Skip to content
Opens in a new window

[1] Tani ditën e parë të javës, shumë herët në mëngjes, ato me gra të tjera shkuan te varri, duke sjellë erërat e mira që kishin përgatitur.

[2] Dhe gjetën që guri ishte rrokullisur nga varri.

[3] Por, kur hynë, nuk e gjetën trupin e Zotit Jezus.

[4] Dhe, ndërsa ishin shumë të hutuara nga kjo, ja, iu paraqitën atyre dy burra të veshur me rroba të ndritshme.

[5] Dhe, mbasi ato, të tmerruara, e mbanin fytyrën të përkulur për dhe, ata u thanë: ''Pse e kërkoni të gjallin midis të vdekurve?

[6] Ai nuk ështe këtu, por është ringjallur; kujtohuni si ju foli, kur ishte ende në Galile,

[7] duke thënë se Biri i njeriut duhej të dorëzohej në duar të njerëzve mëkatarë, duhej kryqëzuar dhe do të ringjallej ditën e tretë''.

[8] Dhe ato kujtonin fjalët e tij.

[9] kur u kthyen nga varri, ato ua treguan të gjitha këto gjëra të njëmbëdhjetëve dhe gjithë të tjerëve.

[10] Ato që u treguan apostujve këto gjëra ishin Maria Magdalena, Joana, Maria, nëna e Jakobit dhe gratë e tjera që ishin me to.

[11] Por këto fjalë atyrë iu dukën si dokrra; dhe ata nuk u besuan atyre.

[12] Megjithatë Pjetri u çua, vrapoi te varri, u përkul dhe nuk pa tjetër përveç çarçafëve që dergjeshin vetëm; pastaj u largua, i mrekulluar me veten e tij për sa kishte ndodhur.

[13] Po ate ditë, dy nga ata po shkonin drejt një fshati, me emër Emaus, gjashtëdhjetë stade larg Jeruzalemit.

[14] Dhe ata po bisedonin midis tyre për të gjitha ato që kishin ndodhur.

[15] Dhe ndodhi që, ndërsa po flisnin dhe bisedonin bashkë, vetë Jezusi u afrua dhe nisi të ecë me ta.

[16] Por sytë e tyre ishin të penguar kështu që të mos e njihnin.

[17] Dhe ai u tha atyre: ''Ç'janë këto biseda që bëni me njëri-tjetrin udhës? Dhe pse jeni të trishtuar?''.

[18] Dhe një nga ata, i me emër Kleopa, duke u përgjigjur tha: ''Je ti i vetmi i huaj në Jeruzalem, që nuk i di gjërat që kanë ndodhur këtu në këto ditë?''.

[19] Dhe ai u tha atyre: ''Cilat?''. Ata i thanë: ''Çështjen e Jezusit nga Nazareti, që ishte një profet i fuqishëm në vepra dhe në fjalë përpara Perëndisë dhe përpara gjithë popullit.

[20] Dhe se si krerët e priftërinjve dhe kryetarët tanë e kanë dorëzuar për ta dënuar me vdekje dhe e kanë kryqëzuar.

[21] Por ne kishim shpresë se ai do të ishte ky që do ta çlironte Izraelin; por, megjithkëtë, sot është e treta ditë që kur ndodhën këto gjëra.

[22] Por edhe disa gra në mes nesh na kanë çuditur, sepse, kur shkuan herët në mëngjes te varri,

[23] dhe nuk e gjetën trupin e tij, u kthyen duke thënë se kishin parë nië vegim engjëjsh, të cilët thonë se ai jeton.

[24] Dhe disa nga tanët shkuan te varri dhe e gjetën ashtu si kishin treguar gratë, por atë nuk e panë''.

[25] Atëherë ai u tha atyre: ''O budallenj dhe zemërngathët për të besuar gjithçka që kanë thënë profetët!

[26] Por a nuk duhej që Krishti të vuajë gjëra të tilla që të hyjë kështu në lavdinë e tij?''.

[27] Dhe, duke zënë fill nga Moisiu dhe nga gjithë profetët, ai u shpjegoi atyre në të gjitha Shkrimet gjërat që i takonin atij.

[28] Kur iu afruan fshatit për ku ishin drejtuar, ai bëri sikur do të vazhdonte më tutje.

[29] Por ata e detyruan duke thënë: ''Rri me ne, sepse po ngryset dhe dita po mbaron''. Edhe ai hyri që të rrijë me ta.

[30] Dhe, siç ishte në tryezë me ta, mori bukën, e bekoi dhe, si e theu, ua ndau atyre.

[31] Atëherë atyre iu çelën sytë dhe e njohën, por ai u zhduk prej syve të tyre.

[32] Dhe ata i thanë njeri tjetrit: ''Po a nuk na digjej zemra përbrenda, kur ai na fliste udhës dhe na hapte Shkrimet?''.

[33] Në po atë çast u ngritën dhe u kthyen në Jeruzalem, ku e gjetën të njëmbëdhjetët dhe ata që ishin mbledhur bashkë me ta.

[34] Ata thoshnin: ''Zoti u ringjall me të vërtetë dhe iu shfaq Simonit''.

[35] Ata atëherë treguan ç'u kishte ndodhur rrugës dhe si e kishin njohur në ndarjen e bukës.

[36] Dhe, ndërsa ata po bisedonin për këto gjëra, vetë Jezusi u shfaq në mes tyre dhe u tha atyre: "Paqja me ju!''.

[37] Por ata, të tmerruar dhe gjithë frikë, mendonin se po shihnin një frymë.

[38] Atëherë ai u tha atyre: ''Pse jeni shqetësuar Dhe pse në zemrat tuaja po lindin dyshime?

[39] Shikoni duart e mia dhe këmbët e mia, sepse unë jam. Më prekni dhe shikoni, sepse një frymë nuk ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam!''.

[40] Dhe, si i tha këtë, u tregoj atyre duart dhe këmbët.

[41] Por, duke qenë se ende nuk besonin prej gëzimit dhe ishin të çuditur, ai u tha atyre: ''A keni këtu diçka për të ngrënë?''.

[42] Dhe ata i dhanë një pjesë peshku të pjekur dhe një huall mjalti.

[43] Dhe ai i mori dhe hëngri para tyre.

[44] Pastaj u tha atyre: ''Këto janë fjalët që unë ju thoja kur isha ende me ju: se duhet të përmbushen të gjitha gjërat që janë shkruar lidhur me mua në ligjin e Moisiut, në profetët dhe në psalmet''.

[45] Atëherë ua hapi mendjen, që të kuptonin Shkrimet,

[46] dhe u tha atyre: ''Kështu është shkruar dhe kështu ishte e nevojshme që Krishti të vuante dhe të ngjallej së vdekuri ditën e tretë,

[47] dhe që në emër të tij të predikohet pendimi dhe falja e mëkateve ndër të gjithë popujt, duke filluar nga Jeruzalemi.

[48] Dhe ju jeni dëshmitarët e këtyre gjërave.

[49] Dhe ja, unë po dërgoj mbi ju premtimin e Atit tim, por ju qëndroni në qytetin e Jeruzalemit deri sa të visheni me pushtet nga lart''.

[50] Pastaj iu priu jashtë deri në Betani dhe, si i ngriti lart duart, i bekoi.

[51] Dhe ndodhi që, ndërsa ai po i bekonte, u nda prej tyre dhe e morën lart në qiell.

[52] Dhe ata, pasi e adhuruan, u kthyen në Jeruzalem me gëzim të madh.

[53] Dhe rrinin vazhdimisht në tempull duke lavdëruar dhe bekuar Perëndinë. Amen!

Luka — Chapters