Skip to content
Opens in a new window

[1] Pastaj nisi përsëri të mësojë në breg të detit; dhe rreth tij u mblodh një turmë aq e madhe, sa që ai hyri në barkë dhe rrinte ulur në det, ndërsa gjithë turma ishte në tokë pranë detit.

[2] Dhe ai u mësonte atyre shumë gjëra në shëmbëlltyra, dhe u thoshte atyre në mësimin e tij:

[3] ''Dëgjoni! Ja, doli mbjellësi të mbjellë.

[4] Dhe ndodhi që kur hidhte farën, një pjesë e farës ra gjatë rrugës dhe zogjtë e qiellit erdhën dhe e hëngrën.

[5] Një pjesë tjetër ra në gurishte, ku nuk kishte shumë dhe dhe mbiu menjëherë, sepse s'kishte një tokë të thellë.

[6] Por, kur doli dielli, u dogj; dhe me që nuk kishte rrënjë, u tha.

[7] Një pjesë tjetër ra midis ferrave; ferrat u rritën, e mbyten dhe nuk dha fryt.

[8] Një pjesë tjetër ra në tokë të mirë, dhe solli frut që rritej, dhe u zhvillua për të dhënë njëra tridhjetë, tjetra gjashtëdhjetë dhe tjetra njëqind''.

[9] Pastaj ai u tha atyre: ''Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!''.

[10] Tani kur ishte vetëm, ata që i rrinin përreth bashkë me të dymbëdhjetët e pyetën për shëmbëlltyrën.

[11] Dhe ai u tha atyre: ''Juve u është dhënë të njihni misterin e mbretërisë së Perëndisë; kurse atyre që janë përjashta të gjitha këto jepen me shëmbëlltyra,

[12] që: "Duke parë, të shohin, por të mos vën re; edhe duke dëgjuar, të dëgjojnë, por të mos kuptojnë, se mos pendohen dhe mëkatet u falen"''.

[13] Pastaj u tha atyre: ''Nuk e kuptoni këtë shëmbëlltyrë? Po atëhere si do t'i kuptoni të gjitha shëmbëlltyrat e tjera?

[14] Mbjellësi mbjell fjalën.

[15] Ata gjatë rrugës janë ata në të cilët mbillet fjala; por pasi e kanë dëgjuar atë, vjen menjëherë Satanai dhe ua heq fjalën e mbjellë në zemrat e tyre.

[16] Po ashtu ata që e marrin farën mbi nje gurishte janë ata që, kur e kanë dëgjuar fjalën, e pranojnë menjëherë me gëzim;

[17] por nuk kanë rrënjë në vetvete, dhe janë të përkohshëm; dhe kur vjen mundimi ose përndjekja për shkak të fjalës, skandalizohen menjëherë.

[18] Ata përkundrazi të cilët e marrin farën midis ferrave, janë ata që e dëgjojnë fjalën,

[19] por shqetësimet e kësaj bote, mashtrimet e pasurisë dhe lakmitë për gjëra të tjera që hynë, e mbyten fjalën dhe ajo bëhet e pafrytshme.

[20] Kurse ata që e morën farën në tokë të mirë, janë ata që e dëgjojnë fjalën, e pranojnë dhe japin fryt: një tridhjetë, tjetri gjashtëdhjetë dhe tjetri njëqind''.

[21] Pastaj u tha atyre: ''A merret vallë llamba për ta vënë nën babunë ose nën shtrat? A nuk vihet mbi dritëmbajtësen?

[22] Sepse nuk ka asgjë të fshehtë që të mos zbulohet, as kurrgjë sekrete që të mos dalin në dritë.

[23] Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!''

[24] Dhe u tha atyre: ''Vini re atë që dëgjoni. Me atë masë që ju matni, do t'iu matet juve; edhe juve që dëgjoni do t'iu jepet edhe më.

[25] Sepse atij që ka, do t'i jepet, por atij që s'ka, do t'i merret edhe ajo që ka.

[26] Tha akoma: ''Mbretëria e Perëndisë është si një njeri që hedh farën në dhe.

[27] Dhe natën dhe ditën, ndërsa ai fle dhe çohet, fara mbin dhe rritet, pa e ditur ai se si.

[28] Sepse dheu prodhon vetvetiu më parë kërcellin, pastaj kallirin, dhe më në fund kallirin plot me kokrra.

[29] Dhe kur fryti piqet, menjëherë korrësi i vë drapërin, sepse erdhi koha e korrjes.

[30] Edhe tha: Me se ta krahasojmë mbretërinë e Perëndisë? Ose me çfarë shëmbëlltyre ta paraqesim?

[31] Ajo i ngjan farës së sinapit, që, kur është mbjellë në dhe, është më e vogla nga të gjitha farërat që janë mbi dhe;

[32] por, pasi mbillet, rritet dhe bëhet më e madhe se të gjitha barishtet; dhe lëshon degë aq të mëdha, sa zogjtë e qiellit mund të gjejnë strehë nën hijen e saj''.

[33] Dhe me shumë shëmbëlltyra të tilla, u shpallte atyre fjalën, ashtu si ata ishin në gjendje ta kuptojnë.

[34] Dhe nuk u fliste atyre pa shëmbëlltyra, ndërsa dishepujve të tij, veçmas, u shpjegonte çdo gjë.

[35] Tani po atë ditë, si u ngrys, u tha atyre: ''Kalojmë te bregu matanë!

[36] Dhe dishepujt, si e nisën popullin, e morrën me vete Jezusin, ashtu si ishte, në barkë. Me të ishin edhe disa barka të tjera të vogla.

[37] Ndërkaq shpërtheu një furtunë e madhe dhe valët përplaseshin mbi barkë aq shumë sa ajo po mbushej.

[38] Ai ndërkaq po flinte në kiç mbi një jastëk. Ata e zgjuan dhe i thanë: ''Mësues, a nuk merakosesh që ne po marrim fund?''.

[39] Dhe ai si u zgjua, e qortoi erën dhe i foli detit: ''Pusho dhe fashitu!''. Dhe era pushoi dhe u bë qetësi e madhe.

[40] Atëherë u tha atyre: ''Pse jeni ju aq frikacakë? Vallë, si nuk keni besim?''.

[41] Dhe ata i zuri një frikë e madhe dhe i thoshnin njëritjetrit: ''Vallë, kush është ky, që po i binden edhe era edhe deti?''.

Marku — Chapters