Skip to content
Opens in a new window

[1] Ndërsa ai po dilte nga tempulli, një nga dishepujt e vet i tha: ''Mësues, shih ç'gurë e ç'ndërtesa!''.

[2] Dhe Jezusi duke iu përgjigjur i tha: ''A po i shikon këto ndërtesa të mëdha? Nuk do të mbetet gur mbi gur pa u rrënuar''.

[3] Dhe pasi ai ishte ulur mbi malin e Ullinjve përballë tempullit, Pjetri, Jakobi, Gjoni dhe Andrea e pyetën veçmas:

[4] ''Na thuaj, kur do të ndodhin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja e kohës në të cilën të gjitha këto gjëra do të duhet të mbarohen?''.

[5] Dhe Jezusi duke u përgjigjur atyre nisi të flasë: ''Kini kujdes që të mos ju mashtrojë njeri.

[6] Sepse do të vijnë shumë në emrin tim duke thënë: "Unë jam!"; dhe do të mashtrohen shumë veta.

[7] Por, kur të dëgjoni të flitet për luftëra dhe për ushtime luftërash, mos u shqetësoni; sepse këto gjëra duhet të ndodhin; por nuk do të jetë ende mbarimi.

[8] Në fakt do të ngrihet kombi kundër kombit dhe mbretëria kundër mbretërisë; do të ndodhin tërmete në vende të ndryshme, zi buke dhe turbullira. Këto gjëra nuk do të jenë tjetër veçse fillimi i dhembjeve të lindjes.

[9] Kujdesuni për veten! Sepse do t'ju dorëzojnë gjyqeve dhe do t'ju rrahin ndër sinagoga; do t'ju nxjerrin përpara guvernatorëve dhe mbretërve, për shkakun tim, që të dëshmoni përpara tyre.

[10] Por më parë duhet që t'u përhapet ungjilli gjithë popujve.

[11] Tani, kur t'ju çojnë për t'ju dorëzuar në duart e tyre, mos u shqetësoni që më parë për atë që do të duhet të thoni dhe mos e paramendoni; por thoni çfarë t'ju jepet në atë çast, sepse nuk jeni ju që flisni, por Fryma e Shenjtë.

[12] Tani vëllai do të dorëzojë vëllanë në vdekje dhe ati birin; dhe bijtë do të çohen kundër prindërve dhe do t'i bëjnë të vdesin.

[13] Dhe ju do të jeni të urryer nga të gjithë për shkak të emrit tim; por ai që do të ngulmojë deri në fund, do të shpëtohet''.

[14] Dhe kur të shihni neverinë e shkatërrimit, të parathënë nga profeti Daniel, e cila qëndron atje ku nuk duhej të ishte (ai që lexon le ta kuptojë), atëherë ata që do të jenë në Jude, le të ikin maleve.

[15] Dhe ai që ndodhet mbi çatinë e shtëpisë, të mos zbresë, dhe as të hyjë në shtëpi për të marrë ndonjë gjë nga shtëpia e vet.

[16] Dhe ai që do të jetë në arë, të mos kthehet prapa për të marrë rrobën e vet.

[17] Tani mjerë gratë shtatzëna dhe ato me fëmijë në gji në ato ditë!

[18] Dhe lutuni që ikja juaj të mos ndodhë në dimër.

[19] Sepse në atë ditë do të jetë një mundim i madh, më i madhi që ka ndodhur që nga zanafilla e krijimit që kreu Perëndia deri më sot, dhe të tillë nuk do të ketë më kurrë.

[20] Dhe, nëse Zoti nuk do t'i kishte shkurtuar ato ditë, asnjë i gjallë nuk do të shpëtonte; por Zoti i shkurtoi ato ditë për shkak të të zgjedhurve, që ai i zgjodhi.

[21] Atëherë, nëse dikush do t'ju thotë: "Ja, Krishti është këtu!"; ose "Éshtë atje", mos e besoni.

[22] Sepse do të dalin krishtër të rremë dhe profetë të rremë dhe do të bëjnë shenja e çudi për të gënjyer, po të jetë e mundur, edhe të zgjedhurit.

[23] Por ju kini kujdes; ja, unë ju paralajmërova çdo gjë''.

[24] ''Por në ato ditë, pas atij mundimi, dielli do të erret dhe hëna nuk do të japë shkëlqimin e vet;

[25] yjet e qiellit do të bien dhe fuqitë që janë në qiej do të lëkunden.

[26] Atëherë do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur në re, me pushtet të madh e me lavdi.

[27] Atëherë ai do të dërgojë engjëjt e vet dhe do t'i mbledhë të zgjedhurit e vet nga të katër erërat, nga skaji i tokës deri në skaj të qiellit.

[28] Tani mësoni nga shëmbëlltyra e fikut: kur degët e tij njomësohen dhe nxjerrin gjethe, ju e dini se vera është afër.

[29] Kështu edhe ju, kur do të shihni se po ndodhin këto gjëra, ta dini se ai është afër, madje te dera.

[30] Në të vërtetë po ju them se ky brez nuk do të kalojë, derisa e gjithë kjo të ketë ndodhur.

[31] Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë''.

[32] ''Sa për atë ditë dhe atë orë, askush nuk e di, as engjëjt në qiell, as Biri, por vetëm Ati.

[33] Tregoni kujdes, rrini zgjuar dhe lutuni, sepse nuk e dini kur do të jetë ai moment.

[34] Éshtë sikurse një njeriu i cili, duke u nisur për rrugë, lë shtëpinë e vet duke u dhënë autoritet shërbëtorëve të tij, secilit në detyrën e tij, dhe portjerin e urdhëron të rrije zgjuar.

[35] Rrini zgjuar, pra, sepse nuk e dini kur do të vijë i zoti i shtëpisë: në mbrëmje a në mesnatë, kur këndon gjeli a në mëngjes;

[36] që ai, duke u kthyer papritmas, të mos ju gjejë në gjumë.

[37] Tani, këtë që po ju them juve, ua them të gjithëve: Rrini zgjuar!''.

Marku — Chapters