[1] Tani kur Jezusi zbriti nga mali, turma të mëdha e ndiqnin.
[2] Dhe ja, një lebroz erdhi dhe e adhuroi, duke thënë: ''O Zot, po të duash, ti mund të më shërosh''.
[3] Jezusi e shtriu dorën, e preku dhe i tha: ''Po, unë dua, shërohu''. Dhe në atë çast u shërua nga lebra e tij.
[4] Atëherë Jezusi i tha: ''Ruhu se ia tregon kujt; por shko, paraqitu te prifti, bëj flijimin që ka urdhëruar Moisiu, me qëllim që kjo të jetë dëshmi për ta''.
[5] Kur Jezusi hyri në Kapernaum i erdhi një centurion duke iu lutur,
[6] dhe duke thënë: ''O Zot, shërbëtori im rri shtrirë në shtëpi i paralizuar dhe po vuan shumë''.
[7] Dhe Jezusi i tha: ''Do të vij dhe do ta shëroj''.
[8] Centurioni duke u përgjigjur i tha: ''Zot, unë nuk jam i denjë që ti të hysh nën strehën time; por thuaj vetëm një fjalë dhe shërbëtori im do të shërohet.
[9] Sepse unë jam një njeri nën urdhërin e të tjerëve, dhe i kam ushtarët nën vete; dhe, po t'i them dikujt: "Shko", ai shkon; dhe po t'i them një tjetri: "Eja", ai vjen; dhe po t'i them shërbëtorit tim: "Bëje këtë", ai e bën''.
[10] Dhe Jezusi, kur i dëgjoi këto gjëra, u mrekullua dhe u tha atyre që e ndiqnin: ''Në të vërtetë po ju them, se askund në Izrael nuk e gjeta një besim aq të madh.
[11] Unë po ju them se shumë do të vijnë nga lindja dhe nga perëndimi dhe do të ulen në tryezë me Abrahamin, me Isaakun dhe me Jakobin, në mbretërinë e qiejve,
[12] por bijtë e mbretërisë do të flaken në errësirat e jashtme. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllimi dhëmbëve''.
[13] Dhe Jezusi i tha centurionit: ''Shko dhe u bëftë ashtu si besove!''. Dhe shërbëtori i tij u shërua që në atë çast.
[14] Pastaj Jezusi hyri në shtëpinë e Pjetrit dhe pa që e vjehrra ishte në shtrat me ethe.
[15] Dhe ai ia preku dorën dhe ethet e lanë; dhe ajo u ngrit dhe nisi t'u shërbejë.
[16] Dhe kur u ngrys, i sollën shumë të pushtuar nga demonë; dhe ai, me fjalë, i dëboi frymërat dhe i shëroi të gjithë të sëmurët,
[17] që kështu të përmbushej fjala e profetit Isaia kur tha: ''Ai i mori lëngatat tona dhe i mbarti sëmundjet tona''.
[18] Tani Jezusi, duke parë rreth tij turma të mëdha, urdhëroi që të kalonin në bregun tjetër.
[19] Atëherë një skrib iu afrua dhe i tha: ''Mësues, unë do të ndjek kudo që të shkosh''.
[20] Dhe Jezusi i tha: ''Dhelprat i kanë strofkat, dhe zogjtë e qiellit i kanë çerdhet, por Biri i njeriut nuk ka as ku të mbështetë kokën''.
[21] Pastaj një tjetër nga dishepujt e tij i tha: ''O Zot, më jep më parë leje të shkoj të varros atin tim''.
[22] Por Jezusi i tha: Më ndiq, dhe lëri të vdekurit të varrosin të vdekurit e vet''.
[23] Dhe mbasi ai hipi në barkë, dishepujt e tij e ndiqnin.
[24] Dhe ja, që u ngrit në det një stuhi aq e madhe, sa valët po e mbulonin barkën, por ai flinte.
[25] Dhe dishepujt e tij iu afruan dhe e zgjuan duke i thënë: ''O Zot, na shpëto, ne po mbarojmë!''
[26] Por ai u tha atyre: ''Pse keni frikë, o njerëz besimpakë?''. Dhe, pasi u ngrit, qortoi erërat dhe detin, dhe u bë bunacë e madhe.
[27] Atëherë njërëzit u mrekulluan dhe thoshnin: ''Kush është ky, të cilit po i binden deti dhe erërat?''.
[28] Dhe kur arriti në bregun tjetër, në krahinën e Gergesenasve, i dolën para dy të demonizuar, që kishin dalë nga varret, dhe ishin aq të tërbuar sa që askush nuk mund të kalonte në atë udhë.
[29] Dhe ja, ata filluan të bërtasin duke thënë: ''Ç'është mes nesh dhe ty, Jezus, Biri i Perëndisë? Mos ke ardhur këtu të na mundosh para kohe?''.
[30] Jo larg tyre një tufë e madhe derrash po kulloste.
[31] Dhe demonët iu lutën duke i thënë: ''Në qoftë se na dëbon, na lejo të shkojmë në atë tufë derrash''.
[32] Dhe ai u tha atyre: ''Shkoni!''. Kështu ata, pasi dolën, hynë në atë tufë derrash; dhe ja, gjithë ajo tufë u hodh nga gremina në det, dhe u mbyt në ujë.
[33] Dhe ata që i kullotnin ikën dhe, kur shkuan në qytet, i treguan të gjitha këto gjëra, duke përfshirë ngjarjen e të demonizuarve.
[34] Dhe ja, gjithë qyteti i doli para Jezusit; dhe, kur e panë, iu lutën që të largohej prej vendit të tyre.