[1] Vera është tallëse, pija dehëse është e turbullt dhe kush jepet pas tyre nuk është i urtë.
[2] Frika e mbretit është si ulërima e luanit; kush ia nxit zemërimin mëkaton kundër vetë jetës së vet.
[3] Éshtë një lavdi për njeriun t'u shmanget grindjeve, por çdo budalla përzihet në to.
[4] Përtaci nuk lëron për shkak të të ftohtit; për pasojë do të lypë në kohën e vjeljeve, por nuk do të ketë asgjë.
[5] Këshilla në zemrën e njeriut është si uji i thellë, por njeriu me mend do të dijë të mbushë nga ai ujë.
[6] Shumë njerëz shpallin mirësinë e tyre; por kush mund të gjejë një njeri besnik?
[7] I drejti ecën në ndershmërinë e tij; bijtë e tij do të bekohen pas atij.
[8] Një mbret që ulet mbi fronin e gjyqit davarit me vështrimin e tij çdo të keqe.
[9] Kush mund të thotë: "Pastrova zemrën time, jam i pastruar nga mëkati im"?
[10] Peshimi i dyfishtë dhe matja e dyfishtë janë që të dyja gjëra të neveritshme për Zotin.
[11] Edhe fëmija me veprimet e tij tregon në se ajo që bën është e pastër dhe e ndershme.
[12] Veshin që dëgjon dhe syrin që sheh i ka bërë që të dy Zoti.
[13] Mos e duaj gjumin që të mos varfërohesh; mbaji sytë hapur dhe do të kesh bukë sa të ngopesh.
[14] "Éshtë i keq, është i keq", thotë blerësi; por mbasi ai ka ikur, lavdërohet për blerjen.
[15] Ka flori dhe margaritarë të shumtë, por buzët e pasura me dije janë një xhevahir i çmuar.
[16] Merr rroben e atij që është bërë garant për një të huaj, dhe mbaje si peng për gruan e huaj.
[17] Buka e nxjerrë me hile është e ëmbël për njeriun, por pastaj goja e tij do të mbushet me zaje.
[18] Planet bëhen të qëndrueshme nga këshilla; prandaj bëje luftën me këshilla të urta.
[19] Ai që shkon poshtë e lart duke përfolur tregon sekretet; prandaj mos u shoqëro me atë që flet tepër.
[20] Atij që mallkon të atin dhe të ëmën, llamba do t'i shuhet në terrin më të madh.
[21] Trashëgimia e fituar me nxitim në fillim, nuk do të bekohet në fund.
[22] Mos thuaj: "Do t'i përgjigjem së keqes me të keqen"; ki shpresë te Zoti dhe ai do të të shpëtojë.
[23] Peshimi i dyfishtë është i neveritshëm për Zotin dhe peshorja e pasaktë nuk është një gjë e mirë.
[24] Hapat e njeriut vijnë nga Zoti; si mund ta njohë, pra, njeriu rrugën e vet?
[25] Éshtë një kurth për njeriun të marrë një zotim pa e matur mirë dhe, mbasi ta ketë marrë, të mendohet.
[26] Një mbret i urtë i shpartallon njerëzit e këqij dhe kalon mbi ta rrotën.
[27] Shpirti i njeriut është llamba e Zotit, që vëzhgon tërë skutat më të fshehta të zemrës.
[28] Mirësia dhe besnikëria ruajnë mbretin; ai e bën të qëndrueshëm fronin e tij me anë të mirësisë.
[29] Lavdia e të rinjve është forca e tyre, nderi i pleqve janë thinjat e tyre.
[30] Të rrahurat që lënë plagë të thella e heqin të keqen, ashtu si goditjet që vijnë në pjesën më të brendshme të zorrëve.