Skip to content
Opens in a new window

[1] Prirjet e zemrës i përkasin njeriut, por përgjigja e gjuhës vjen nga Zoti.

[2] Të gjitha rrugët e njeriut janë të pastra në sytë e tij, por Zoti i peshon frymët.

[3] Besoja Zotit veprimet e tua dhe planet e tua do të realizohen.

[4] Zoti ka bërë çdo gjë për vete të tij, edhe të pabesin për ditën e fatkeqësisë.

[5] Ai që është zemërkrenar është i neveritshëm për Zotin; edhe sikur t'i shtrëngojë dorën një tjetri për besëlidhje, nuk ka për të mbetur pa u ndëshkuar.

[6] Me mirësinë dhe me të vërtetën padrejtësia shlyhet, dhe me frikën e Zotit njeriu largohet nga e keqja.

[7] Kur Zotit i pëlqejnë rrugët e një njeriu, ai bën që edhe armiqtë e tij të bëjnë paqe me të.

[8] Më mirë të kesh pak me drejtësi, se sa të ardhura të mëdha pa drejtësi.

[9] Zemra e njeriut programon rrugën e tij, por Zoti drejton hapat e tij.

[10] Mbi buzët e mbretit është një vendim hyjnor; gjatë gjykimit goja e tij nuk duhet të gabojë.

[11] Kandari dhe peshoret e sakta janë të Zotit, të gjitha gurët e peshës janë vepër e tij.

[12] Éshtë një gjë e neveritshme për mbretërit të bëjnë të keqen, sepse froni bëhet i qëndrueshëm me drejtësinë.

[13] Buzët e drejta u pëlqejnë mbretërve; ata e duan atë që flet drejt.

[14] Zemërimi i mbretit është si lajmëtari i vdekjes, por njeriu i urtë do ta qetësojë atë.

[15] Në dritën e fytyrës së mbretit ka jetë, dhe favori i tij është si reja e shiut të fundit.

[16] Éshtë më mirë të fitosh dituri se sa ar, dhe të fitosh mënçuri se sa argjend.

[17] Rruga kryesore e njerëzve të drejtë është të evitojnë të keqen; ai që do ta ruajë shpirtin e tij mbikqyr rrugën e tij.

[18] Përpara shkatërrimit vjen kryelartësia dhe përpara rrëzimit fryma krenare.

[19] Më mirë të kesh frymë të përulur me të mjerët se sa të ndash prenë me krenarët.

[20] Kush i kushton kujdes Fjalës do të gjejë të mirën, dhe kush i beson Zotit është i lumtur.

[21] I urti nga zemra do të quhet i matur, dhe ëmbëlsia e buzëve e shton diturinë.

[22] Mendja është një burim jete për atë që e zotëron, por budallallëku është dënimi i budallenjve.

[23] Zemra e të urtit e bën të mençur gojën e tij dhe e shton diturinë e buzëve të tij.

[24] Fjalët e ëmbla janë si një huall mjalti, ëmbëlsi për shpirtin dhe ilaç për kockat.

[25] Ka një rrugë që njeriut i duket e drejtë, por në fund ajo të nxjerr në udhët e vdekjes.

[26] Personi që lodhet, lodhet për veten e tij, sepse goja e tij e nxit.

[27] Njeriu i keq kurdis të keqen dhe mbi buzët e tij ka si një zjarr të ndezur.

[28] Njeriu i çoroditur mbjell grindje dhe ai që shpif përçan miqtë më të mirë.

[29] Njeriu i dhunës e josh shokun e vet dhe e çon nëpër një rrugë jo të mirë.

[30] Kush mbyll sytë për të kurdisur gjëra të këqija, kafshon buzët kur shkakton të keqen.

[31] Flokët e bardha janë një kurorë lavdie; atë e gjejmë në rrugën e drejtësisë.

[32] Kush nuk zemërohet shpejt vlen më tepër se një luftëtar i fortë, dhe ai që e urdhëron frymën e tij vlen më tepër se ai që mposht një qytet.

[33] Shorti hidhet që në barkun e nënës, por çdo veprim varet nga Zoti.

Fjalët e urta — Chapters