Skip to content
Opens in a new window

[1] Fjalë të mbretit Lemuel, mesazhi profetik me të cilin e mësoi e ëma.

[2] Çfarë të të them, biri im? Çfarë të të them, biri i barkut tim? Çfarë të të them, bir i zotimeve të mia?

[3] Mos ua jep forcën tënde grave as jetën tënde asaj që shkatërron mbretërit.

[4] Nuk u shkon mbretërve, o Lemuel, nuk u shkon mbretërve të pinë verë as princave të dëshirojnë pije dehëse,

[5] sepse duke pirë të mos harrojnë ligjin dhe të mos shtrembërojnë të drejtën e të pikëlluarve.

[6] Jepini pije dehëse atij që është duke vdekur dhe verë atij që e ka zemrën të hidhëruar.

[7] Le të pijë për të harruar varfërinë e tij dhe për të mos kujtuar më hallet e tij.

[8] Hape gojën tënde në favor të memecit, në mbrojtje të të gjithë atyre që janë lënë pas dore.

[9] Hape gojën tënde, gjyko me drejtësi dhe mbro çështjen e të mjerit dhe të nevojtarit.

[10] Kush do të gjejë një grua të fortë dhe të virtytshme? Vlera e saj është shumë më e madhe nga ajo e margaritarëve.

[11] Zemra e burrit të saj ka besim tek ajo, dhe do të ketë gjithnjë fitime.

[12] Ajo i bën të mira dhe jo të keqe tërë ditët e jetës së saj.

[13] Gjen lesh dhe li dhe punon me gëzim me duart e veta.

[14] Ajo u përngjan anijeve të tregëtarëve: e sjell ushqimin e saj nga larg.

[15] Çohet që me natë për t'i ndarë ushqimin familjes së saj dhe për t'u dhënë urdhërat e nevojshme shërbëtoreve të saj.

[16] Ajo shikon një arë dhe e ble; me duart e saj mbjell një vresht.

[17] Ngjesh me forcë ijët dhe i bën më të fortë krahët e saj.

[18] E kupton që tregëtia e saj po shkon mbarë dhe llamba e saj e natës nuk i shuhet.

[19] Shtrin dorën mbi furkën, pëllëmbat e saj zënë boshtin.

[20] I shtrin dorën të varfërit dhe i jep dorën nevojtarit.

[21] Nuk i trembet borës për familjen e saj, sepse tërë ata të shtëpisë së vet kanë një veshje të dyfishtë.

[22] Bën për vete mbulesa si sixhade dhe rrobat e saj janë prej liri shumë të hollë dhe të purpurta.

[23] Burri i saj nderohet te porta, kur ulet bashkë me pleqtë e vendit.

[24] Përgatit rroba prej liri dhe i shet, i furnizon me breza tregtarët.

[25] Forca dhe nderi janë rrobat e saj dhe qesh për ditët që do të vijnë.

[26] Hap gojën e saj me dituri dhe mbi gjuhën e saj është ligji i mirësisë.

[27] Ajo mbikqyr si shkon shtëpia e vet dhe nuk ha bukën e përtacisë.

[28] Bijtë e saj ngrihen dhe e shpallin fatlume; edhe burri i saj e lëvdon duke thënë:

[29] "Shumë bija kanë bërë gjëra të mëdha, por ti i kalon të gjitha ato".

[30] Hiri është i rremë dhe bukuria është e kotë, por gruaja që ka frikë nga Zoti është ajo që do të lëvdohet.

[31] I jepni frytin e duarve të saj, dhe vet veprat e saj le ta lëvdojnë te portat.

Fjalët e urta — Chapters