Skip to content
Opens in a new window

[1] Dhe Jezusi, nisi përsëri t'u flasë atyre me shëmbëlltyra, duke thënë:

[2] ''Mbretëria e qiejve i ngjan një mbreti, i cili përgatiti dasmën e të birit.

[3] Dhe dërgoi shërbëtorët e vet për të thirrur të ftuarit në dasmë, por ata nuk deshën të vijnë.

[4] Dërgoi përsëri shërbëtorë të tjerë duke thënë: "U thoni të ftuarve: Ja unë e kam shtruar drekën time, viçat e mi dhe bagëtia ime e majmur janë therur dhe gjithçka është gati; ejani në dasmë".

[5] Por ata, pa e përfillur, shkuan: dikush në arën e vet e dikush në punët e veta.

[6] Dhe të tjerët, mbasi kapën shërbëtorët e tij, i shanë dhe i vranë.

[7] Mbreti atëhërë, kur dëgjoi këtë, u zemërua dhe dërgoi ushtritë e veta për të shfarosur ata gjaksorë dhe dogji qytetin e tyre.

[8] Atëherë u tha shërbëtorëve të vet: "Dasma është gati, por të ftuarit nuk ishin të denjë.

[9] Shkoni, pra, në udhëkryqe dhe ftoni në dasmë këdo që të gjeni."

[10] Dhe ata shërbëtorët dolën nëpër rrugë, mblodhën të gjithë ata që gjetën, të këqij dhe të mirë, dhe vendi i dasmës u mbush me të ftuar.

[11] Atëherë mbreti hyri për të parë të ftuarit dhe gjeti aty një njeri që nuk kishte veshur rrobë dasme;

[12] dhe i tha: "Mik, si hyre këtu pa pasur rrobë dasme?". Dhe ai mbylli gojën.

[13] Atëherë mbreti u tha shërbëtorëve: "Lidheni duar dhe këmbë, kapeni dhe hidheni në errësirat e jashtme. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllim dhëmbësh".

[14] Sepse shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur''.

[15] Atëherë farisenjtë u veçuan dhe bënin këshill se si ta zinin gabim në fjalë.

[16] Dhe i dërguan dishepujt e tyre bashkë me herodianët, për t'i thënë: ''Mësues, ne e dimë se ti je i vërtetë dhe që mëson udhën e Perëndisë në të vërtetë, pa marrë parasysh njeri, sepse ti nuk shikon pamjen e jashtme të njerëzve.

[17] Na thuaj, pra: Si e mendon? A është e ligjshme t'i paguhet taksa Cezarit apo jo?''.

[18] Por Jezusi, duke e njohur ligësinë e tyre, tha: ''Pse më tundoni, o hipokritë?

[19] Më tregoni monedhën e taksës''. Atëherë ata i treguan një denar.

[20] Dhe ai u tha atyre: ''E kujt është kjo fytyrë dhe ky mbishkrim?''.

[21] Ata i thanë: ''E Cezarit''. Atëherë ai u tha atyre: ''Jepni, pra, Cezarit atë që i përket Cezarit dhe Perëndisë atë që i përket Perëndisë''.

[22] Dhe ata, kur e dëgjuan këtë, u mrekulluan, e lanë, dhe ikën.

[23] Po atë ditë erdhën tek ai saducenjtë, të cilët thonë se nuk ka ringjallje, dhe e pyetën

[24] duke thënë: ''Mësues, Moisiu ka thënë: "Në se dikush vdes pa lënë fëmijë, i vëllai le të martohet me gruan e tij, për t'i lindur trashëgimtarë vëllait të tij.

[25] Tani ndër ne ishin shtatë vëllezër; i pari u martua dhe vdiq dhe duke mos pasë trashëgimtarë, ia la gruan vëllait të vet.

[26] Kështu edhe i dyti dhe i treti, deri tek i shtati.

[27] Në fund vdiq edhe gruaja.

[28] Në ringjallje, pra, e kujt nga këta të shtatë do të jetë grua? Sepse të gjithë e patën gruaja''.

[29] Por Jezusi, duke u përgjigjur u tha atyre: ''Ju bëni gabim, sepse nuk e kuptoni as Shkrimin as pushtetin e Perëndisë.

[30] Në ringjallje, pra, as martohen as martojnë, por ata do të jenë në qiell si engjëjt e Perëndisë.

[31] Pastaj sa për ringjalljen e të vdekurve, a nuk e keni lexuar ç'ju ishte thënë nga Perëndia kur thotë:

[32] "Unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe i Jakobit"? Perëndia nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve''.

[33] Dhe turmat, kur i dëgjuan këto gjëra, habiteshin nga doktrina e tij.

[34] Atëherë farisenjtë, kur dëgjuan se ai ua kishte zënë gojën saducenjve, u mblodhën tok.

[35] Dhe një nga ata, mësues i ligjit, e pyeti për të vënë në provë, duke thënë:

[36] ''Mësues, cili është urdhërimi i madh i ligjit?''.

[37] Dhe Jezusi i tha: ''"Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde".

[38] Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi.

[39] Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: "Duaje të afërmin tënd porsi vetveten".

[40] Nga këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët''.

[41] Tani, kur u mblodhën farisenjtë, Jezusi i pyeti:

[42] ''Ç'u duket juve për Krishtin? Biri i kujt është?''. Ata i thanë: ''I Davidit''.

[43] Ai u tha atyre: ''Si pra Davidi, në Frymë, e quan Zot, duke thënë:

[44] "Zoti i ka thënë Zotit tim: Ulu në të djathtën time, deri sa unë t'i vë armiqtë e tu si stol të këmbëve të tua"?

[45] Në qoftë se Davidi e quan Zot, si mund të jetë biri i tij?''.

[46] Por asnjë nuk ishte në gjendje t'i përgjigjej; dhe, që nga ajo ditë, askush nuk guxoi ta pyesë më.

Mateu — Chapters