Skip to content
Opens in a new window

[1] Atëherë tërë Izraeli u mblodh rreth Davidit në Hebron dhe i tha: "Ja, ne jemi kocka dhe mishi yt".

[2] Edhe në të kaluarën, kur ishte mbret Sauli, ti ishe ai që udhëhiqte dhe kthente pas Izraelin; dhe Zoti, Perëndia yt, të pati thënë: "Ti do të ushqesh popullin tim të Izraelit, ti do të jesh princ mbi popullin tim të Izraelit"".

[3] Kështu tërë pleqtë e Izraelit erdhën te mbreti në Hebron, dhe Davidi lidhi me ta një aleancë në Hebron përpara Zotit; pastaj ata e vajosën Davidin mbret të Izraelit, sipas fjalës së shqiptuar nga Zoti me anë të Samuelit.

[4] Davidi së bashku me tërë Izraelin doli kundër Jeruzalemit, që është Jebusi, ku ndodheshin Jebusejtë, banorë të vendit.

[5] Atëherë banorët e Jebusit i thanë Davidit: "Nuk do të hysh këtu". Por Davidi pushtoi qytetin e fortifikuar të Sionit, që është qyteti i Davidit.

[6] Davidi kishte thënë: "Ai që do t'i mundë i pari Jebusejtë do të bëhet kryetar dhe princ". Doli i pari Joabi, bir i Tserujahut, që u bë kështu kryetar.

[7] Davidi u vendos pastaj në kalanë që u quajt për këtë arsye "qyteti i Davidit".

[8] Pastaj ai bëri ndërtime përreth qytetit nga Milo dhe në gjithë perimetrin e tij; Joabi meremetoi pjesën tjetër të qytetit.

[9] Kështu Davidi bëhej gjithnjë e më i madh dhe Zoti i ushtrive ishte me të.

[10] Këta janë komandantët e luftëtarëve trima që ishin në shërbim të Davidit dhe që i dhanë përkrahje të madhe me gjithë Izraelin në mbretërinë e tij për ta bërë mbret sipas fjalës të Zotit lidhur me Izraelin.

[11] Kjo është lista e luftëtarëve trima që ishin në shërbim të Davidit: Jashobeami, bir i një Hakmoniti, komandant i tridhjetë kapedanëve; ai rroku ushtën kundër treqind njerëzve, që i vrau në një ndeshje të vetme.

[12] Mbas tij vinte Eleazari, bir i Dodos, Ahohitit; ishte një nga tre luftëtarët trima.

[13] Ai ishte me Davidin në Pas-Damim, ku ishin mbledhur Filistejtë për të luftuar dhe ku kishte një arë plotë me elb. Populli iku me vrap përpara Filistejve,

[14] por ata u vendosën në mes të arës, e mbrojtën dhe i mundën Filistejtë; kështu Zoti realizoi fitore të madhe.

[15] Tre nga të treqind kapedanët zbritën te shkëmbi drejt Davidit, në shpellën e Adulamit, ndërsa ushtria e Filistejve kishte fushuar në luginën e Refaimit.

[16] Davidi ndodhej atëherë në kala, kurse në Betlem kishte një garnizon Filistejsh.

[17] Davidi pati një dëshirë të madhe dhe tha: "Ah, sikur dikush të më jepte të pija ujë nga pusi i Betlemit që është pranë portës!".

[18] Kështu këta të tre çanë nëpër kampin e Filistejve dhe mbushën ujë nga pusi i Betlemit që ndodhej te porta; pastaj e morën dhe ia çuan Davidit. Por Davidi nuk desh ta pinte, por e derdhi si libacion përpara Zotit,

[19] duke thënë: "Të më ruajë Perëndia nga kryerja e një gjëje të tillë! A mund ta pij unë gjakun e këtyre njerëzve, që kanë rrezikuar jetën e tyre? Sepse e kanë sjellë duke rrezikuar jetën e tyre". Dhe nuk deshi ta pinte. Kështu vepruan këta tre trima.

[20] Abishai, vëllai i Joabit, ishte i pari i tre të tjerëve. Ai drejtoi ushtën e tij kundër treqind njerëzve dhe i vrau; kështu u bë i famshëm midis të treve.

[21] U bë më i njohur midis të treve dhe për këtë arësye u bë i pari i tyre, por nuk arriti të barazohet me tre të parët.

[22] Benajahu, bir i Jehojadit, birit të një trimi nga Kabtseeli, bëri trimëri të madhe. Ai vrau dy heronjtë e Moabit, që ishin si luanë. Zbriti edhe në mes të një sterne, ku vrau një luan një ditë që binte borë.

[23] Vrau edhe një Egjiptas vigan, i lartë pesë kubitë, që kishte në dorë një shtizë të ngjashme me shulin e një endësi; por Benajahu i doli kundra me një bastun, i rrëmbeu me forcë nga duart Egjiptasit shtizën dhe e vrau me shtizën e tij.

[24] Këto gjëra bëri Benajahu, bir i Jehojadit, dhe u bë i famshëm midis tre trimave.

[25] Ishte më i shquari i të tridhjetëve, por nuk arriti të barazoht me tre të parët. Davidi e vuri në krye të rojeve të tij personale.

[26] Njerëz të tjerë të fortë dhe trima ishin: Asaheli, vëllai i Joabit, Elhanani, bir i Dodos, nga Betlemi,

[27] Shamothi nga Harori, Heletsi nga Peloni,

[28] Ira, bir i Ikeshit nga Tekoa, Abiezeri nga Anathothi,

[29] Sibekai nga Husha, Ilai, nga Ahoa,

[30] Maharai nga Netofa, Heledi, bir i Baanahut nga Netofa;

[31] Ithai, bir i Ribait, i Gibeahut të bijve të Beniaminit, Benajahu nga Pirathoni,

[32] Hurai nga Nahale-Gaashi, Abieli nga Arbathi,

[33] Azmavethi nga Baharumi, Eliahba nga Shaalboni.

[34] Bijtë e Hashemit nga Gizoni, Jonathani, bir i Shageut nga Harari,

[35] Haiami, bir i Sakarit, nga Harari; Elifali, bir i Urit,

[36] Heferi nga Mekrea, Ahijahu nga Paloni,

[37] Hetsro nga Karmeli, Naarai, bir i Ezbait,

[38] Joeli, vëllai i Nathanit, Mibhari, bir i Hagrit,

[39] Amoniti Tselek, Naharai nga Berothi (shqytar i Joabit, birit të Tserujahut),

[40] Ira nga Jetheri, Garebi nge Jetheri,

[41] Uria, Hiteu, Zabadi, bir i Ahlait,

[42] Adina, bir i Shizës, Rubenit (i pari i Rubenitëve) dhe tridhjetë të tjerë bashkë me të,

[43] Hanani, bir i Maakahut, Joshafati nga Mithni;

[44] Uzia nga Ashtarothi, Shama dhe Jejeli, bij të Hothamit nga Aroeri,

[45] Jediaeli, bir i Shimrit dhe Titsiti Joha, vëllai i tij,

[46] Elieli nga Mahavimi, Jeribai dhe Joshaviahu, bij të Elnaamit, dhe Ithmah, Moabiti,

[47] Elieli, Obedi dhe Jaasieli, Metsobaiti.

1 i Kronikave — Chapters