[1] Dhe herët në mëngjes krerët e priftërinjve me pleqtë, skribët dhe gjithë sinedrit bënin këshill, e lidhën Jezusin e çuan jashtë e ia dorëzuan Pilatit.
[2] Dhe Pilati e pyeti: ''A je ti mbreti i Judenjve?''. Dhe ai, duke u përgjigjur, i tha: ''Ti e thua!''.
[3] Dhe krerët e priftërinjve e akuzonin për shumë gjëra; por ai nuk përgjigjej aspak.
[4] Pilati e pyeti përsëri, duke thënë: ''Nuk po përgjigjesh fare? Shih për sa gjëra të akuzojnë!''.
[5] Por Jezusi nuk u përgjigj më asgjë, aq sa Pilati mbeti i çuditur.
[6] Dhe në çdo festë ishte zakon t'u lëshohej atyre një i burgosur, këdo që ata do kërkonin.
[7] Por ishte në burg një njeri që quhej Baraba, bashkë me shokë të tjerë rebelë, të cilët kishin bërë një vrasje gjatë një kryengritjeje.
[8] Dhe turma, duke bërtitur, filloi të kërkojë që të bënte ashtu siç kishte vepruar gjithnjë për ta.
[9] Atëherë Pilati iu përgjigj atyre duke thënë: ''A doni t'ju liroj mbretin e Judenjve?''.
[10] Sepse e dinte që krerët e priftërinjve ia kishin dorëzuar nga smira.
[11] Por krerët e priftërinjve e nxitën turmën që të kërkojë që t'u lironte atyre Barabanë.
[12] Dhe Pilati e mori përsëri fjalën dhe u tha atyre: ''Çfarë doni, pra, të bëj me atë që ju e quani mbret të Judenjve?''.
[13] Dhe ata bërtitën përsëri: ''Kryqëzoje!''.
[14] Dhe Pilati u tha atyre: ''Po ç'të keqe ka bërë?''. Atëherë ata bërtitën edhe më fort: ''Kryqëzoje!''.
[15] Prandaj Pilati, duke dashur ta kënaqë turmën, ua lëshoi Barabanë. Dhe, mbasi e fshikulluan Jezusin, ua dorëzoi atyre që të kryqëzohej.
[16] Atëherë ushtarët e çuan Jezusin në oborrin e brendshëm domëthënë në pretorium, dhe mblodhën gjithë kohortën.
[17] E veshën në purpur dhe, si thurën një kurorë me ferra, ia vunë mbi krye.
[18] Pastaj nisën ta përshëndesin duke i thënë: ''Tungjatjeta, o mbret i Judenjve!''.
[19] Dhe e goditnin në krye me një kallam, e pështynin dhe, duke u gjunjëzuar përpara tij, e adhuronin.
[20] Pasi e tallën, ia hoqen purpurën, e veshën me rrobat e tij dhe e nxorën jashtë për ta kryqëzuar.
[21] Ata e detyruan një kalimtar, një farë Simoni nga Kirena që kthehej nga ara, babai i Aleksandrit dhe i Rufit, që ta mbante kryqin e tij.
[22] Pastaj e çuan Jezusin në vendin të quajtur Golgota, që do të thotë: "Vendi i Kafkës".
[23] I dhanë të pijë verë të përzier me mirrë, por ai nuk e mori.
[24] Dhe, pasi e kryqëzuan, i ndanë rrobat e tij duke hedhur short, për të ditur çfarë do t'i binte secilit.
[25] Ishte ora e tretë kur e kryqëzuan.
[26] Dhe mbishkrimi që tregonte shkakun e dënimit, i cili ishte vënë përmbi të, thoshte: "Mbreti i Judenjve".
[27] Bashkë me të kryqëzuan edhe dy vjedhës, njërin në të djathtën e tij dhe tjetrin në të majtën e tij.
[28] Kështu u përmbush Shkrimi që thotë: ''Ai u përfshi ndër keqbërësit''.
[29] Dhe ata që kalonin aty afër e fyenin, duke tundur kokën, dhe duke thënë: ''Hej, ti që e shkatërron tempullin dhe e rindërton në tre ditë,
[30] shpëto veten tënde dhe zbrit nga kryqi!''.
[31] Po ashtu edhe krerët e priftërinjve me skribët, duke e tallur, i thoshnin njeri tjetrit: ''Të tjerët i shpëtoi, por veten s'mund ta shpëtojë.
[32] Krishti, mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi që ta shohim dhe ta besojmë''. Edhe ata që ishin kryqëzuar bashkë me të, e fyenin atë.
[33] Pastaj, kur erdhi e gjashta orë, errësira e mbuloi gjithë vendin deri në të nëntën orë.
[34] Dhe në të nëntën orë Jezusi bërtiti me zë të lartë: ''Eloi, Eloi; lama sabaktani?'', që e përkthyer do të thotë: ''Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?''.
[35] Dhe disa nga të pranishmit, kur e dëgjuan, thoshnin: ''Ja, ai po thërret Elian!''.
[36] Atëherë një prej tyre erdhi me vrap, e zhyti një sfungjer në uthull dhe, mbasi e vuri në një kallam, ia dha të pijë, duke thënë: ''Lëreni; të shohim nëse vjen Elia që ta zbresë poshtë''.
[37] Por Jezusi, si lëshoi një britmë të madhe, dha frymën.
[38] Atëherë veli i tempullit u ça më dysh nga maja deri në fund.
[39] Dhe centurioni që qëndronte përballë Jezusit, kur pa se, pasi Jezusi bërtiti ashtu, kishte dhënë shpirt, tha: ''Me të vërtetë ky njeri ishte Biri i Perëndisë!''.
[40] Aty ishin gjithashtu edhe gra që shikonin nga larg; midis tyre ishin Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Jakobit të vogël të Joses dhe Salomeja,
[41] të cilat e kishin ndjekur dhe i kishin shërbyer kur ishte në Galile; dhe kishte edhe shumë të tjera që ishin ngjitur bashkë me të në Jeruzalem.
[42] Pastaj, u afrua tashmë mbrëmja, sepse ishte Përgatitja, domethënë vigjilja e së shtunës,
[43] Jozefi nga Arimatea, një këshilltar i respektuar, i cili priste edhe ai mbretërinë e Perëndisë, me guxim hyri te Pilati dhe kërkoi trupin e Jezusit.
[44] Dhe Pilati u çudit që tashmë kishte vdekur. Dhe thirri centurionin dhe e pyeti nëse kishte vdekur prej shumë kohe.
[45] Dhe si u sigurua nga centurioni, ia la trupin Jozefit.
[46] Ky, mbasi bleu një çarçaf, e zbriti Jezusin nga kryqi, e mbështolli në çarçaf dhe e vuri në një varr që ishte hapur në shkëmb; pastaj rrokullisi një gur para hyrjes së varrit.
[47] Dhe Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Joses, vërenin ku e vunë.