Skip to content
Opens in a new window

[1] Mbasi shumë vetë ndërmorën të renditin tregimin e ngjarjeve që ndodhën në mesin tonë,

[2] ashtu si na i përcollën ata që ishin bërë nga fillimi dëshmitarë okularë dhe shërbyes të fjalës,

[3] m'u duk e mirë edhe mua, pasi i hetova të gjitha gjërat me kujdes që nga fillimi, të t'i shkruaj sipas radhës, fort i nderuari Teofil,

[4] që ti të njohësh vërtetësinë e gjërave që të kanë mësuar.

[5] Në ditën e Herodit, mbretit të Judesë, ishte një prift me emër Zakaria, nga rendi i Abias; gruaja e tij ishte pasardhëse e Aaronit dhe quhej Elizabetë.

[6] Që të dy ishin të drejtë në sytë e Perëndisë, duke ecur pa të metë në të gjitha urdhërimet dhe ligjet e Zotit.

[7] Por nuk kishin fëmijë, sepse Elizabeta ishte shterpe, dhe të dy ishin të kaluar në moshë.

[8] Ndodhi që, kur Zakaria po ushtronte detyrën e tij priftërore para Perëndisë sipas rregullit të rendit të vet,

[9] sipas zakonit të shërbesës priftërore, i ra shorti të hyjë në tempullin e Zotit për të djegur temjanin.

[10] Ndërkaq mbarë turma e popullit rrinte jashtë e lutej, në orën e temjanit.

[11] Atëherë një engëll i Zotit iu shfaq duke qëndruar në këmbë në të djathtën e altarit të temjanit.

[12] Zakaria, kur e pa, u trondit dhe e zuri frika.

[13] Por engjëlli i tha: ''Mos u tremb, Zakaria, sepse lutja jote u plotësua dhe gruaja jote Elizabeta do të lindë një djalë, të cilit do t'ia vësh emrin Gjon.

[14] Dhe ai do të jetë për ty shkak gëzimi dhe hareje, dhe shumë vetë do të gëzohen për lindjen e tij.

[15] Sepse ai do të jetë i madh përpara Zotit; nuk do të pijë as verë as pije dehëse dhe do të jetë i përplotë me Frymën e Shenjtë që në barkun e s'ëmës.

[16] Dhe do t'i kthejë shumë prej bijve të Izraelit te Zoti, Perëndia i tyre.

[17] Dhe do të shkojë përpara tij në frymë dhe pushtet të Elias, për t'i kthyer zemrat e prindërve te fëmijët dhe rebelët në urtinë e të drejtëve, për t'ia bërë gati Zotit një popull të përgatitur mirë''.

[18] Dhe Zakaria i tha engjëllit: ''Nga se do ta njoh këtë? Sepse unë jam plak dhe gruaja ime është e kaluar në moshë''.

[19] Dhe engjëlli, duke iu përgjigjur, i tha: ''Unë jam Gabrieli që rri në prani të Perëndisë, dhe më kanë dërguar që të flas me ty dhe të të njoftoj këto lajme të mira.

[20] Dhe ja, ti do të jesh i pagojë dhe nuk do të mund të flasësh deri në atë ditë kur do të ndodhin këto gjëra, sepse nuk u ke besuar fjalëve të mia, të cilat do të përmbushen në kohën e tyre''.

[21] Ndërkaq populli po priste Zakarian dhe çuditej që ai po vonohej aq shumë brenda tempullit.

[22] Por, kur doli, nuk mundi t'u flasë atyre; atëherë ata e kuptuan se ai kishte pasur një vegim në tempull; ai u bënte shenja atyre, por mbeti i pagojë.

[23] Dhe ndodhi që, kur u plotësuan ditët e shërbesës së tij, ai u kthye në shtëpinë e vet.

[24] Dhe, pas atyre ditëve Elizabeta, gruaja e tij, u ngjiz; dhe u fsheh pesë muaj dhe thoshte:

[25] ''Ja ç'më bëri Zoti, në ato ditë kur e ktheu vështrimin e tij mbi mua për të më hequr turpin përpara njerëzve''.

[26] Në muajin e gjashtë, engjëlli Gabriel u dërgua nga Perëndia në një qytet të Galilesë, që quhej Nazaret,

[27] te një e virgjër, që ishte e fejuar me një njeri që quhej Jozef, nga shtëpia e Davidit; dhe emri i virgjëreshës ishte Maria.

[28] Dhe engëlli hyri te ajo dhe tha: ''Tungjatjeta, o hirplote, Zoti është me ty; ti je e bekuar ndër gratë''.

[29] Por kur e pa atë, ajo mbeti e shqetësuar nga fjalët e tij, dhe pyeste vetveten çfarë kuptimi mund të kishte një përshëndetje e tillë.

[30] Dhe engjëlli i tha: ''Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Perëndisë.

[31] Dhe ja, ti do të mbetesh shtatzënë dhe do të lindësh një djalë, dhe do t'ia vesh emrin Jezus.

[32] Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Shumë të Lartit; dhe Zoti Perëndi do t'i japë fronin e Davidit, atit të tij;

[33] dhe do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakobit përjetë, dhe mbretëria e tij nuk do të ketë kurrë të sosur''.

[34] Dhe Maria i tha engjëllit: ''Si do të ndodhë kjo, përderisa unë nuk njoh burrë?''.

[35] Dhe engjëlli duke u përgjigjur, i tha: ''Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ty dhe pushteti i Shumë të Lartit do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj i shenjti që do të lindë prej teje do të quhet Bir i Perëndisë.

[36] Dhe ja, Elizabeta, e afërmja jote, edhe ajo, në pleqërinë e saj, mbeti shtatzënë me një djalë; dhe ky është muaji i gjashtë për të, që e quanin shterpë,

[37] sepse me Perëndinë asgjë s'është e pamundshme''.

[38] Atëherë Maria tha: ''Ja shërbëtorja e Zotit; le të më ndodhë sipas fjalës sate''. Dhe engjëlli u largua prej saj.

[39] Dhe në ato ditë Maria u ngrit dhe shkoi me nxitim në krahinën malore, në një qytet të Judesë,

[40] dhe hyri në shtëpinë e Zakarias e përshëndeti Elizabetën.

[41] Dhe ndodhi që, sapo Elizabeta dëgjoi përshëndetjen e Maries, fëmija i kërceu në bark, dhe Elizabeta u mbush me Frymën e Shenjtë,

[42] dhe thërriti me zë të lartë, duke thënë: ''Ti je e bekuar ndër gratë dhe i bekuar është fryti i barkut tënd.

[43] Dhe përse po më ndodh kjo, që nëna e Zotit tim të vijë tek unë?

[44] Sepse, ja, sapo arriti në veshët e mi zëri i përshëndetjes sate, fëmija nga gëzimi kërceu në barkun tim.

[45] Tani, e lumur është ajo që besoi, sepse gjërat që i janë thënë nga ana e Zotit do të realizohen!''.

[46] Dhe Maria tha: ''Shpirti im e madhëron Zotin,

[47] dhe fryma im ngazëllon në Perëndinë, Shpëtimtarin tim,

[48] sepse ai e shikoi me pëlqim ultësinë e shërbëtores së tij; sepse ja, tani e tutje të gjitha brezat do të më shpallin të lume,

[49] sepse i Pushtetshmi më bëri gjëra të mëdha, dhe i Shenjtë është emri i tij!

[50] Dhe mëshira e tij shtrihet nga brezi në brez për ata që e druajnë.

[51] Ai veproi pushtetshëm me krahun e vet; i shpërndau krenarët me mendimet e zemrave të tyre;

[52] i përmbysi pushtetarët nga fronat e tyre dhe i ngriti të përulurit;

[53] i mbushi me të mira të uriturit dhe i ktheu duarbosh të pasurit.

[54] Ai e ndihmoi Izraelin, shërbëtorin e vet, duke i kujtuar për mëshirën e tij,

[55] ashtu si ua pati deklaruar etërve tanë, Abrahamit dhe pasardhësve të tij, për gjithmonë''.

[56] Dhe Maria ndenji me Elizabetën gati tre muaj, pastaj u kthye në shtëpinë e vet.

[57] Dhe Elizabetës i erdhi koha që të lindë dhe të nxjerrë në dritë një djalë.

[58] Fqinjët e saj dhe të afërmit, kur dëgjuan se Zoti kishte treguar mëshirë të madhe ndaj saj, u gëzuan me të.

[59] Dhe ndodhi që të tetën ditë erdhën për ta rrethprerë djalin, dhe donin t'ia quanin Zakaria, me emrin e atit të tij;

[60] por e ëma ndërhyri dhe tha: ''Jo, por përkundrazi do të quhet Gjon''.

[61] Dhe ata i thanë: ''S'ka njeri në fisin tënd që të quhet me këtë emër''.

[62] Kështu me shenja e pyetën të atin, si donte që t'i quhej.

[63] Ai atëherë kërkoi një tabelë shkrimi dhe shkroi mbi të: ''Emri i tij është Gjon''. Dhe të gjithë u mrrekulluan.

[64] Në atë çast goja e tij u hap dhe gjuha e tij u zgjidh, dhe fliste duke bekuar Perëndinë.

[65] Dhe të gjithë fqinjëve të tyre u hyri druajtja, dhe të gjitha këto gjëra u përhapën nëpër krejt krahinën malore të Judesë.

[66] Të gjitha ata që i dëgjuan, i vunë në zemrën e tyre duke thënë: ''Vallë kush do të jetë ky fëmijë?''. Dhe dora e Zotit ishte me të.

[67] Dhe Zakaria, ati i tij, u mbush me Frymën e Shenjtë dhe profetizoi, duke thënë:

[68] Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, sepse e ka vizituar dhe e kreu çlirimin e popullit të vet;

[69] dhe na ngriti një shpëtim të pushtetshëm në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,

[70] ashtu si ai e kishte deklaruar nëpërmjet gojës së profetëve të tij të shenjtë që nga kohët e lashta, që ne të shpëtojmë

[71] prej armiqve tanë dhe prej dorës së gjithë atyre që na urrejnë,

[72] për të treguar mëshirë tek etërit tanë e për t'u kujtuar për besëlidhjen e tij të shenjtë,

[73] betimin që i bëri Abrahamit, atit tonë,

[74] për të na lejuar që, pasi të çlirohemi nga duart e armiqve tanë, të mund t'i shërbejmë pa frikë,

[75] në shenjtëri e në drejtësi përpara atij, të gjitha ditët e jetës sonë.

[76] Dhe ti, o fëmijë i vogël, do të quhesh profet nga Shumë i Larti, sepse ti do të shkosh përpara fytyrës së Zotit për të përgatitur udhët e tij,

[77] për t'i dhënë popullit të tij njohjen e shpëtimit, në faljen e mëkateve të tyre;

[78] për hir të thellësisë së mëshirës së Perëndisë sonë, për të cilën agimi nga lart na ka vizituar,

[79] për të ndriçuar ata që dergjeshin në errësirë dhe në hijen e vdekjes, për të udhëhequr hapat tona në udhën e paqes''.

[80] Ndërkaq fëmija rritej dhe forcohej në frymë: dhe qëndroi në shkretëtirë deri në atë ditë, kur ai duhej t'i zbulohej Izraelit.

Luka — Chapters