[1] Biri im, në rast se pranon fjalët e mia dhe i quan thesar urdhërimet e mia,
[2] duke i vënë veshin diturisë dhe duke e prirur zemrën ndaj arsyes;
[3] po, në rast se kërkon me ngulm gjykimin dhe ngre zërin për të siguruar mirëkuptim,
[4] në rast se e kërkon si argjendin dhe fillon të rrëmosh si për një thesar të fshehur,
[5] atëherë do të ndjesh frikën e Zotit dhe ke për të gjetur kuptimin e Perëndisë.
[6] Sepse Zoti jep diturinë; nga goja e tij rrjedhin njohuria dhe arsyeja.
[7] Ai mban rezervë për njerëzit e drejtë një ndihmë të fuqishme, një mburojë për ata që ecin me ndershmëri
[8] për të mbrojtur shtigjet e drejtësisë dhe për të ruajtur rrugën e shenjtorëve të tij.
[9] Atëherë do të kuptosh drejtësinë, barazinë, ndershmërinë dhe tërë rrugët e së mirës.
[10] Kur dituria të të hyjë në zemër, edhe njohja do të jetë e këndshme për shpirtin tënd,
[11] të menduarit do të kujdeset për ty dhe gjykimi do të të mbrojë,
[12] për të të çliruar nga rruga e keqe, nga njerëzit që flasin për gjëra të këqija,
[13] nga ata që braktisin shtigjet e ndershmërisë për të ecur në rrugët e territ,
[14] që gëzohen kur bëjnë të keqen dhe ndjejnë kënaqësi në çoroditjet e njeriut të keq,
[15] shtigjet e të cilit janë të shtrembëra dhe rrugët dredha-dredha,
[16] për të të shpëtuar nga gruaja që ka shkelur kurorën, nga gruaja e huaj që përdor fjalë mikluese,
[17] që ka braktisur shokun e rinisë së saj dhe ka harruar marrëveshjen e lidhur me Perëndinë.
[18] Sepse shtëpia e saj zbret drejt vdekjes dhe shtigjet e saj drejt të vdekurve.
[19] Asnjë prej atyre që shkojnë tek ajo nuk kthehet, asnjë nuk i arrin shtigjet e jetës.
[20] Kështu do të mund të ecësh në rrugën e të mirëve dhe do të mbetesh në shtigjet e të drejtëve.
[21] Sepse njerëzit e drejtë do të banojnë tokën dhe ata të ndershëm do të qëndrojnë aty;
[22] por të pabesët do të shfarosen nga toka dhe shkelësit do të hiqen prej saj.