Skip to content
Opens in a new window

[1] Mos i ki zili njerëzit e këqij dhe mos dëshiro të rrish me ta,

[2] sepse zemra e tyre mendon për grabitje dhe buzët e tyre thonë se do të bëjnë të keqen.

[3] Shtëpia ndërtohet me dituri dhe bëhet e qëndrueshme me maturi.

[4] Me dijen mbushen dhomat me lloj-lloj të mirash të çmueshme dhe të pëlqyeshme.

[5] Njeriu i urtë është plot forcë, dhe njeriu që ka dituri e rrit fuqinë e tij.

[6] Sepse me këshilla të urta do të mund të bësh luftën tënde, dhe në numrin e madh të këshilltarëve është fitorja.

[7] Dituria është shumë e lartë për budallanë; ai nuk e hap kurrë gojën te porta e qytetit.

[8] Kush mendon të bëjë keq do të quhet mjeshtër intrigash.

[9] Synimi i pamend është mëkat dhe tallësi është një neveri për njerëzit.

[10] Po të mos kesh guxim ditën e fatkeqësisë, forca jote është shumë e pakët.

[11] Çliro ata që i tërheqin drejt vdekjes dhe mbaji ata që po i çojnë në thertore.

[12] Po të thuash: "Ja, ne nuk e dinim", ai që peshon zemrat a nuk e shikon? Ai që ruan shpirtin tënd nuk e di vallë? Ai do t'i japë secilit simbas veprave të tij.

[13] Biri im, ha mjaltin sepse është i mirë; një huall mjalti do të jetë i ëmbël për shijen tënde.

[14] Kështu do të jetë njohja e diturisë për shpirtin tënd. Në rast se e gjen, do të ketë një të ardhme dhe shpresa jote nuk do të shkatërrohet.

[15] O i pabesë, mos ngre kurthe kundër banesës së njeriut të drejtë, mos shkatërro vendin ku ai pushon,

[16] sepse i drejti bie shtatë herë dhe ngrihet, kurse të pabesët përmbysen në fatkeqësi.

[17] Kur armiku yt bie, mos u gëzo; kur është shtrirë për tokë, zemra jote të mos gëzohet,

[18] me qëllim që Zoti të mos shikojë dhe të mos i vijë keq, dhe të mos largojë prej tij zemërimin e vet.

[19] Mos u zemëro për shkak të atyre që bëjnë të keqen dhe mos i ki smirë të pabesët,

[20] sepse nuk do të ketë të ardhme për të keqin; llamba e të pabesëve do të fiket.

[21] Biri im, ki frikë nga Zoti dhe nga mbreti; mos u bashko me ata që duan të ndryshojnë;

[22] mjerimi i tyre do të vijë papritmas, dhe shkatërrimin e të dy palëve kush e njeh?

[23] Edhe këto gjëra janë për të urtit. Nuk është mirë të kesh preferenca personale në gjykim.

[24] Ai që i thotë të pabesit: "Ti je i drejtë", do të mallkohet nga popujt dhe kombet do ta nëmin.

[25] Por ata që e qortojnë të pabesin do të gjejnë kënaqësi dhe mbi ta do të zbresin bekimet më të mira.

[26] Ai që jep një përgjigje të drejtë jep një të puthur mbi buzët.

[27] Vër në vijë punët e tua të jashtme, vër në rregull arat e tua dhe pastaj ndërto shtëpinë tënde.

[28] Mos dëshmo pa arsye kundër të afërmit tënd dhe mos gënje me buzët e tua.

[29] Mos thuaj: "Ashtu si ma bëri mua, kështu do t'ia bëj edhe unë; do t'ia kthej simbas sjelljes së tij".

[30] Kalova pranë arës së përtacit dhe pranë vreshtit të njeriut që s'ka mend;

[31] dhe ja, kudo rriteshin ferrat, ferrishtet e zinin tokën dhe muri prej gurësh ishte shembur.

[32] Duke parë këtë, u mendova me kujdes; nga sa pashë nxora një mësim:

[33] të flesh pak, të dremitësh pak, të rrish pak me duar në ije për të pushuar;

[34] kështu varfëria jote do të vijë si një vjedhës dhe skamja jote si një njeri i armatosur.

Fjalët e urta — Chapters