[1] Kur ulesh të hash me një mbret, shiko me kujdes atë që ke përpara;
[2] dhe vër një thikë në grykë, po të jetë se ke oreks të madh.
[3] Mos dëshiro gjellët e tij të mrekullueshme, sepse janë një ushqim mashtrues.
[4] Mos u lodh për t'u pasuruar, hiq dorë nga qëllimi yt.
[5] A do t'i fiksosh sytë e tu mbi atë që po zhduket? Sepse pasuria me siguri do të vërë fletë si një shqiponjë që fluturon drejt qiellit.
[6] Mos ha bukën e atij që ka syrin e keq dhe mos dëshiro ushqimet e tij të shijshme;
[7] sepse, ashtu si mendon në zemër të tij, ashtu është ai; "Ha dhe pi"!, do të thotë, por zemra e tij nuk është me ty.
[8] Do të vjellësh kafshatën që ke ngrënë dhe do të harxhosh kot fjalët e tua të ëmbla.
[9] Mos i drejto fjalën budallait, sepse ai do të përçmojë mençurinë e ligjëratës sate.
[10] Mos e luaj kufirin e vjetër dhe mos hyr në arat e jetimëve,
[11] sepse Hakmarrësi i tyre është i fuqishëm; ai do të mbrojë çështjen e tyre kundër teje.
[12] Kushtoja zemrën tënde mësimeve dhe veshët e tu fjalëve të diturisë.
[13] Mos ia kurse korrigjimin fëmijës; edhe sikur ta rrahësh me thupër, ai nuk do të vdesë;
[14] do ta rrahësh me thupër, por do të shpëtosh shpirtin e tij nga Sheoli.
[15] Biri im, në se zemra jote është e urtë, edhe zemra ime do të ngazëllojë;
[16] zemra ime do të ngazëllojë, kur buzët e tua do të thonë gjëra të drejta.
[17] Zemra jote mos i pastë zili mëkatarët, por vazhdoftë gjithnjë në frikën e Zotit;
[18] sepse ka një të ardhme, dhe shpresa jote nuk do të shkatërrohet.
[19] Dëgjo, biri im, ji i urtë, dhe drejtoje zemrën në rrugën e drejtë.
[20] Mos rri me ata që pijnë verë as me grykësit dhe mishngrënësit;
[21] sepse pijaneci dhe grykësi do të varfërohen dhe gjumashi do të vishet me lecka.
[22] Dëgjo atin tënd që të ka pjellë dhe mos e përçmo nënën tënde kur të jetë plakë.
[23] Bli të vërtetën dhe mos e shit, fito dituri, njohuri dhe gjykim.
[24] Babai i të drejtit do të gëzohet shumë; kush ka lindur një të urtë do t'ia ndjejë gëzimin.
[25] Le të gëzohet ati yt dhe nëna jote dhe le të gëzohet ajo që të ka lindur.
[26] Biri im, më jep zemrën tënde, dhe sytë e tu gjetshin gëzim në rrugët e mia.
[27] Sepse prostituta është një gropë e thellë dhe gruaja e tjetërkujt një pus i ngushtë.
[28] Edhe ajo rri në pritë si një vjedhës dhe rrit midis njerëzve numrin e atyre që janë jo besnikë.
[29] Për cilin janë "ah-ët", për cilin "obobo-të"? Për cilin grindjet, për cilin vajtimet? Për cilin plagët pa shkak? Për cilin sytë e skuqur?
[30] Për ata që ndalen gjatë pranë verës, për ata që kërkojnë verë të droguar.
[31] Mos e shiko verën kur kuqëlon, kur rrëzëllen në kupë dhe shkon poshtë aq lehtë!
[32] Në fund ajo kafshon si një gjarpër dhe shpon si një kuçedër.
[33] Sytë e tu kanë për të parë gjëra të çuditshme dhe zemra jote do të thotë gjëra të çoroditura.
[34] Do të jesh si ai që gjendet në mes të detit, si ai që bie të flerë në majë të direkut të anijes.
[35] Do të thuash: "Më kanë rrahur, por nuk më kanë bërë keq; më kanë goditur, por nuk e kam vënë re. Kur të zgjohem, do të kthehem t'i kërkoj përsëri!".