Skip to content
Opens in a new window

[1] Biri im, ki kujdes për diturinë time, vëri veshin arsyetimit tim,

[2] me qëllim që ti të ruash gjykimin dhe buzët e tua të fiksojnë diturinë.

[3] Sepse buzët e gruas që shkel kurorën nxjerrin mjaltë dhe goja e saj është më e butë se vaji;

[4] por në fund ajo është e hidhur si pelini, e mprehtë si një shpatë me dy presa.

[5] Këmbët e saj zbresin drejt vdekjes, hapat e saj çojnë drejtpërdrejt në Sheol.

[6] Ajo nuk ecën në shtegun e jetës, por ti nuk i jep rëndësi kësaj gjëje; rrugët e saj janë të gabuara, por ti nuk e kupton.

[7] Prandaj tani, bij të mi, më dëgjoni dhe mos u largoni nga fjalët e gojës sime.

[8] Mbaje larg prej saj rrugën tënde dhe mos iu afro portës së shtëpisë së saj,

[9] për të mos ua dhënë të tjerëve fuqinë tënde dhe vitet e tua dikujt që nuk ka mëshirë.

[10] Me qëllim që të huajt të mos ngopen me pasurinë tënde, dhe mundi yt të mos shkojë në shtëpinë e një të huaji,

[11] dhe të mos rënkosh kur do të të vijë fundi, kur mishi dhe trupi yt do të jenë të konsumuar,

[12] dhe të thuash: "Vallë si urreva mësimin, dhe si e ka përçmuar qortimin zemra ime?

[13] Nuk dëgjova zërin e atyre që më mësonin dhe nuk ua vura veshin atyre që më udhëzonin.

[14] U ndodha pothuajse në një të keqe të plotë në mes të turmës dhe të kuvendit".

[15] Pi ujin e sternës sate dhe ujin e rrjedhshëm të pusit tënd.

[16] A duhet burimet e tua të derdhen jashtë, si rrëke uji nëpër rrugë?

[17] Qofshin vetëm për ty dhe jo për të huajtë bashkë me ty.

[18] Qoftë i bekuar burimi yt dhe gëzohu me nusen e rinisë sate.

[19] Drenushë e dashur dhe gazelë hirplotë, sisët e saj le të të kënaqin kurdoherë, dhe qofsh vazhdimisht i dhënë pas dashurisë që ke për të.

[20] Pse vallë, biri im, të biesh në dashuri me një grua që ka shkelur kurorën dhe të rrokësh gjirin e një të huaje?

[21] Sepse rrugët e njeriut janë gjithnjë përpara syve të Zotit, dhe ai vëzhgon të gjitha shtigjet e tij.

[22] I pabesi zihet nga vetë paudhësitë e tij dhe mbahet nga litarët e mëkatit të tij.

[23] Ai ka për të vdekur sepse nuk korrigjohet dhe do të zhduket për shkak të marrëzisë së tij.

Fjalët e urta — Chapters