[1] Biri im, ruaji fjalët e mia dhe urdhërimet e mia në veten tënde,
[2] Ruaji urdhërimet e mia dhe ke për të jetuar; ruaji mësimet e mia si bebja e syve të tu.
[3] Lidhi ndër gishta, shkruaji mbi tabelën e zemrës sate.
[4] Thuaji diturisë: "Ti je motra ime" dhe quaje "shok" gjykimin,
[5] me qëllim që të të ruajnë nga gruaja e tjetrit nga gruaja e huaj që përdor fjalë lajkatare.
[6] Nga dritarja e shtëpisë sime shikoja nëpër parmakët prej hekuri
[7] dhe pashë midis budallenjve; dallova midis të rinjve një djalë të ri që s'kishte gjykim,
[8] që kalonte nëpër rrugë pranë qoshes të gruas së huaj dhe drejtohej nga shtëpia e saj,
[9] në muzg, kur po ngryste dita, ndërsa zbriste nata e zezë dhe e errët.
[10] I doli para një grua e veshur si prostitutë dhe dinake;
[11] ajo është turbulluese dhe provokuese, dhe nuk di t'i mbajë këmbët në shtëpinë e saj;
[12] herë mbi rrugë, herë në sheshet qëndron në pritë në çdo qoshe.
[13] Kështu e zuri dhe e puthi, pastaj me paturpësi tha:
[14] "Duhet të bëja flijimet e falenderimit; pikërisht sot i plotësova zotimet e mia;
[15] prandaj të dola para që të të kërkoj dhe të gjeta.
[16] E zbukurova shtratin tim me një mbulesë si sixhade, me li të ngjyrosur nga Egjipti;
[17] e parfumova shtratin tim me mirrë, me aloe dhe me kanellë.
[18] Eja, të dehemi me dashuri deri në mëngjes, të kënaqemi në qejfe dashurie,
[19] sepse burri im nuk është në shtëpi, por ka shkuar në një udhëtim të gjatë;
[20] ka marrë me vete një thes të vogël me pare dhe do të kthehet në shtëpi vetëm kur të jetë hëna e plotë".
[21] Ajo e mashtroi me fjalë bindëse, e tërhoqi me ëmbëlsinë e buzëve të saj.
[22] Ai e ndoqi pa mëdyshje, si një ka që shkon në thertore, si një i lidhur në dënimin e budallait,
[23] deri sa një shigjetë nuk i shpon mëlçinë; ai nxiton si një zog, pa ditur që një lak është ngritur kundër jetës së tij.
[24] Prandaj, bij të mi, më dëgjoni, kushtojuni kujdes fjalëve të gojës sime.
[25] Zemra jote të mos shkojë pas rrugëve të saj, mos devijo nëpër shtigjet e saj,
[26] sepse ka rrëzuar shumë të plagosur për vdekje, dhe tërë ata që ajo ka vrarë ishin burra të fortë.
[27] Shtëpia e saj është rruga e Sheolit që zbret në thellësitë e vdekjes.