[1] Pastaj Jezusi hyri në Jeriko dhe po kalonte nëpër qytet;
[2] dhe ja, një njeri i quajtur Zake, i cili ishte kryetari i tagrambledhësve dhe ishte i pasur.
[3] Ai kërkonte të shihte kush ishte Jezusi, por nuk mundte për shkak të turmës, sepse ishte i shkurtër nga shtati.
[4] Atëherë rendi përpara dhe u ngjit në një fik për ta parë, sepse ai duhet të kalonte andej.
[5] Dhe kur Jezusi arriti në atë vend, i çoi sytë, e pa dhe i tha: ''Zake, zbrit shpejt poshtë, sepse sot duhet të rri në shtëpinë tënde''.
[6] Dhe ai zbriti me nxitim dhe e priti me gëzim.
[7] Kur panë këtë, të gjithë murmuritën, duke thënë: ''Ai shkoi të rrijë në shtëpinë e një njeriu mëkatar''.
[8] Por Zakeu u çua dhe i tha Zotit: ''Zot, unë po u jap të varfërve gjysmën e pasurisë sime dhe, po të kem marrë ndonjë gjë nga ndonjëri me mashtrim, do t'ia kthej katërfish''.
[9] Dhe Jezusi i tha: ''Sot në këtë shtëpi ka hyrë shpëtimi, sepse edhe ky është bir i Abrahamit.
[10] Sepse Biri i njeriut erdhi të kërkojë dhe të shpëtojë atë që kishte humbur''.
[11] Dhe, ndërsa ata po i dëgjonin këto, Jezusi vazhdoi të tregojë një shëmbëlltyrë, sepse ai ishte afër Jeruzalemit dhe ata mendonin se mbretëria e Perëndisë do të shfaqej menjëherë.
[12] Tha, pra: ''Një njeri fisnik shkoi në një vend të largët për të marrë në dorëzim një mbretëri e pastaj të kthehej.
[13] Dhe, si i thirri dhjetë shërbëtorët e vet, u dha dhjetë mina dhe u tha atyre: "Tregtoni deri sa të kthehem".
[14] Por qytetarët e vet e urrenin dhe i dërguan pas një përfaqësi duke thënë: "Nuk duam që ky të mbretërojë përmbi ne".
[15] Dhe kur ai u kthye, pasi e mori në dorëzim mbretërinë, urdhëroi t'i thërresin ata shërbëtorët, të cilëve u kishte dhënë paratë për të marrë vesh sa kishte fituar secili duke tregtuar.
[16] Atëherë doli i pari dhe tha: "Zot, mina jote dha dhjetë mina të tjera";
[17] dhe ai tha: "Mirë, o shërbëtor i mirë, sepse ke qenë besnik në gjëra të vogëla, merr sundimin mbi dhjetë qytete".
[18] Pastaj erdhi i dyti duke thënë: "Zot, mina jote dha edhe pesë mina";
[19] dhe ai i tha edhe këtij: "Edhe ti ji sundimtar mbi pesë qytete".
[20] Atëherë erdhi një tjetër i cili tha: "Zot, ja mina jote që e ruajta në një shami,
[21] sepse kisha frikë nga ti, që je njeri i rreptë; ti merr atë që nuk ke vënë dhe korr atë që nuk ke mbjellë".
[22] Dhe zoti i tij i tha: "Do të të gjykoj nga vetë fjalët e tua, o shërbëtor i keq; ti e dije se jam njeri i rreptë, që marr atë që nuk kam vënë dhe korr atë që nuk kam mbjellë;
[23] përse nuk e vure paranë time në bankë që, kur të kthehem, ta marr bashkë me përqindje?".
[24] Pastaj u tha të pranishmëve: "Merrjani minën dhe ia jepni atij që ka dhjetë mina".
[25] Dhe ata i thanë: "Zot, po ai ka dhjetë mina".
[26] Unë po ju them se atij që ka, do t'i jepet; por atij që s'ka do t'i hiqet edhe ajo që ka.
[27] Veç kësaj, i sillni këtu armiqtë e mi, të cilët nuk donin që unë të mbretëroja mbi ta dhe i vritni përpara meje!"''.
[28] Mbasi tha këto gjëra, ai shkoi përpara duke u ngjitur në Jeruzalem.
[29] Dhe, si iu afrua Betfagës dhe Betanias, afër malit që quhet i Ullinjve, dërgoi dy nga dishepujt e vet,
[30] duke u thënë: ''Shkoni në fshatin përballë dhe, kur të hyni, do të gjeni aty një kërriç të lidhur, mbi të cilin nuk ka hipur kurrë njeri; zgjidheni atë dhe ma sillni.
[31] Dhe nëse ndokush ju pyet: "Përse po e zgjidhni?", u thoni atyre kështu: "Zoti ka nevojë"''.
[32] Dhe ata që ishin dërguar shkuan dhe e gjetën ashtu siç u kishte thënë.
[33] Dhe, ndërsa ata po e zgjidhnin kërriçin, të zotët e tij u thanë atyre: ''Përse po e zgjidhni kërriçin?''.
[34] Dhe ata thanë: ''Zoti ka nevojë''.
[35] Dhe e prunë, pra, te Jezusi dhe, mbasi i hidhnin rrobat e veta mbi kërriçin, e hipën Jezusin mbi të.
[36] Dhe, ndërsa ai ecte kështu përpara, ata shtronin rrobat e tyre në rrugë.
[37] Dhe kur ai iu afrua teposhtës së malit të Ullinjve, gjithë turma e dishepujve filloi me gëzim të lavdërojë Perëndinë me zë të lartë për të gjitha veprat e pushtetshme që kishin parë,
[38] duke thënë: ''Bekuar qoftë Mbreti që po vjen në emër të Zotit; paqe në qiell dhe lavdi në vendet shumë të larta''.
[39] Dhe disa farisenj që ishin midis turmës i thanë: ''Mësues, qorto dishepujt e tu!''.
[40] Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: ''Unë po ju them se në se këta do të heshtnin, gurët do të bërtisnin''.
[41] Dhe kur ai po afrohej, e pa qytetin dhe qau mbi të,
[42] duke thënë: ''Oh, sikur ti, pikërisht ti, të njihje të paktën në ditën tënde ato që janë te nevojshme për paqen tënde! Por tashti ato janë të fshehura për sytë e tu.
[43] Sepse përmbi ty do të vijnë ditë kur armiqtë e tu do të të qarkojnë me ledh, do të të rrethojnë dhe do të të zënë nga të gjitha anët.
[44] Dhe do të të rrëzojnë përtokë ty dhe bijtë e tu në ty; dhe s'do të lënë në ty gur mbi gur, sepse ti nuk e ke njohur kohën kur je vizituar''.
[45] Pastaj, mbasi hyri në tempull, filloi t'i dëbojë jashtë ata që shistin e blinin,
[46] duke u thënë atyre: ''Éshtë shkruar: "Shtëpia ime është shtëpi e lutjes, por ju e bëtë shpellë kusarësh"''.
[47] Çdo ditë ai mësonte në tempull. Dhe krerët e priftërinjve, skribët dhe krerët e popullit kërkonin ta vrisnin.
[48] Dhe nuk arrinin dot të vendosnin çfarë të bënin; sepse gjithë populli e dëgjonte me vemendje të madhe.