[1] Hirami, mbret i Tiros, i dërgoi Davidit lajmëtarë, dru kedri, muratorë, dhe marangozë për t'i ndërtuar një shtëpi.
[2] Atëherë Davidi e pranoi që Zoti e kishte vendosur mbret të Izraelit, sepse mbretëria e tij qe lavdëruar shumë për shkak të popullit të tij, Izraelit.
[3] Davidi u martua me gra të tjera në Jeruzalem dhe i lindën djem e vajza.
[4] Këto janë emrat e bijve që i lindën në Jeruzalem: Shamua, Shohabi, Salomoni,
[5] Ibhari, Elishua, Elpeleti,
[6] Nagahu, Nefegu, Jafia,
[7] Elishama, Beelida dhe Elifeleti.
[8] Kur Filistejtë mësuan që Davidi ishte vajosur mbret i tërë Izraelit, dolën të gjithë në kërkim të Davidit. Sa e mësoi këtë, Davidi u doli përballë.
[9] Filistejtë arritën dhe u përhapën në luginën e Refaimit.
[10] Atëherë Davidi u këshillua me Perëndinë, duke thënë: A duhet të dal kundër Filistejve? A do të m'i japësh në duart e mia?". Zoti u përgjigj: "Dil dhe unë do t'i jap në duart e tua".
[11] Ata dolën në Baal-Peratsim, ku Davidi i mundi dhe tha: "Perëndia ka hapur me duart e mia një kalim midis armiqve të mi, si një kalim i hapur nga ujërat". Prandaj i vunë këtij vendi emrin e Baal-Peratsimit.
[12] Filistejtë braktisën aty perënditë e tyre dhe Davidi urdhëroi që të digjeshin në zjarr.
[13] Më vonë Filistejtë filluan të shpërndahen nëpër luginë.
[14] Davidi u këshillua përsëri me Perëndinë, dhe Perëndia i tha: "Mos u dil prapa, por merru krahët dhe sulu mbi ta përballë ballsameve.
[15] Kur të dëgjosh një zhurmë hapash në majat e ballsameve, hidhu menjëherë në sulm, sepse Perëndia do të të dalë përpara për të mundur ushtrinë e Filistejve".
[16] Davidi bëri ashtu siç e kishte urdhëruar Perëndia, dhe ata mundën ushtrinë e Filistejve nga Gabaoni deri në Gezer.
[17] Kështu fama e Davidit u përhap në të gjitha vendet, dhe Zoti solli tmerrin e tij mbi të gjitha kombet.