[1] Një nam i mirë është më i pëlqyeshëm se pasuritë e mëdha, dhe hiri është më i pëlqyeshëm se argjendi dhe ari.
[2] I pasuri dhe i varfëri kanë këtë të përbashkët: të dy i ka bërë Zoti.
[3] Njeriu i matur e shikon të keqen dhe fshihet; por njerëzit naivë shkojnë tutje dhe dënohen.
[4] Çmimi i përvujtërisë është frika e Zotit, pasuria, lavdia dhe jeta.
[5] Ferra dhe leqe gjenden në udhën e të çoroditurit; kush kujdeset për jetën e vet rri larg tyre.
[6] Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë, dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket.
[7] I pasuri sundon mbi të varfërit, dhe huamarrësi është skllav i huadhënësit.
[8] Kush mbjell padrejtësi ka për të korrur telashe dhe shufra e zemërimit të tij do të asgjesohet.
[9] Njeriu me sy dashamirës do të bekohet, sepse i jep bukë të varfërit.
[10] Përzëre tallësin dhe grindjet do të ikin bashkë me të; po, grindjet dhe fyerjet do të pushojnë.
[11] Kush e do pastërtinë e zemrës dhe ka hir mbi buzët do ta ketë shok mbretin.
[12] Sytë e Zotit ruajnë dijen, por ai i bën të kota fjalët e të pabesit.
[13] Përtaci thotë: "Jashtë ka një luan; do të vritem rrugës".
[14] Goja e gruas që shkel kurorën është një gropë e thellë; ai që ka zemëruar Zotin do të bjerë në të.
[15] Marrëzia lidhet me zemrën e fëmijës, por shufra e korrigjimit do ta largojë prej saj.
[16] Ai që shtyp të varfërin për t'u pasuruar dhe ai që i jep të pasurit, me siguri do të varfërohet.
[17] Vëru veshin dhe dëgjo fjalët e të urtëve, dhe jepja zemrën dijes sime.
[18] sepse për ty do të jetë e këndshme t'i ruash në intimitetin tënd dhe t'i kesh të gjitha gati mbi buzët e tua.
[19] Me qëllim që besimin tënd ta kesh te Zoti, sot të kam mësuar, po, pikërisht ty.
[20] A nuk të kam shkruar në të kaluarën aforizma që kanë të bëjnë me këshillimin dhe diturinë,
[21] në mënyrë që të njohësh sigurinë e fjalëve të së vërtetës, me qëllim që t'u përgjigjesh me fjalë të vërteta atyre që të dërgojnë?
[22] Mos e vidh të varfërin, sepse është i varfër, dhe mos e shtyp të mjerin te porta,
[23] sepse Zoti do të mbrojë çështjen e tyre dhe do t'u heqë jetën atyre që i kanë zhveshur.
[24] Mos lidh miqësi me njeriun zemërak dhe mos u shoqëro me njeriun idhnak,
[25] që të mos mësosh rrugët e tij dhe të mos gjesh një kurth për shpirtin tënd.
[26] Mos u bëj si ata që japin dorën si garanci, që bëhen garant për borxhet e të tjerëve.
[27] Në qoftë se nuk ke asgjë me se të paguash, pse duhet të të heqë shtratin poshtë vetes?
[28] Mos e luaj kufirin e vjetër, të vendosur nga etërit e tu.
[29] A ke parë një njeri të papërtueshëm në punën e tij? Ai do të paraqitet në prani të mbretit dhe nuk do të qëndrojë para njerëzve të humbur.