[1] Fillimi i Ungjillit të Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë.
[2] Ashtu si është shkruar tek profetët: ''Ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim para fytyrës tënde, i cili do të përgatit udhën tënde përpara teje.
[3] Ka një zë që bërtet në shkretëtirë: "Përgatitni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij"''.
[4] Gjoni erdhi në shkretëtirë duke pagëzuar dhe duke predikuar një pagëzim pendese për faljen e mëkateve.
[5] Dhe gjithë vendi i Judës dhe ata nga Jeruzalemi shkonin tek ai, dhe pagëzoheshin të gjithë nga ai në lumin Jordan, duke rrëfyer mëkatet e tyre.
[6] Por Gjoni ishte i veshur me lesh deveje, mbante një brez lëkure përreth ijëve dhe ushqehej me karkaleca dhe me mjaltë të egër.
[7] Ai predikonte duke thënë: ''Pas meje po vjen një që është më i fortë se unë. Unë nuk jam i denjë as të ulem para tij për t'i zgjidhur lidhësat e sandaleve të tij.
[8] Unë ju pagëzova me ujë, ndërsa ai do t'ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë''.
[9] Dhe ndodhi në ato ditë që Jezusi erdhi nga Nazareti i Galilesë dhe u pagëzua nga Gjoni në Jordan.
[10] Dhe menjëherë, kur po dilte nga uji, pa se qiejtë po hapeshin dhe Fryma po zbriste mbi të si një pëllumb.
[11] Dhe një zë erdhi nga qielli: ''Ti je Biri im i dashur në të cilin jam kënaqur.
[12] Fill pas kësaj, Fryma e Shenjtë e çoi në shkretëtirë;
[13] dhe qëndroi në shkretëtirë dyzet ditë, i tunduar nga Satanai. Ishte bashkë me bishat dhe engjëjt i shërbenin.
[14] Dhe mbasi e burgosën Gjonin, Jezusi erdhi në Galile duke predikuar ungjillin e mbretërisë së Perëndisë,
[15] dhe duke thënë: ''U mbush koha dhe mbretëria e Perëndisë është afër. Pendohuni dhe besoni ungjillin''.
[16] Ndërsa po kalonte gjatë bregut të detit të Galilesë, ai pa Simonin dhe Andrean, vëllanë e tij, të cilët po hidhnin rrjetën në det sepse ishin peshkatarë.
[17] Dhe Jezusi u tha atyre: ''Ndiqmëni dhe unë do t'ju bëj peshkatarë njerëzish''.
[18] Dhe ata i lanë menjëherë rrjetat dhe e ndoqën.
[19] Mbasi eci edhe pak, pa Jakobin, bir in e Zebedeut dhe Gjonin, vëllanë e tij, të cilët ndreqnin rrjetat e tyre në barkë.
[20] Dhe i thirri menjëherë; dhe ata e lanë atin e tyre Zebedeun në barkë me mëditësit dhe e ndoqën.
[21] Pastaj hynë në Kapernaum dhe menjëherë, ditën e shtunë, ai hyri në sinagogë dhe i mësonte njerëzit.
[22] Dhe njerëzit habiteshin nga doktrina e tij, sepse ai i mësonte si një që ka pushtet dhe jo si skribët.
[23] Atëherë në sinagogën e tyre ishte një njeri i pushtuar nga një frymë e ndyrë, i cili filloi të bërtasë,
[24] duke thënë: ''Ç'ka midis nesh dhe teje, o Jezus Nazareas? A erdhe të na shkatë-rrosh? Unë e di kush je: I Shenjti i Perëndisë''.
[25] Por Jezusi e qortoi duke thënë: ''Hesht dhe dil prej tij!''.
[26] Dhe fryma e ndyrë, mbasi e sfiliti, dhe duke lëshuar një britmë të madhe doli prej tij.
[27] Dhe të gjithë u mahnitën aq shumë sa pyesnin njeri tjetrin duke thënë: ''Vallë ç'është kjo? Cfarë doktrinë e re qënka kjo? Ky i urdhëroka me autoritet edhe frymërat e ndyra, dhe ata i binden''.
[28] Dhe fama e tij u përhap menjëherë në mbarë krahinën përreth Galilesë.
[29] Sapo dolën nga sinagoga, erdhën në shtëpinë e Simonit dhe të Andreas, me Jakobin dhe Gjonin.
[30] Vjehrra e Simonit ishte në shtrat me ethe dhe ata menjëherë i folën për të.
[31] Atëhërë ai u afrua, e kapi për dore dhe e ngriti. Menjëherë ethet e lanë dhe ajo nisi t'u shërbejë.
[32] Në mbrëmje, pas perëndimit të diellit, i prunë të gjithë të sëmurit dhe të idemonizuarit.
[33] Dhe gjithë qyteti ishte mbledhur përpara derës.
[34] Ai shëroi shumë, që lëngonin nga sëmundje të ndryshme, dhe dëboi shumë demonë; dhe nuk i lejoi demonët të flasin, sepse ata e njihnin.
[35] Pastaj, të nesërmen në mëngjes, kur ende ishte shumë errët, Jezusi u ngrit, doli dhe shkoi në një vend të vetmuar dhe atje u lut.
[36] Dhe Simoni dhe ata që ishin me të e kërkonin.
[37] Dhe, kur e gjetën, i thanë: ''Të gjithë po të kerkojnë!''.
[38] Dhe ai u tha atyre: ''Lë të shkojmë në fshatrat e afërm që të predikoj edhe atje, sepse për këtë kam ardhur''.
[39] Dhe ai e përshkoi gjithë Galilenë duke predikuar nëpër sinagogat e tyre dhe duke dëbuar demonët.
[40] Dhe erdhi tek ai një lebroz i cili, duke iu lutur, ra në gjunj dhe i tha: ''Po të duash, ti mund të më pastrosh''.
[41] Dhe Jezusi, duke e mëshiruar, shtriu dorën, e preku dhe i tha: ''Po, e dua, qofsh pastruar!''.
[42] Dhe, posa tha këto, menjëherë lebra e la dhe u shërua.
[43] Pastaj, mbasi e paralajmëroi rreptësisht, menjëherë e largoi,
[44] duke i thënë: ''Ruhu se i tregon gjë ndokujt, por shko, paraqitu te prifti dhe ofro për pastrimin tënd sa ka urdhëruar Moisiu, si dëshmi për ta''.
[45] Por ai, sapo doli, filloi ta shpallë dhe ta përhapë fort faktin, sa që Jezusi nuk mund të hynte më publikisht në qytet, por qëndronte përjashta nëpër vende të vetmuara; dhe nga çdo anë vinin tek ai.