[1] Gruaja e urtë ndërton shtëpinë e saj, por budallaqja e shkatërron me duart e veta.
[2] Kush ecën në drejtësinë e tij ka frikë nga Zoti, por ai që çoroditet në rrugët e tij e përçmon atë.
[3] Në gojën e budallait gjejmë farën e kryelartësisë, por të urtët e ruajnë gojën e tyre.
[4] Aty ku nuk ka qe grazhdi është bosh, por bollëku i korrjes qëndron në forcën e kaut.
[5] Dëshmitari i ndershëm nuk gënjen, por dëshmitari i rremë thotë gënjeshtra.
[6] Tallësi kërkon diturinë dhe nuk e gjen, por dija është një gjë e lehtë për atë që ka mend.
[7] Largohu nga njeriu budalla sepse nuk do të gjesh dituri mbi buzët e tij.
[8] Dituria e njeriut të matur qëndron në të dalluarit e rrugës së tij, por marrëzia e budallenjve është mashtrim.
[9] Budallenjtë qeshin me mëkatin, por midis njerëzve të drejtë është falja.
[10] Zemra njeh trishtimin e vet, por një i huaj nuk mund të marrë pjesë në gëzimin e saj.
[11] Shtëpia e të pabesëve do të shkatërrohet, por çadra e njerëzve të drejtë do të lulëzojë.
[12] Éshtë një rrugë që njeriut i duket e drejtë, por në fund ajo të nxjerr në rrugët e vdekjes.
[13] Edhe kur qesh, zemra mund të jetë e pikëlluar, dhe vetë gëzimi mund të përfundojë në vuajtje.
[14] Zemërpërdali do të ngopet me rrugët e tij, dhe njeriu i mirë do të ngopet me frytet e tij.
[15] Budallai i beson çdo fjale, por njeriu i matur tregon kujdes të veçantë për hapat e tij.
[16] Njeriu i urtë i trëmbet së keqes dhe largohet prej saj, por budallai zemërohet dhe është fodull.
[17] Ai që zemërohet me lehtësi kryen marrëzi dhe njeriu që ka qëllime të këqija është i urryer.
[18] Teveqelit e trashëgojnë budallallëkun, por njerëzit e matur kurorëzohen me dije.
[19] Njerëzit e këqij do të përkulen përpara njerëzve të mirë dhe të pabesët në portat e të drejtëve.
[20] Të varfërin e urren vetë miku i tij, por i pasuri ka shumë miklues.
[21] Kush përçmon të afërmin e vet, mëkaton, por ai që ka mëshirë për të varfërit është i lumtur.
[22] A nuk devijojnë, vallë nga rruga e drejtë ata që kurdisin të keqen? Por ata që mendojnë të mirën kanë për të gjetur mirësi dhe të vërtetën.
[23] Në çdo mundim ka një fitim, por fjalët e kota çojnë vetëm në varfëri.
[24] Kurora e njerëzve të urtë është pasuria e tyre, por marrëzia e budallenjve është marrëzi.
[25] Një dëshmitar që thotë të vërtetën shpëton jetën e njerëzve, por një dëshmitar i rremë thotë gënjeshtra.
[26] Në frikën e Zotit gjendet një siguri e madhe, dhe bijtë e tij do të kenë një vend strehimi.
[27] Frika e Zotit është një burim jete, që i shmang leqet e vdekjes.
[28] Lavdia e mbretit qëndron në turmën e popullit, por shkatërrimi i princit qëndron në mungesën e njerëzve.
[29] Kush është i ngadalshëm në zemërim është shumë i matur, por ai që rrëmbehet me lehtësi vë në dukje marrëzinë e tij.
[30] Një zemër e shëndoshë është jetë për trupin, por lakmia është krimbi brejtës i kockave.
[31] Kush shtyp të varfërin fyen rëndë atë që e ka bërë, por ai që ka mëshirë për nevojtarin e nderon atë.
[32] I pabesi përmbyset nga vetë ligësia e tij, por i drejti ka shpresë në vetë vdekjen e tij.
[33] Dituria prehet në zemrën e atij që ka mend, por ajo që është në zemrën e budallenjve merret vesh.
[34] Drejtësia e larton një komb, por mëkati është turpi i popujve.
[35] Dashamirësia e mbretit është për shërbëtorin që vepron me urtësi, por zemërimi i tij është kundër atij që sillet me paturpësi.