Skip to content
Opens in a new window

[1] Pastaj ai hyri përsëri në sinagogë dhe aty ishte një njeri që kishte një dorë të tharë.

[2] Dhe ata po e ruanin në se do ta shëronte në ditën e së shtunës, që pastaj ta paditnin.

[3] Dhe ai i tha njeriut që e kishte dorën të tharë: ''Çohu në mes të të gjithëve!''.

[4] Dhe u tha atyre: ''A është e lejueshme ditën e së shtunës të bësh të mirë apo të keqe, të shpëtosh një jetë apo ta vrasësh?''. Por ata heshtnin.

[5] Atëherë ai, si i shikoi rreth e qark me zemërim, i hidhëruar për ngurtësinë e zemrës së tyre, i tha atij njeriu: ''Shtrije dorën tënde!''. Ai e shtriu, dhe dora e tij u shëndosh përsëri si tjetra.

[6] Dhe farisenjtë dolën jashtë e menjëherë bënin këshill bashkë me herodianët kundër tij, se si ta vrasin.

[7] Por Jezusi me dishepujt e vet u tërhoq drejt detit; dhe një turmë e madhe nga Galilea i ndoqi; edhe nga Judea;

[8] dhe nga Jeruzalemi, nga Idumea, nga përtej Jordanit; gjithashtu një turmë e madhe nga rrethinat Etiros dhe të Sidonit, kur dëgjoi gjërat e medha që ai bënte, erdhi tek ai.

[9] Atëherë ai u tha dishepujve të tij të kenë gjithnjë gati një barkë, që populli mos e shtynte.

[10] Sepse ai kishte shëruar shumë veta, të gjithë që kishin sëmundje dyndeshin rreth tij që ta preknin.

[11] Dhe frymërat e ndyrë, kur e shihnin, binin përmbys para tij dhe bërtitnin, duke thënë: ''Ti je Biri i Perëndisë!''.

[12] Por ai i qortoi rreptësisht që të mos thonin se kush ishte ai.

[13] Pastaj ai u ngjit në mal dhe thirri pranë vetes ata që deshi. Dhe ata erdhën tek ai.

[14] Dhe ai i caktoi dymbëdhjetë që të rrinin me të dhe që mund t'i dërgonte të predikojnë,

[15] dhe të kishin pushtet të shëronin sëmundjet dhe të dëbonin demonët.

[16] Ata ishin: Simoni, të cilit ia vuri emrin Pjetër;

[17] Jakobi, bir i Zebedeut, dhe Gjoni, vë-llai i Jakobit, të cilave ua vuri emrin Boanerges, që do të thotë: "Bij të bubullimës";

[18] Andrea, Filipi, Bartolomeu, Mateu, Thomai, Jakobi i Alfeut, Tadeu, Simon Kananeasi,

[19] dhe Juda Iskarioti, i cili më pas e tradhëtoi.

[20] Pastaj hynë në një shtëpi. Dhe u mblodh përsëri një turmë aq e madhe, sa që as bukë s'mund të hanin.

[21] Dhe kur të afërmit e tij e morën vesh, shkuan ta marrin atë, sepse flitej: ''Nuk është në vete''.

[22] Kurse skribët, që kishin zbritur nga Jeruzalemi, thoshnin: ''Ai e ka Beelzebubin dhe i dëbon demonët me princin e demonëve''.

[23] Por ai i thirri pranë vetes dhe u foli me anë të shëmbëlltyrave: ''Si mund Satanai të dëbojë Satananë?

[24] Në qoftë se një mbretëri është përçarë kundër vetvetes, ajo mbretëri nuk mund të qëndrojë.

[25] Dhe në qoftë se një shtëpi përçahet kundër vetvetes, ajo shtëpi nuk mund të qëndrojë.

[26] Kështu, në se Satanai ngrihet kundër vetvetes dhe është përçarë, nuk mbahet dot, por i erdhi fundi!

[27] Askush nuk mund të hyjë në shtëpinë e njeriut të fortë dhe t'ia grabitë pasuritë e tij, pa e lidhur më parë njeriun e fortë; vetëm atëherë mund t'ia plaçkitë shtëpinë.

[28] Në të vërtetë po ju them se bijve të njerëzve do t'u falet çfarëdo mëkat dhe çdo blasfemi që do të thonë;

[29] po për atë që do të blasfemojë kundër Frymës së Shenjtë nuk do të ketë falje përjetë; ai është fajtor për dënim të përjetshëm''.

[30] Sepse ata thoshnin: ''Ai ka një frymë të ndyrë!''.

[31] Ndërkaq erdhën vëllezërit e tij dhe e ëma dhe, si ndaluan përjashta, dërguan ta thërrasin.

[32] Turma ishte ulur përreth tij; dhe i thanë: ''Ja, nëna jote dhe vëllezërit e tu janë përjashta dhe po të kërkojnë''.

[33] Por ai u përgjigj atyre duke thënë: ''Kush është nëna ime, ose vëllezërit e mi?''.

[34] Pastaj duke vështruar rreth e qark mbi ata që ishin ulur rreth tij, tha: ''Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi!

[35] Sepse kushdo që bën vullnetin e Perëndisë, ai është vëllai im, motra ime dhe nëna!''.

Marku — Chapters