Skip to content
Opens in a new window

[1] Në atë kohë Jezusi po ecte një të shtunë nëpër arat me grurë; dhe dishepujt e vet, të uritur, filluan të këpusin kallinj dhe t'i hanë.

[2] Por farisenjtë, kur panë këtë, i thanë: ''Ja, dishepujt e tu po bëjnë atë që nuk është e lejueshme të bëhet të shtunën''.

[3] Dhe ai u tha atyre: ''A nuk keni lexuar vallë se ç'bëri Davidi kur pati uri, ai dhe ata që qenë me të?

[4] Si ai hyri në shtëpinë e Perëndisë dhe hëngri bukët e paraqitjes, të cilat nuk lejohej t'i hante as ai e as ata që ishin me të, por vetëm priftërinjtë?

[5] Apo nuk keni lexuar në ligj që në tempull, të shtunave, priftërinjtë e shkelin të shtunën dhe megjithatë nuk mëkatojnë?

[6] Dhe unë po ju them se këtu është një më i madh se tempulli.

[7] Dhe, po të dinit se çfarë do të thotë: "Unë dua mëshirë dhe jo flijime", nuk do të kishit dënuar të pafajshmit.

[8] Sepse Biri i njeriut është zot edhe i së shtunës''.

[9] Pastaj, mbasi u largua që andej, hyri në sinagogën e tyre;

[10] dhe ja, aty ishte një burrë të cilit i qe tharë dora. Ata e pyetën Jezusin, me qëllim që ta padisin më pas: ''A është e lejueshme që dikush të shërojë ditën e shtunë?''.

[11] Dhe ai u tha atyre: ''A ka ndonjë prej jush që ka një dele, dhe ajo bie në një gropë ditën e shtunë, dhe e ai nuk shkon ta nxjerrë jashtë?

[12] E, pra, sa më i vlefshëm është njeriu se delja! A është, pra, e lejueshme të bësh të mirën të shtunën?''.

[13] Atëherë ai i tha atij burri: ''Shtrije dorën tënde!''. Dhe ai e shtriu dhe ajo iu shëndosh si tjetra.

[14] Por farisenjtë, mbasi dolën jashtë, bënin këshill kundër tij si ta vrasin.

[15] Por kur Jezusi e mori vesh u largua prej andej dhe turma të mëdha e ndiqnin dhe ai i shëroi të gjithë,

[16] dhe i urdhëroi ata rreptësisht të mos thonin kush ishte ai,

[17] me qëllim që të përmbushej ç'ishte thënë nëpërmjet profetit Isaia që thotë:

[18] ''Ja shërbëtori im, që unë e zgjodha; i dashuri im, në të cilin shpirti im është i kënaqur. Unë do ta vë Frymën tim mbi të dhe ai do t'u shpall drejtësinë popujve.

[19] Ai nuk do të zihet dhe as nuk do të bërtasë dhe askush nuk do t'ia dëgjojë zërin e tij nëpër sheshe.

[20] Ai nuk do ta thërmojë kallamin e thyer dhe nuk do ta shuajë kandilin që bën tym, deri sa të mos e ketë bërë të triumfojë drejtësinë.

[21] Dhe njerëzit do të shpresojnë në emrin e tij''.

[22] Atëherë i paraqitën një të idemonizuar, që ishte i verbër dhe memec; dhe ai e shëroi, kështu që i verbëri e memeci fliste dhe shikonte.

[23] Dhe mbarë turmat çuditeshin dhe thonin: ''A mos është ky i Biri i Davidit?''.

[24] Por farisenjtë, kur e dëgjuan këtë, thanë: ''Ky i dëbon demonët vetëm me fuqinë e Beelzebubit, princit të demonëve''.

[25] Dhe Jezusi, duke njohur mendimet e tyre, u tha: ''Çdo mbretëri, që përçahet në vetvete, shkon drejt shkatërrimit; dhe çdo qytet ose shtëpi, që përçahet në vetvete, nuk shkon gjatë.

[26] Atëherë, në qoftë se Satani dëbon Satanë, ai është përçarë në vetvete, dhe si mund të qëndrojë mbretëria e tij?

[27] Dhe në qoftë se unë i dëboj djajtë me ndihmën e Beelzebubit, me ndihmën e kujt i dëbojnë bijtë tuaj? Prandaj ata do të jenë gjykatësit tuaj.

[28] Por, në qoftë se unë i dëboj djajtë me ndihmën e Frymës së Perëndisë, atëherë mbretëria e Perëndisë ka ardhur në mes tuaj.

[29] Ose, si mund të hyjë dikush në shtëpinë e të fuqishmit dhe t'i grabisë pasurinë, po të mos e ketë lidhur më parë të fuqishmin? Vetëm atëherë ai do të mund t'ia plaçkisë shtëpinë.

[30] Kush nuk është me mua, është kundër meje dhe kush nuk mbledh me mua, shkapërderdh.

[31] Prandaj unë po ju them: Çdo mëkat dhe blasfemi do t'u falet njerëzve; por blasfemia kundër Frymës nuk do t'u falet atyre.

[32] Dhe kushdo që flet kundër Birit të njeriut do të falet; por ai që flet kundër Frymës së Shenjtë nuk do të falet as në këtë botë as në atë të ardhme''.

[33] ''Ose bëjeni të mirë pemën dhe fryti i saj do të jetë i mirë, ose bëjeni të keqe pemën dhe fryti i saj do të jetë i keq; sepse pema njihet nga fryti.

[34] O pjellë nepërkash! Si mund të flisni mirë, kur jeni të këqij? Sepse ç'ka zemra qet goja.

[35] Njeriu i mirë nga thesari i mirë i zemrës nxjerr gjëra të mira; por njeriu i keq nxjerr gjëra të këqija nga thesari i tij i keq.

[36] Por unë po ju them se ditën e gjyqit njërëzit do të japin llogari për çdo fjalë të kotë që kanë thënë.

[37] Sepse në bazë të fjalëve të tua do të justifikohesh, dhe në bazë të fjalëve të tua do të dënohesh''.

[38] Atëherë disa skribë dhe farisenj e pyetën duke thënë: ''Mësues, ne duam të shohim ndonjë shenjë prej teje''.

[39] Por ai duke iu përgjigjur u tha atyre: ''Ky brez i mbrapshtë dhe kurorëshkelës kërkon një shenjë, por asnjë shenjë nuk do t'i jepet, përveç shenjës së profetit Jona.

[40] Në fakt ashtu si Jona qëndroi tri ditë e tri net në barkun e peshkut të madh, kështu Biri i njeriut do të qëndrojë tri ditë e tri net në zemër të tokës.

[41] Banorët e Ninivit do të ringjallen në gjyq bashkë me këtë brez dhe do ta dënojnë, sepse ata u penduan me predikimin e Jonas; dhe ja, këtu është një më i madh se Jona.

[42] Mbretëresha e jugut do të ringjallet në gjyq bashkë me këtë brez dhe do ta dënojë, sepse ajo erdhi nga skaji më i largët i tokës për të dëgjuar diturinë e Salomonit; dhe ja, këtu është një më i madh se Salomoni.

[43] Tani kur fryma e ndyrë ka dalë nga një njeri, endet nëpër vende të thata, duke kërkuar qetësi, por nuk e gjen.

[44] Atëherë thotë: "Do të kthehem në shtëpinë time, nga kam dalë"; po kur arrin e gjen të zbrazët, të pastruar dhe të zbukuruar;

[45] atëherë shkon e merr me vete shtatë frymëra të tjera më të liga se ai, të cilët hyjnë dhe banojnë aty; kështu gjendja e fundit e këtij njeriut bëhet më e keqe nga e mëparshmja. Kështu do t'i ndodhë edhe këtij brezi të mbrapshtë''.

[46] Ndërsa ai vazhdonte t'u fliste turmave, ja nëna e tij dhe vëllezërit e tij po rrinin jashtë dhe kërkonin të flisnin me të.

[47] Dhe dikush i tha: ''Ja, nëna jote dhe vëllezërit e tu janë atje jashtë dhe duan të flasin me ty''.

[48] Por ai duke iu përgjigjur, i tha atij që e kishte lajmëruar: ''Kush është nëna ime dhe kush janë vëllezërit e mi?''.

[49] E shtriu dorën e vet drejt dishepujve të vet dhe tha: ''Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi.

[50] Sepse kushdo që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej, më është vëlla, motër dhe nënë''.

Mateu — Chapters