Skip to content
Opens in a new window

[1] ''Atëherë mbretëria e qiejve do t'u ngjajë dhjetë virgjëreshave, të cilat i morën llampat e tyre, dhe i dolën para dhëndrit.

[2] Tani pesë nga ato ishin të mençura dhe pesë budallaçka.

[3] Budallaçkat, kur morën llampat e tyre, nuk morën me vet vajin;

[4] kurse të mençurat, bashkë me llampat, morën edhe vajin në enët e tyre.

[5] Tani, duke qenë se dhëndri po vononte, dremitën të gjitha dhe i zuri gjumi.

[6] Aty nga mesnata u dëgjua një britmë: "Ja, po vjen dhëndri, i dilni para!".

[7] Atëherë të gjitha ato virgjëreshat u zgjuan dhe përgatitën llampat e tyre.

[8] Dhe budallaçkat u thanë të mençurave: "Na jepni nga vaji juaj, sepse llampat tona po na fiken".

[9] Por të mençurat duke u përgjigjur thanë: "Jo, sepse nuk do të mjaftonte as për ne e as për ju; më mirë shkoni te tregtarët dhe e blini".

[10] Tani kur ato shkuan ta blejnë, erdhi dhëndri; virgjëreshat që ishin gati, hynë bashkë me të në dasmë; dhe dera u mbyll.

[11] Më pas erdhën edhe virgjëreshat e tjera, duke thënë: "Zot, zot, hapna".

[12] Por ai, duke u përgjigjur, tha: "Në të vërtetë po ju them se nuk ju njoh".

[13] Prandaj rrini zgjuar, sepse nuk e dini as ditën as orën në të cilët do të vijë Biri i njeriut''.

[14] ''Mbretëria e qiejve i ngjan gjithashtu një njeriu, që, kur po nisej për një udhëtim, i thirri shërbëtorët e tij dhe u besoi pasuritë e veta.

[15] Njërit i dha pesë talenta, tjetrit dy dhe një tjetri një; secilit sipas zotësisë së tij; dhe u nis fill.

[16] Tani ai që kishte marrë të pesë talentat shkoi, dhe bëri tregti me to dhe fitoi pesë të tjerë.

[17] Po ashtu edhe ai që kishte marrë dy talenta fitoi edhe dy të tjerë.

[18] Por kurse ai që kishte marrë një, shkoi, hapi një gropë në dhe dhe e fshehu denarin e zotit të vet.

[19] Tani mbas një kohe të gjatë, u kthye zoti i atyre shërbëtorëve dhe i bëri llogaritë me ta.

[20] Dhe ai që kishte marrë të pesë talentat doli përpara dhe i paraqiti pesë të tjerë, duke thënë: "Zot, ti më besove pesë talenta; ja, me ato unë fitova pesë talenta të tjerë".

[21] Dhe i zoti i tha: "Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik; ti u tregove besnik në gjëra të vogla, unë do të të vë mbi shumë gjëra; hyr në gëzimin e zotit tënd".

[22] Pastaj erdhi edhe ai që kishte marrë të dy talenta dhe tha: "Zot, ti më besove dy talenta; ja, me ato unë fitova dy talenta të tjerë".

[23] Dhe zoti i tij i tha: "Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik; ti u tregove besnik në gjëra të vogla; unë do të të vë mbi shumë gjëra; hyr në gëzimin e zotit tënd".

[24] Në fund erdhi edhe ai që kishte marrë vetëm një talent dhe tha: "Zot, unë e dija se je njeri i ashpër, që korr atje ku nuk ke mbjellë dhe vjel ku nuk ke shpërndarë,

[25] prandaj pata frikë dhe shkova dhe e fsheha talentin tënd nën tokë; ja, unë po ta kthej".

[26] Dhe i zoti duke i përgjigjur i tha: "Shërbëtor i mbrapshtë dhe përtac, ti e dije se unë korr atje ku nuk kam mbjellë dhe vjel aty ku nuk kam shpërndarë;

[27] Ti duhet t'ia kishe besuar denarin tim bankierëve dhe kështu, në kthimin tim, do ta kisha marrë me interes.

[28] Prandaj ia hiqni këtij talentin dhe ia jepni atij që ka dhjetë talenta.

[29] Sepse atij që ka do t'i jepet edhe më e do të ketë me bollëk të madh, por atij që nuk ka, do t'i merret edhe ajo që ka.

[30] Dhe flakeni në errësirën e jashtme këtë shërbëtor të pavlefshëm. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllim dhëmbësh"''.

[31] ''Dhe kur të vijë Biri i njeriut në lavdinë e tij, bashkë me të gjithë engjëjt e shenjtë, atëherë do të ulet mbi fronin e lavdisë së vet.

[32] Dhe të gjithë kombet do të mblidhen para tij; dhe ai do ta ndajë njërin nga tjetri ashtu si i ndan bariu delet nga cjeptë.

[33] Dhe delet do t'i vërë në të djathtën e tij dhe cjeptë në të majtën.

[34] Atëherë Mbreti do t'u thotë atyre që do të jenë në të djathtën e tij: "Ejani, të bekuar të Atit tim; merrni në trashëgim mbretërinë që u bë gati për ju që nga krijimi i botës.

[35] Sepse pata uri dhe më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe më dhatë për të pirë; isha i huaj dhe më pritët,

[36] isha i zhveshur dhe më veshët, isha i sëmurë dhe ju më vizitonit, isha në burg dhe erdhët tek unë".

[37] Atëherë të drejtët do t'i përgjigjen duke thënë: "Zot, kur të pamë të uritur dhe të dhamë për të ngrënë; ose të etur dhe të dhamë për të pirë?

[38] Dhe kur të pamë të huaj dhe të pritëm ose të zhveshur dhe të veshëm?

[39] Dhe kur të pamë të lënguar ose në burg dhe erdhëm te ti?".

[40] Dhe Mbreti duke iu përgjigjur do t'u thotë: "Në të vërt etë po ju them: sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua.

[41] Pastaj ai do t'u thotë edhe atyre që do të jenë në të majtë: "Largohuni nga unë, të mallkuar, në zjarr të përjetshëm, të përgatitur për djallin dhe engjëjt e tij.

[42] Sepse pata uri dhe nuk më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe nuk më dhatë për të pirë,

[43] isha i huaj dhe nuk më pritët, i zhveshur dhe nuk më veshët, i sëmurë dhe në burg dhe nuk erdhët të më shihni".

[44] Atëherë edhe ata do t'i përgjigjen duke thënë: "Zot, kur të pamë të uritur ose të etur, ose të huaj, ose të zhveshur, ose të lëngatë ose në burg dhe nuk të shërbyem?".

[45] Atëherë ai do t'u përgjigjet atyre duke thënë: "Në të vërtetë ju them: sa herë nuk ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre më të vegjëlve, këtë nuk ma bëtë as edhe mua".

[46] Dhe ata do të shkojnë në mundim të përjetshëm, dhe të drejtët në jetën e përjetshme''.

Mateu — Chapters