Skip to content
Opens in a new window

[1] Tani, në atë ditë u shpall një dekret nga ana e Cezar Augustit, për të kryer regjistrimin e popullsisë të gjithë perandorisë.

[2] Ky regjistrim qe i pari që u krye kur Kuirini ishte guvernatori i Sirisë.

[3] Dhe të gjithë shkonin të regjistroheshin, secili në qytetin e vet.

[4] Tani edhe Jozefi doli nga qyteti i Nazaretit të Galilesë, për të shkuar në Jude, në qytetin e Davidit, që quhet Bethlehem, sepse ai ishte i shtëpisë dhe i familjes së Davidit,

[5] për t'u regjistruar bashkë me Marinë, gruan e vet, me të cilën ishte martuar dhe që ishte shtatzënë.

[6] Kështu, ndërsa ishin atje, asaj i erdhi koha të lindë.

[7] Dhe ajo lindi djalin e saj të parëlindur, e mbështolli me pelena dhe e vendosi në një grazhd, sepse në han nuk kishte vend për ta.

[8] Tani në po atë krahinë ishin disa barinj që rrinin jashtë, në fusha, dhe natën ruanin kopenë e tyre.

[9] Dhe ja, një engjëll i Zotit iu paraqit atyre dhe lavdia e Zotit shkëlqeu rreth tyre e ata i zuri një frikë e madhe.

[10] Por engjëlli u tha atyre: ''Mos druani, sepse unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për të gjithë popullin;

[11] sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti.

[12] Dhe kjo do t'ju vlejë si shenjë: ju do të gjeni një fëmijë të mbështjellur me pelena, të shtrirë në një grazhd''.

[13] Dhe menjëherë engjëllit iu bashkua një shumicë e ushtrisë qiellore, që lëvdonte Perëndinë, duke thënë:

[14] ''Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij!''.

[15] Dhe ndodhi që, kur engjëjt u larguan prej tyre për t'u kthyer në qiell, barinjtë i thanë njeri tjetrit: ''Le të shkojmë deri në Bethlehem për të parë ç'ka ndodhur dhe ç'na bëri të ditur Zoti''.

[16] Shkuan, pra, me nxitim dhe gjetën Marinë, Jozefin dhe fëmijën që ndodhej në një grazhd.

[17] Mbasi e panë, përhapën ato që u ishte thënë për atë fëmijë.

[18] Dhe të gjithë ata që i dëgjuan, u mrekulluan nga gjërat që u treguan barinjtë.

[19] Maria i ruante të gjitha këto fjalë, duke i medituar në zemrën e saj.

[20] Dhe barinjtë u kthyen, duke përlëvduar dhe lavdëruar Perëndinë për të gjitha gjërat që kishin dëgjuar dhe parë, ashtu si u ishte thënë atyre.

[21] Dhe kur kaluan të tetë ditët, pas të cilave ai duhej rrethprerë, ia vunë emrin Jezus, emër të dhënë nga engjëlli para se ai të ngjizej në bark.

[22] Kur pastaj ishin plotësuar ditët e pastrimit të saj sipas ligjit të Moisiut, e çuan fëmijën në Jeruzalem për t'ia paraqitur Zotit,

[23] ashtu siç është shkruar në ligjin e Zotit: ''Çdo mashkull i parëlindur do të jetë thirrur shenjt për Zotin'',

[24] dhe për të ofruar flijim, siç është thënë në ligjin e Zotit, një çift turtujsh ose dy pëllumbash të rinj.

[25] Dhe ja, në Jeruzalem ishte një njeri që quhej Simeon; Ky njeri ishte i drejtë dhe i përshpirtshëm dhe priste ngushëllimin e Izraelit; dhe Fryma e Shenjtë ishte mbi të.

[26] Dhe në mënyrë hyjnore atij i qe zbuluar nga Fryma e Shenjtë se nuk do të vdiste para se të kishte parë Krishtin e Zotit.

[27] Ai pra, i shtyrë nga Fryma, erdhi në tempull; dhe, si prindërit i prunë fëmijën Jezus për të bërë me të ato që përshkruan ligji,

[28] ai e mori në krah e bekoi Perëndinë duke thënë:

[29] ''Tani, o Zot, lejo që shërbëtori yt të vdesë në paqe, sipas fjalës sate,

[30] sepse sytë e mi e panë shpëtimin tënd

[31] që ti e përgatite përpara gjithë popujve:

[32] dritën për të ndriçuar kombet dhe lavdinë e popullit tënd, Izraelit''.

[33] Dhe Jozefi e nëna e fëmijës mrrekulloheshin për gjërat që thuheshin për të.

[34] Pastaj Simeoni i bekoi dhe i tha Marisë, nënës së tij: ''Ja, ky është vënë për rënien dhe për ngritjen e shumë vetave në Izrael dhe për të qenë shenjë kundërshtimesh,

[35] edhe ty vetë një shpatë do të ta tejshpojë shpirtin, që të zbulohen mendimet e shumë zemrave''.

[36] Aty ishte edhe Ana, një profeteshë, bija e Fanuelit, nga fisit i Aserit, e cila ishte shumë e kaluar në moshë, që kishte jetuar mbas virgjërisë së saj shtatë vjet me burrin.

[37] Ajo ishte e ve dhe, megjithse ishte tetëdhjetë e katër vjeçe, nuk largohej kurrë nga tempulli duke i shërbyer Perëndisë natë e ditë me agjërime dhe lutje.

[38] Edhe ajo erdhi në atë moment, lavdëroi Zotin dhe u fliste për këtë fëmijë të gjithë atyre që prisnin çlirimin në Jeruzalem.

[39] Dhe mbasi i kryen të gjitha ato që i takonin sipas ligjit të Zotit, u kthyen në Galile, në qytetin e tyre, Nazaret.

[40] Ndërkaq fëmija rritej dhe forcohej në frymë, duke qenë plot dituri; dhe hiri i Perëndisë ishte mbi të.

[41] Tani prindërit e tij shkonin çdo vit në Jeruzalem për festën e Pashkës.

[42] Dhe, kur ai i mbushi dymbëdhjetë vjeç, ata u ngjitën në Jeruzalem, sipas zakonit të festës.

[43] Dhe si u përmbushën ato ditë, kur ata u kthyen, fëmija Jezus ndënji në Jeruzalem; por Jozefi dhe e ëma e tij nuk e dinin.

[44] Duke menduar se ai ishte në shoqëri, ata bënë një ditë rrugë, pastaj filluan ta kërkojnë midis farefisit dhe të njohurve;

[45] dhe, duke qenë se nuk e gjetën, u kthyen në Jeruzalem për ta kërkuar.

[46] Dhe ndodhi që, pas tri ditësh, e gjetën në tempull, të ulur në mes të dijetarëve, duke i dëgjuar dhe duke u bërë atyre pyetje.

[47] Dhe të gjithë ata që e dëgjonin, habiteshin nga zgjuarësia e tij dhe nga përgjigjet e tij.

[48] Dhe, kur ata e panë, mbetën të habitur, dhe e ëma i tha: ''Bir, pse na e bëre këtë? Ja, yt atë dhe unë, në ankth, po të kërkonim!''.

[49] Por ai u tha atyre: ''Përse më kërkonit? A nuk e dinit se më duhet të merrem me punët e Atit tim?''.

[50] Por ata nuk i kuptuan fjalët që ai u tha atyre.

[51] Dhe ai zbriti bashkë me ta, u kthye në Nazaret dhe i bindej atyre. E ëma i ruante të gjitha këto fjalë në zemrën e saj.

[52] Dhe Jezusi rritej në dituri, në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve.

Luka — Chapters