhuratë që bëhet fshehtas e fashit zemërimin dhe një dhuratë që jepet nën dorë qetëson zemërimin e fortë.

[15] Të bësh atë që është e drejtë është një gëzim për të drejtin, por është një rrënim për ata që kryejnë paudhësi.

[16] Njeriu që largohet nga rruga e maturisë ka për të banuar në kuvendin e të vdekurve.

[17] Ai që i do qejfet do të jetë në varfëri, ai që e do verën dhe vajin nuk do të pasurohet.

[18] I pabesi do t'i shërbejë si shpërblim të drejtit; dhe i paudhi në vend të njerëzve të drejtë.

[19] Éshtë më mirë të banosh në një shkretëtirë se sa me një grua grindavece dhe ngacmuese.

[20] Në shtëpinë e të urtit ka një thesar të çmuar dhe vaj, por njeriu budalla i bën të gjitha rrush e kumbulla.

[21] Kush ndjek drejtësinë dhe dhembshurinë ka për të gjetur jetën, drejtësinë dhe lavdinë.

[22] I urti ngjitet në qytetin e njerëzve të fortë dhe rrëzon forcën në të cilën kishte besim.

[23] Kush ruan gojën dhe gjuhën e tij mbron jetën e tij nga fatkeqësitë.

[24] Emri i krenarit pa cipë është: "tallës"; ai çdo gjë e bën me një mburrje të tepruar.

[25] Dëshirat e përtacit e vrasin atë, sepse duart e tij nuk pranojnë të punojnë.

[26] Ai dëshiron me zjarr tërë ditën, por i drejti dhuron duke mos refuzuar kurrë.

[27] Flijimi i të pabesit është gjë e neveritshme, aq më tepër në rast se e ofron me qëllim të keq.

[28] Dëshmitari i rremë do të vdesë, por njeriu që e dëgjon do të mund të flasë gjithnjë.

[29] I pabesi e fortëson fytyrën e tij, por njeriu i drejtë e bën të qëndrueshme rrugën e tij.

[30] Nuk ka as dituri, as zgjuarësi dhe as këshillë kundër Zotit.

[31] Kali është gati për ditën e betejës, por fitorja i përket Zotit.

Fjalët e urta — Chapters