[1] Kështu e prunë arkën e Perëndisë dhe e vendosën në mes të tabernakullit që Davidi kishte ngritur për të; pastaj ofruan olokauste dhe flijime falenderimi përpara Perëndisë.
[2] Kur Davidi mbaroi së ofruari olokaustet dhe flijimet e falenderimit, ai bekoi popullin në emër të Zotit;
[3] pastaj u ndau tërë Izraelitëve, burra dhe gra, secilit prej tyre një bukë, një racion mish dhe një sasi rrushi të thatë.
[4] Pastaj vendosi përpara arkës të Zotit disa Levitë për të kryer shërbimin për të kujtuar, për të falenderuar dhe për të lëvduar Zotin, Perëndinë e Izraelit;
[5] Asafi, i pari, Zakaria i dyti mbas tij, pastaj Jeieli, Shemiramothi, Jehieli, Matithiahu, Eliabi, Benajahu, Obed-Edomi dhe Jejeli. Ata u binin harpave dhe qesteve, ndërsa Asafi u binte cembaleve.
[6] Priftërinjtë Benajah dhe Jahaziel përkundrazi i binin trombës vazhdimisht përpara arkës së besëlidhjes së Perëndisë.
[7] Atë ditë Davidi u besoi për herë të parë Asafit dhe vëllezërve të tij detyrën që të këndonin lëvdata Zotit.
[8] Kremtoni Zotin, kujtoni emrin e tij; bëjini të njohura veprat e tij midis popujve.
[9] Këndojini atij, lëvdoheni, mendoni të gjitha mrekullitë e tij.
[10] Lëvdohuni me emrin e tij të shenjtë; u gëzofshin zemrat e të gjithë atyre që kërkojnë Zotin!
[11] Kërkoni Zotin dhe forcën e tij, kërkoni vazhdimisht fytyrën e tij!
[12] Kujtoni mrekullitë që ka bërë, çuditë e tij dhe gjykimet që kanë dalë nga goja e tij,
[13] ju, o stermpa të Izraelit, shërbëtorit të tij, o bij të Jakobit, të zgjedhurit e tij!
[14] Ai është Zoti, Perëndia ynë; gjykimet e tij i gjejmë mbi të gjithë tokën.
[15] Mos harroni kurrë besëlidhjen e tij, fjalën e tij të urdhëruar për një mijë breza,
[16] besëlidhjen e lidhur me Abrahamin, betimin që i ka bërë Isakut,
[17] që ia konfirmoi Jakobit si një statut dhe Izraelit si një besëlidhje të përjetshme,
[18] duke thënë: "Unë do t'ju jap vendin e Kanaanit si pjesë e trashëgimisë suaj".
[19] kur nuk ishin veçse një numër i vogël, fare i pakët dhe të huaj në vend.
[20] Kur shkonin nga një komb në një tjetër, nga një mbretëri në një popull tjetër,
[21] ai nuk lejoi që ndokush t'i shtypte; përkundrazi dënoi disa mbretër për dashurinë që ushqente për ta,
[22] duke thënë: "Mos prekni të vajosurit e mi dhe mos u bëni asnjë të keqe profetëve të mi".
[23] Këndojini Zotit, o banorë të të gjithë tokës, lajmëroni çdo ditë shpëtimin e tij!
[24] Shpallni lavdinë e tij midis kombeve dhe mrekullitë e tij midis tërë popujve!
[25] Sepse Zoti është i madh dhe i denjë të lëvdohet në kulm; ai është me friksuësi nga tërë perënditë.
[26] Sepse tërë perënditë e kombeve janë idhuj, kurse Zoti ka krijuar qiejtë.
[27] Shkëlqimi dhe madhëria janë para tij, forca dhe gëzimi ndodhen në banesën e tij.
[28] Jepini Zotit, o familje të popujve, jepini Zotit lavdi dhe forcë.
[29] Jepini Zotit zulmin që i takon emrit të tij, çojini oferta dhe ejani para tij. Bini përmbys para Zotit në shkëlqimin e shenjtërisë së tij;
[30] dridhuni para tij, o banorë të të gjithë tokës! Po, bota është e qëndrueshme dhe nuk do të tundet.
[31] Le të gëzohen qiejtë dhe toka, dhe le të thonë kombet: "Zoti mbretëron".
[32] Le të gjëmojë deti dhe tërë ato që janë në të;
[33] atëherë tërë drurët e pyllit do të lëshojnë britma gëzimi përpara Zotit, sepse ai vjen të gjykojë tokën.
[34] Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
[35] Thoni: "Shpëtona, o Perëndi i shpëtimit tonë! Na mblidh dhe na çliro nga kombet, me qëllim që të kremtojmë emrin tënd të shenjtë dhe të mburremi se të kemi lëvduar".
[36] I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, nga amshimi në amshim! Dhe tërë populli tha: "Amen", dhe lëvdoi Zotin.
[37] Kështu Davidi la Asafin dhe vëllezërit e tij atje përpara arkës së besëlidhjes të Zotit, me qëllim që të shërbenin vazhdimisht përpara arkës, sipas nevojave të çdo dite,
[38] la edhe Obed-Edomin dhe të gjashtëdhjetë e tetë vëllezërit e tij (Obed-Edomi, bir i Jeduthunit dhe Hosahu si derëtarë),
[39] dhe priftin Tsadok dhe priftërinjtë vëllezër të tij përpara tabernakullit të Zotit, në vendin e lartë që ishte në Gabaon,
[40] me qëllim që ata t'i ofronin Zotit olokauste mbi altarin e olokausteve, vazhdimisht në mëngjes e në mbrëmje, sipas tërë atyre që janë shkruar në ligjin e Zotit, që ai ia kishte imponuar Izraelit.
[41] Dhe me ta ishin Hemani, Jeduthuni dhe të tjerët që ishin zgjedhur dhe caktuar me emër për të lëvduar Zotin, sepse mirësia e tij është e përjetshme.
[42] Me ta ishin gjithashtu Hemani dhe Jeduthuni me bori dhe cembale, për ata që do t'u binin veglave, dhe me vegla muzikore për të shoqëruar këngët e Perëndisë. Bijtë e Jeduthunit duhet të rrinin te porta.
[43] Më në fund tërë populli u kthye, secili në shtëpinë e vet, dhe Davidi u kthye për të bekuar shtëpinë e vet.