Skip to content
Opens in a new window

[1] Dhe ndodhi që ai ndodhej në një vend dhe lutej dhe, si mbaroi, një nga dishepujt e tij i tha: ''Zot, na mëso të lutemi, ashtu siç i mësoi Gjoni dishepujt e vet''.

[2] Dhe ai u tha: ''Kur të luteni, thoni: "Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt, ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullneti yt si në qiell edhe në tokë.

[3] Na jep çdo ditë bukën tonë të nevojshme.

[4] Dhe na i fal mëkatet tona, sepse edhe ne i falim fajtorët tanë; dhe mos lejo të biem në tundim, por na shpëto nga i ligu"''.

[5] Pastaj u tha atyre: ''A ka midis jush njeri që ka një mik dhe i shkon në mesnatë e i thotë: "Mik, më jep hua tri bukë,

[6] sepse më erdhi nga udha një miku im dhe unë s'kam çfarë t'i vë përpara";

[7] dhe ai, nga brenda, duke u përgjigjur, i tha: "Mos më bezdis, dera është tashmë e mbyllur dhe fëmijët e mi ranë në shtrat me mua; nuk mund të çohem e të t'i jap"?

[8] Unë po ju them se, edhe nëse nuk çohet t'ia japë sepse e ka mik, do të çohet gjithsesi për shkak të insistimit të tij dhe do t'i japë të gjitha bukët që i nevojiten.

[9] Prandaj po ju them: Lypni dhe do t'ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t'ju hapet.

[10] Sepse kushdo që lyp, merr, kush kërkon, gjen dhe do t'i hapet atij që troket.

[11] Dhe cili nga ju është baba i tillë që, po t'i kërkojë bukë djali, i jep një gur? Ose po t'i kërkojë një peshk, në vend të peshkut i jep një gjarpër?

[12] Ose, po t'i kërkojë një vezë, i jep një akrep?

[13] Nëse ju, pra, që jeni të këqij, dini t'u jepni dhurata të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati juaj qiellor do t'u dhurojë Frymën e Shenjtë atyre që ia kërkojnë''.

[14] Dhe Jezusi po dëbonte një demon që ishte memec; dhe ndodhi që, kur demoni doli, memeci foli dhe turmat u mrekulluan.

[15] Por disa nga ata thanë: ''Ai i dëbon demonët nëpërmjet Beelzebubit, princit të demonëve''.

[16] Kurse disa nga ata, për ta vënë në provë, kërkonin prej tij një shenjë nga qielli.

[17] Por ai, duke i njohur mendimet e tyre, u tha atyre: ''Çdo mbretëri, e përçarë në vetvete shkatërrohet, dhe çdo shtëpi e përçarë në vetvete rrëzohet.

[18] Po të jetë, pra, edhe Satanai i përçarë në vetvete, si do të mund të qëndrojë mbretëria e tij? Sepse ju thoni se unë i dëboj demonët nëpërmjet Beelzebubit.

[19] Por, nëse unë i dëbokam demonët nëpërmjet Beelzebubit, nëpërmjet kujt i dëbojnë ata bijtë tuaj? Prandaj ata do të jenë gjykatësit tuaj.

[20] Por në se unë i dëboj demonët me gishtin e Perëndisë, mbretëria e Perëndisë, pra ka arritur deri te ju.

[21] Kur burri i fortë, i armatosur mirë, e ruan shtëpinë e vet, pasuria e tij është në paqe.

[22] Por në qoftë se vjen një më i fortë se ai dhe e mund atë, ia merr armët në të cilat kishte shpresë dhe i ndan plaçkat e tij.

[23] Kush nuk është me mua, është kundër meje dhe kush nuk mbledh me mua, shpërndan.

[24] Kur fryma e ndyrë del nga një njeri, endet në vende të shkreta, duke kërkuar pushim, dhe duke mos e gjetur dot, thotë: "Do të kthehem në shtëpinë time nga dola".

[25] Dhe, kur kthehet, e gjen të fshirë e të zbukuruar,

[26] atëherë shkon e merr me vete shtatë frymëra të tjerë më të këqij se ai, dha ata hyjnë aty dhe banojnë aty; dhe gjendja e fundit e atij njeriu bëhet më e keqe se e para''.

[27] Ndodhi që, ndërsa ai po thoshte këto gjëra, një grua nga turma e çoi zërin e saj dhe i tha: ''Lum barku që të barti dhe gjinjtë që të mëndën''.

[28] Por ai u tha: ''Me tepër lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë''.

[29] Duke qenë se turmat po i shtyheshin përreth, ai filloi të thotë: ''Ky brez është i lig; ai kërkon nje shenjë, por asnjë shenjë nuk do t'i jepet, përveç shenjës së profetit Jona.

[30] Sepse, ashtu si Jona qe një shenjë për Ninivasit, kështu edhe Biri i njeriut do të jetë një shenjë për këtë brez.

[31] Mbretëresha e Mesditës do të ngrihet ditën e gjyqit me njerëzit e këtij brezi dhe do t'i dënojë, sepse ajo po vjen nga skaji i dheut për të dëgjuar urtësinë e Salomonit; dhe ja, këtu është dikush më i madh se Salomoni.

[32] Ninivasit, ditën e gjyqit, do të ringjallen me këtë brez dhe do ta dënojnë, sepse ata u penduan për predikimin e Jonas; dhe ja, këtu është dikush më i madh se Jona''.

[33] Asnjëri, kur ndez një llambë, nuk e vë në një vend të fshehtë ose nën babunë, po përmbi dritëmbajtësen, që të shohin dritë ata që hyjnë.

[34] Llamba e trupit është syri; në se syri yt është i shëndoshë, gjithë trupi yt do të jetë i ndriçuar; por në se syri yt është i sëmurë, edhe gjithë trupi yt do të jetë plot me errësirë.

[35] Prandaj trego kujdes që drita që është në ty të mos jetë terr.

[36] Në se gjithë trupi yt është i ndriçuar, pa asnjë pjesë të errët, gjithçka do të jetë e ndriçuar, sikurse ndodh kur llamba të ndriçon me shkëlqimin e saj''.

[37] Por ndërsa Jezusi po fliste, një farise e ftoi për drekë në shtëpinë e vet. Dhe ai hyri dhe u vendos në tryezë.

[38] Fariseu e vuri re këtë dhe u mrekullua që Jezusit nuk lau para buke.

[39] Dhe Zoti i tha: ''Tani ju farisenjtë pastroni të jashtmen e kupës dhe të pjatës, ndërsa brendinë tuaj e keni plot me grabitje dhe ligësi.

[40] Të pamend! Ai që bëri anën e jashtme, vallë nuk bëri edhe të brendshmen?

[41] Por jepni si lëmoshë atë që është përbrenda, dhe çdo gjë do të jetë e pastër për ju.

[42] Por mjerë ju, o farisenj! Sepse ju paguani të dhjetën e ryzës, të mendrës dhe të çdo barishteje, dhe pastaj lini pas dore drejtësinë dhe dashurinë e Perëndisë. Këto gjëra duhet t'i bënit, pa i lënë pas dore të tjerat.

[43] Mjerë ju, o farisenj! Sepse ju e doni vendin e parë ndër sinagoga dhe përshëndetjet nëpër sheshe.

[44] Mjerë ju, skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse jeni si varret që nuk shihen dhe njërëzit ecin sipër tyre, pa e ditur''.

[45] Atëherë, duke u përgjigjur, një nga mësuesit e ligjit, i tha: ''Mësues, duke folur kështu, ti po na fyen edhe ne''.

[46] Dhe ai thoshte: ''Mjerë edhe ju, o mësues të ligjit! Sepse i ngarkoni njerëzit me barrë që me vështirësi baren, dhe ju nuk i prekni ato barrë as edhe me një gisht.

[47] Mjerë ju! Sepse ju ndërtuat varret e profetëve dhe etërit tuaj i patën vrarë ata.

[48] Duke vepruar në këtë mënyrë, ju dëshmoni se i miratoni veprat e etërve tuaj; në fakt ata vranë profetët dhe ju ndërtoni varret e tyre.

[49] Për këtë arsye edhe urtësia e Perëndisë tha: "Unë do t'u dërgoj profetë dhe apostuj, dhe ata do të vrasin disa prej tyre kurse të tjerët do t'i përndjekin",

[50] me qëllim që këtij brezi t'i kërkohet llogari për gjakun e të gjithë profetëve, i cili u derdh që nga krijimi i botës:

[51] nga gjaku i Abelit deri te gjaku i Zakarias, që u vra ndërmjet altarit dhe tempullit; po, unë po ju them, se këtij brezi do t'i kërkohet llogari.

[52] Mjerë ju, o mësues të ligjit! Sepse ju e morët çelësin e dijes; ju vetë nuk hytë dhe penguat hyrjen e atyre që po hynin''.

[53] Po ndërsa ai u fliste atyre këto gjëra, skribët dhe farisenjtë filluan të zemërohen shumë kundër tij dhe ta sulmojnë atë me shumë pyetje,

[54] për t'i ngritur kurthe, për ta zënë në gabim e për të mundur ta akuzojnë për ndonjë fjalë të tij.

Luka — Chapters