[1] Dhe në një nga ato ditë ndodhi që, ndërsa ai po mësonte popullin në tempull dhe predikonte ungjillin, erdhën krerët e priftërinjve dhe skribët bashkë me pleqtë,
[2] dhe i thanë: ''Na trego me ç'autoritet i bën këto gjëra; ose kush është ai që ta dha ty këtë pushtet?''.
[3] Dhe ai duke u përgjigjur, u tha atyre: ''Edhe unë do t'ju pyes një gjë dhe ju m'u përgjigjni:
[4] Pagëzimi i Gjonit vinte nga qielli apo nga njerëzit?''.
[5] Dhe ata arsyetonin në mes tyre duke thënë: ''Po të themi prej qiellit, ai do të na thotë: "Atëherë përse nuk i besuat?".
[6] Kurse po t'i themi prej njerëzve, gjithë populli do të na vrasë me gurë, sepse ai është i bindur se Gjoni ishte një profet''.
[7] Prandaj u përgjigjen se nuk dinin nga vinte.
[8] Atëherë Jezusi u tha atyre: ''As unë nuk po ju them me ç'pushtet i bëj këto gjëra''.
[9] Pastaj filloi t'i tregojë popullit këtë shëmbëlltyrë: ''Një njeri mbolli një vresht, ua besoi disa vreshtarëve dhe iku larg për një kohë të gjatë.
[10] Në kohën e të vjelave, dërgoi një shërbëtor tek ata vreshtarë që t'i jepnin pjesën e vet nga prodhimi i vreshtit; por vreshtarët e rrahën atë dhe e kthyen duarbosh.
[11] Ai dërgoi përsëri një shërbëtor tjetër; por ata, pasi e rrahën dhe e shanë edhe atë, e kthyen duarbosh.
[12] Ai dërgoi edhe një të tretë, por ata e plagosën edhe atë dhe e përzunë.
[13] Atëherë i zoti i vreshtit tha: "Çfarë duhet të bëj? Do të dërgoj djalin tim të dashur. Ndoshta, duke e parë atë, do ta respektojnë!".
[14] Por vreshtarët, kur e panë, thanë midis tyre: "Ky është trashëgimtari; ejani e ta vrasim që trashëgimia të na mbetet neve".
[15] Kështu e nxorën jashtë vreshtit dhe e vranë. Ç'do t'u bëjë, pra, këtyre, i zoti i vreshtit?
[16] Ai do të vijë, do t'i vrasë ata vreshtarë dhe do t'ua japë vreshtin të tjerëve''. Por ata, kur e dëgjuan këtë, thanë: ''Kështu mos qoftë''.
[17] Atëherë Jezusi, duke i shikuar në fytyrë, tha: ''Ç'është, pra, ajo që është shkruar: "Guri që ndërtuesit e kanë hedhur poshtë u bë guri i qoshes"?
[18] Kushdo që do të bjerë mbi këtë gur do të bëhet copë-copë, dhe ai mbi të cilin do të bjerë guri, do të dërrmohet''.
[19] Në këtë moment, krerët e priftërinjve dhe skribët kërkuan të vënë dorë në të, sepse e morën vesh se ai e kishte treguar atë shëmbëlltyrë për ata, por kishin frikë nga populli.
[20] Ata e përgjonin me kujdes dhe i dërguan disa spiunë të cilët, duke u paraqitur si njerëz të drejtë, ta zinin në gabim në ndonjë ligjëratë dhe pastaj t'ia dorëzonin pushtetit dhe autoritetit të guvernatorit.
[21] Këta e pyetën duke thënë: ''Mësues ne e dimë se ti flet dhe mëson drejt dhe që nuk je aspak i anshëm, por mëson rrugën e Perëndisë në të vërtetë.
[22] A është e lejueshme për ne t'i paguajmë taksë Cezarit apo jo?''.
[23] Por ai, duke e kuptuar ligësinë e tyre, u tha atyre: ''Përse më provokoni?
[24] Më tregoni një denar: e kujt është fytyra dhe mbishkrimi që ka?''. Dhe ata, duke përgjigjur, thanë: ''E Cezarit''.
[25] Atëherë ai u tha atyre: ''I jepni, pra, Cezarit atë që i përket Cezarit, dhe Perëndisë atë që është e Perëndisë''.
[26] Dhe nuk mundën ta zënë në gabim në ligjëratën e tij përpara popullit dhe, të habitur nga përgjigjja e tij, heshtën.
[27] Pastaj iu afruan disa saducej, të cilët mohojnë se ka ringjallje, dhe e pyetën,
[28] duke thënë: ''Mësues, Moisiu na la të shkruar që, nëse vëllai i dikujt vdes kishte grua dhe vdiq pa lënë fëmijë, i vëllai ta marrë gruan e tij dhe t'i ngjallë pasardhës vëllait të vet.
[29] Tashti, ishin shtatë vëllezër; i pari u martua dhe vdiq pa lënë fëmijë.
[30] I dyti e mori për grua dhe vdiq edhe ai pa lënë fëmijë.
[31] E mori pastaj i treti; dhe kështu që të shtatë vdiqën pa lënë fëmijë.
[32] Dhe pas tyre vdiq edhe gruaja.
[33] Atëherë, në ringjallje, e kujt do të jetë grua? Sepse që të shtatë e patën grua''.
[34] Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, tha atyre: ''Bijtë e kësaj bote martohen dhe martojnë;
[35] por ata që do të gjenden të denjë të kenë pjesë në botën tjetër dhe në ringjalljen e të vdekurve, nuk martohen dhe nuk martojnë;
[36] ata as nuk mund të vdesin më, sepse janë si engjëjt dhe janë bij të Perëndisë, duke qenë bij të ringjalljes.
[37] Dhe se të vdekurit do të ringjallen, e ka deklaruar vetë Moisiu në pjesën e ferrishtes, kur e quan Zot, Perëndinë e Abrahamit, Perëndinë e Isakut dhe Perëndinë e Jakobit.
[38] Ai nuk është perëndi i të vdekurve, por i të gjallëve, sepse të gjithë jetojnë për të''.
[39] Atëherë disa skribë morën fjalën dhe thanë: ''Mësues, mirë fole''.
[40] Dhe nuk guxuan më t'i bëjnë asnjë pyetje.
[41] Dhe ai i tha atyre: ''Vallë, si thonë se Krishti është Bir i Davidit?
[42] Vetë Davidi, në librin e Psalmeve, thotë: "Zoti i tha Zotit tim: Ulu në të djathtën time,
[43] derisa unë t'i vë armiqtë e tu si stol të këmbëve të tua".
[44] Davidi, pra, e quan Zot; si mund të jetë bir i tij?''.
[45] Dhe, ndërsa gjithë populli po e dëgjonte, ai u tha dishepujve të vet:
[46] ''Ruhuni nga skribët, të cilët shëtisin me kënaqësi me rroba të gjata, duan t'i përshëndesin nëpër sheshe, të jenë në vendet e para në sinagoga dhe në kryet e vendit nëpër gosti;
[47] ata gllabërojnë shtëpitë e te vejave dhe, për t'u dukur, bëjnë lutje të gjata. Ata do të marrin një dënim më të rëndë''.