[1] Mbasi u nis prej andej, Jezusi shkoi në krahinën e Judesë gjatë Jordanit dhe përsëri u mblodhën rreth tij turma; ai përsëri filloi t'i mësojë, siç e kishte zakon.
[2] Dhe farisenjtë, për ta vënë në provë, e pyetën: ''A është e ligjshme që burri ta lë gruan?''.
[3] Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: ''Çfarë ju ka urdhëruar Moisiu?''.
[4] Ata thanë: ''Moisiu ka lejuar të shkruhet letra e shkurorëzimit dhe ta lësh gruan''.
[5] Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: ''Për shkak të ngurtësisë së zemrës suaj ai e shkroi atë rregull;
[6] por në fillim të krijimit, Perëndia i bëri mashkull e femër.
[7] Për këtë arsye njeriu do ta braktisë babanë e tij dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij;
[8] dhe të dy do të jenë një mish i vetëm; kështu nuk janë më dy, por një mish i vetëm.
[9] Prandaj njeriu të mos ndajë atë që Perëndia e ka bashkuar!''.
[10] Dhe në shtëpi dishepujt e vet e pyetën përsëri për këtë çështje.
[11] Atëherë ai u tha atyre: ''Ai që lë gruan e vet dhe martohet me një tjetër, shkel kurorën me të.
[12] Po ashtu, nëse gruaja lë burrin e vet dhe martohet me një tjetër, shkel kurorën.
[13] Atëherë i prunë disa fëmijë të vegjël që ai t'i prekte ata; por dishepujt i qortonin ata që i prunë.
[14] Kur Jezusi e pa këtë, i indinjuar, u tha atyre: ''I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë dhe mos i pengoni, sepse e tyre është mbretëria e Perëndisë.
[15] Në të vërtetë po ju them se kushdo që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë i vogël, nuk do të hyjë në të''.
[16] Dhe, si i mori në krahë, i bekoi duke vënë duart mbi ta.
[17] Tani kur po bëhej gati për rrugë, i doli përpara dikush me vrap; u gjunjëzua para tij dhe e pyeti: ''Mësues i mirë, çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përjetshme?''.
[18] Dhe Jezusi i tha: ''Përse më quan i mirë? Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi, domethënë Perëndisë.
[19] Ti i njeh urdhërimet: "Mos shkel kurorën. Mos vrit. Mos vidh. Mos bëj dëshmi të rreme. Mos mashtro. Ndero atin tënd dhe nënën tënde"''.
[20] Dhe ai, duke iu përgjigjur, i tha: ''Mësues, të gjitha këto i kam zbatuar që në fëmijërinë time''.
[21] Atëherë Jezusi e vështroi në fytyrë, ndjeu dashuri për të dhe i tha: ''Një gjë të mungon; shko, shit të gjitha ato që ke dhe jepua të varfërve dhe do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja, merre kryqin tënd dhe më ndiq''.
[22] Por ai u trishtua për këto fjalë dhe u largua me keqardhje, sepse kishte shumë pasuri.
[23] Atëherë Jezusi, mbasi e hodhi vështrimin përreth, u tha dishepujve të vet: ''Sa vështirë është për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!''.
[24] Dishepujt u habitën shumë nga këto fjalë të tij. Por Jezusi foli përsëri dhe u tha atyre: ''O bij, sa e vështirë është që të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë ata që mbështeten te pasuria.
[25] Éshtë më e lehtë që një deve të kalojë nëpër vrimën e një gjilpëre, se sa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë''.
[26] Dhe ata u çuditën edhe më tepër dhe i thoshin njëri-tjetrit: ''Atëherë kush vallë mund të shpëtohet?''.
[27] Por Jezusi, duke i ngulur sytë mbi ta, u tha: ''Kjo për njerëzit është e pamundur, por jo për Perëndinë, sepse gjithçka është e mundur për Perëndinë''.
[28] Atëherë Pjetri e mori fjalën dhe tha: ''Ja, ne lamë çdo gjë dhe të kemi ndjekur''.
[29] Jezusi, duke u përgjigjur, tha: ''Në të vërtetë po ju them që nuk ka asnjeri që të ketë lënë shtëpinë, a vëllezërit a motrat, a atin, a nënën, a fëmijët ose arat për hirin tim dhe për ungjillin,
[30] që të mos marrë tani, në këtë kohë, njëqindfish shtëpi, vëllezër, motra, nëna, fëmijë e ara, së bashku me përndjekje, dhe në botën e ardhshme, jeta e përjetshme.
[31] Por shumë të parë do të jenë të fundit dhe shumë të fundit do të jenë të parët''.
[32] Ata ishin në udhëtim për t'u ngjitur në Jeruzalem, dhe Jezusi i paraprinte. Dhe ata ishin të tronditur dhe e ndiqnin me ndrojtje. Dhe ai i mblodhi përsëri të dymbëdhjetët mënjanë dhe nisi t'u thotë çfarë do t'i ndodhte:
[33] ''Ja, ne po ngjitemi në Jeruzalem dhe Biri i njeriut do t'u dorëzohet krerëve të priftërinjve dhe skribëve; dhe ata do ta dënojnë me vdekje dhe do ta dorëzojnë në duar të paganëve,
[34] të cilët do ta tallin, do ta fshikullojnë, do ta pështyjnë dhe do ta vrasin, por ai, ditën e tretë, do të ringjallet''.
[35] Atëherë Jakobi dhe Gjoni, bij të Zebedeut, iu afruan dhe i thanë: ''Mësues, ne dëshirojmë që ti të bësh për ne atë që do të të kërkojmë''.
[36] Dhe ai u tha atyre: ''Çfarë doni të bëj për ju?''
[37] Ata i thanë: ''Na lejo që të ulemi njëri në të djathtën tënde dhe tjetri në të majtën tënde në lavdinë tënde''.
[38] Dhe Jezusi u tha atyre: ''Ju nuk dini çfarë kërkoni. A mund të pini ju kupën që unë do të pi dhe të pagëzoheni me atë pagëzim me të cilin unë jam pagëzuar?''. Ata i thanë: ''Po, mundemi''.
[39] Dhe Jezusi u tha atyre: ''Vërtetë ju do të pini kupën që unë po pij dhe do të pagëzoheni me atë pagëzim me të cilin jam pagëzuar,
[40] por nuk më takon mua të vë dikë të ulet në të djathtën time ose në të majtën time, por është për ata për të cilët është përgatitur''.
[41] Kur i dëgjuan këto, të dhjetë të tjerët filluan të indinjohen kundër Jakobit dhe Gjonit.
[42] Por Jezusi i thirri pranë vetes dhe tha: ''Ju e dini që ata që konsiderohen sundues të kombeve i sundojnë ato dhe të mëdhenjtë e tyre ushtrojnë mbi to pushtetin e tyre;
[43] por kjo s'duhet të ndodhë midis jush; madje ai nga ju që do të dojë të bëhet i madh, do të jetë shërbëtori juaj;
[44] dhe kushdo nga ju që do të dojë të jetë i pari, do të jetë skllavi i të gjithëve.
[45] Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t'i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetave''.
[46] Kështu arritën në Jeriko. Kur ai po dilte nga Jeriko me dishepujt e tij dhe me një turmë të madhe, biri i Timoteut, Bartimeu i verbër, ishte ulur gjatë rrugës dhe lypte.
[47] Kur dëgjoi se ai që po kalonte ishte Jezusi Nazareas, filloi të bërtasë dhe të thotë: ''Jezus, Bir i Davidit, ki mëshirë për mua!''.
[48] Shumë e qortonin që të heshte, por ai bërtiste edhe më fort: ''Bir i Davidit, ki mëshirë për mua!''.
[49] Dhe Jezusi qëndroi dhe urdhëroi që ta thërrasin. Ata e thirrën, pra, të verbërin duke i thënë: ''Merr zemër, çohu, ai po të thërret!''.
[50] Atëherë ai hodhi tej rrobën e tij, u ngrit dhe erdhi te Jezusi.
[51] Dhe Jezusi mori fjalën dhe i tha: ''Çfarë do që unë të të bëj?''. I verbëri i tha: ''Rabboni, që të më kthehet të parit!''.
[52] Dhe Jezusi i tha: ''Shko, besimi yt të shëroi''. Dhe në çast atij iu kthye të parit dhe nisi të ndjekë Jezusin në udhë.