[1] Një bir i urtë dëgjon mësimet e atit të vet, por tallësi nuk e dëgjon qortimin.
[2] Nga fryti i gojës së tij njeriu do të hajë atë që është e mirë, por shpirti i të pabesëve do të ushqehet me dhunë.
[3] Kush kontrollon gojën e tij mbron jetën e vet, por ai që i hap shumë buzët e tij shkon drejt shkatërrimit.
[4] Shpirti i përtacit dëshiron dhe nuk ka asgjë, por shpirti i atyre që janë të kujdesshëm do të kënaqet plotësisht.
[5] I drejti e urren gënjeshtrën, por i pabesi është i neveritshëm dhe do të turpërohet.
[6] Drejtësia ruan atë që ndjek një rrugë të ndershme, por pabesia e rrëzon mëkatarin.
[7] Ka nga ata që sillen si një i pasur, por nuk kanë asgjë; përkundrazi ka nga ata që sillen si një i varfër, por kanë shumë pasuri.
[8] Pasuritë e një njeriu shërbejnë për të shpërblyer jetën e tij, por i varfëri nuk ndjen asnjë kërcënim.
[9] Drita e të drejtëve shkëlqen bukur, por llamba e të pabesëve do të shuhet.
[10] Nga krenaria rrjedhin vetëm grindjet, por dituria është me ata që u kushtojnë kujdes këshillave.
[11] Pasuria e përftuar në mënyrë jo të ndershme do të katandiset në pak gjëra, por atij që e grumbullon me mund do t'i shtohet ajo.
[12] Pritja e zgjatur e ligështon zemrën, por dëshira e plotësuar është një dru i jetës.
[13] Ai që përçmon fjalën do të shkatërrohet, por ai që respekton urdhërimin do të shpërblehet.
[14] Mësimet e të urtit janë burim jete për t'i evituar dikujt leqet e vdekjes.
[15] Gjykimi i mirë siguron favor, por veprimi i të pabesëve është i dëmshëm.
[16] Çdo njeri i matur vepron me dituri, por budallai kapardiset me marrëzinë e tij.
[17] Lajmëtari i keq bie në telashe, por lajmëtari besnik sjell shërim.
[18] Mjerimi dhe turpi do të vjinë mbi atë që nuk pranon korrigjimin, por ai që dëgjon qortimin do të nderohet.
[19] Dëshira e realizuar është e ëmbël për shpirtin, por për budallenjtë është një gjë e neveritshme largimi nga e keqja.
[20] Kush shkon me të urtët bëhet i urtë, por shoku i budallenjve do të bëhet i keq.
[21] E keqja përndjek mëkatarët, por i drejti do të shpërblehet me të mirën.
[22] Njeriu i mirë i lë një trashëgim bijve të bijve të tij, por pasuria e mëkatarit vihet mënjanë për të drejtin.
[23] Ara e punuar e të varfërve jep ushqim me shumicë, por ka nga ata që vdesin për mungesë drejtësie.
[24] Kush e kursen shufrën urren birin e vet, por ai që e do e korrigjon me kohë.
[25] I drejti ha sa të ngopet, por barku i të pabesëve vuan nga uria.