Skip to content
Opens in a new window

[1] Pas disa ditësh, ai erdhi përsëri në Kapernaum dhe u muar vesh se ai gjendej në shtëpi;

[2] dhe menjëherë u mblodhën aq shumë njerëz, sa nuk gjeje më vend as përpara derës; dhe ai u predikonte Fjalën.

[3] Atëhërë i erdhën disa që i paraqitën një të paralizuar, që po e bartnin katër vetë.

[4] Por, duke qenë se nuk mund t'i afroheshin për shkak të turmës, zbuluan çatinë në vendin ku ndodhej Jezusi dhe, mbasi hapën një vrimë, e lëshuan vigun mbi të cilin rrinte shtrirë i paralizuari.

[5] Jezusi, kur pa besimin e tyre, i tha të paralizuarit: ''O bir, mëkatet e tua të janë falur!''.

[6] Por aty po rrinin ulur disa shkribë, të cilët, në zemër të vet, po mendonin:

[7] ''Pse vallë ky po flet blasfemi. Kush mund të falë mëkatet, veç Perëndisë vetë?''.

[8] Por Jezusi, i cili menjëherë kuptoi në frymën e vet se ata po i mendonin këto gjëra në veten e tyre, u tha atyre: ''Pse i mendoni këto gjëra në zemrat tuaja?

[9] Çfarë është më lehtë: t'i thuash të paralizuarit: "Mëkatet e tua të janë falur", apo t'i thuash: "Çohu, merre vigun tënd dhe ec"?

[10] Dhe tani, që ta dini se Biri i njeriut ka pushtet të falë mëkatët mbi dhe,

[11] unë po të them (i tha të paralizuarit): Çohu, merre vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde!"''.

[12] Dhe ai u ngrit menjëherë, mori vigun e vet dhe doli përjashta në praninë e të gjithëve dhe kështu të gjithë u habitën dhe lëvduan Perëndinë duke thënë: ''Një gjë të tillë s'e kemi parë kurrë!''.

[13] Jezusi doli përsëri gjatë bregut të detit dhe gjithë turma erdhi tek ai dhe ai e mësonte.

[14] Duke kaluar, pa Levin, birin e Alfeut, i cili qe ulur në vendin e tatimeve, dhe i tha: ''Ndiqmë!''. Ai u ngrit dhe e ndoqi.

[15] Dhe ndodhi që, kur Jezusi ishte në tryezë në shtëpinë e Levit, shumë tagrambledhës dhe mëkatarë u ulën në tryezë me Jezusin dhe me dishepujt e tij; në fakt ishin shumë ata që e ndiqnin.

[16] Atëhërë skribët dhe farisenjtë, duke e parë se po hante me tagrambledhës dhe me mëkatarë, u thanë dishepujve të tij: ''Qysh ha dhe pi ai bashkë me tagrambledhës e me mëkatarë?''.

[17] Dhe Jezusi, kur e dëgjoi, u tha atyre: ''Nuk janë të shëndoshet që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët; unë nuk erdha për të thirrur të drejtët, por mëkatarët për pendim.

[18] Atëherë dishepujt e Gjonit dhe ata të farisenjve po agjëronin. Ata erdhen te Jezusi dhe i thanë: ''Përse dishepujt e Gjonit dhe ata të farisenjve agjërojnë, kurse dishepujt e tu nuk agjërojnë?''.

[19] Dhe Jezusi u përgjigj atyre: ''Vallë a mund të agjërojnë dasmorët, ndërsa dhëndri është me ta? Për sa kohë kanë më vete dhëndrin, nuk mund të agjërojnë!

[20] Por do të vijnë ditët kur do t'u merret dhëndri dhe atëhërë, në ato ditë, ata do të agjërojnë.

[21] Askush nuk qep një copë stof të ri mbi një rrobe të vjetër, përndryshe copa e re e shkul gjithë arnesën dhe shqyerja bëhet më keq.

[22] Po ashtu askush nuk shtie verë të re në kacekë të vjetër, përndryshe vera e re i prish kacekët, vera derdhet dhe kacekët shkojnë dëm; porse vera e re duhet shtënë në kacekë të rinj''.

[23] Por ndodhi që një ditë të shtunë ai po kalonte nëpër ara dhe dishepujt e tij, duke kaluar, filluan të këpusin kallinj.

[24] Dhe farisenjtë i thanë: ''Shih, përse po bëjnë atë që nuk është e ligjshme ditën e shtunë?''.

[25] Por ai u tha atyre: ''A nuk keni lexuar vallë ç'bëri Davidi, kur pati nevojë dhe kishte uri, ai dhe ç'qenë me të?''.

[26] Se si hyri ai në shtëpinë e Perëndisë në kohën e kryepriftit Abiathar, dhe hëngri bukët e paraqitjes, të cilat nuk lejohet t'i hajë askush, përveç priftërinjve, dhe u dha edhe atyre që qenë me të?''.

[27] Pastaj u tha atyre: ''E shtuna është bërë për njeriun dhe jo njeriu për të shtunën.

[28] Prandaj Biri i njeriut është zot edhe i së shtunës''.

Marku — Chapters