[1] Në atë kohë Herodi, tetrarku, mori vesh famën e Jezusit,
[2] dhe u tha shërbëtorëve të vet: ''Ky është Gjon Pagëzori; ai u ngjall së vdekuri dhe prandaj fuqitë e mbinatyrshme veprojnë në të''.
[3] Herodi, në fakt, e kishte arrestuar Gjonin, i kishte hedhur prangat dhe e kishte futur në burg, për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të vet.
[4] Sepse Gjoni i thoshte: ''Nuk është e lejueshme të bashkëjetosh me të!''.
[5] Dhe, ndonëse donte ta vriste, Herodi kishte frikë nga populli që e konsideronte Gjonin profet.
[6] Kur po festohej ditëlindja e Herodit, e bija e Herodiadës vallëzoi përpara tij dhe i pëlqeu Herodit
[7] aq shumë, sa ai i premtoi asaj me betim se do t'i jepte çfarëdo që t'i kërkonte.
[8] Dhe ajo, e shtyrë nga e ëma, tha: ''Ma jep këtu, mbi një pjatë, kokën e Gjon Pagëzorit''.
[9] Mbretit i erdhi keq, po për shkak të betimit dhe të ftuarve që ishin me të në tryezë, urdhëroi që t'ia japin.
[10] Kështu dërgoi dikë për t'i prerë kokën Gjon Pagëzorit në burg;
[11] dhe kokën e tij e prunë mbi një pjatë dhe ia dhanë vajzës; ajo ia çoi s'ëmës.
[12] Pastaj erdhën dishepujt e tij, e morën trupin dhe e varrosën, mandej ata shkuan dhe ia treguan ngjarjen Jezusit.
[13] Kur Jezusi i dëgjoi këto, u nis që andej me një barkë dhe u tërhoq në vetmi, në një vend të shkretë. Dhe turmat, kur e morën vesh, e ndiqnin në këmbë nga qytetet.
[14] Dhe Jezusi, kur doli nga barka, pa një turmë të madhe, pati dhembshuri për të dhe shëroi ata që ishin të sëmurë.
[15] Pastaj në mbrëmje dishepujt e tij iu afruan dhe i thanë: ''Ky vend është i shkretë dhe u bë vonë; lejo turmat të shkojnë nëpër fshatra për të blerë ushqime''.
[16] Por Jezusi u tha atyre: ''Nuk është nevoja të shkojnë; u jepni juve të hanë''.
[17] Dhe ata i thanë: ''Ne këtu nuk kemi tjetër përveç pesë bukë dhe dy peshq''.
[18] Dhe ai u tha: ''M'i sillni këtu''.
[19] Atëherë i urdhëroi që turmat të ulen mbi bar; pastaj i mori pesë bukët dhe dy peshqit dhe, pasi i çoi sytë drejt qiellit, i bekoi; i ndau bukët dhe ua dha dishepujve, dhe dishepujt turmave.
[20] Dhe të gjithë hëngrën dhe u ngopën; pastaj dishepujt mblodhën tepricat në dymbëdhjetë kosha plot.
[21] Dhe ata që hëngrën ishin rreth pesë mijë burra, pa i numëruar gratë dhe fëmijët.
[22] Fill pas kësaj Jezusi i detyroi dishepujt e vet të hyjnë në barkë dhe t'i prijnë në bregun tjetër, deri sa ai t'i lëshojë turmat.
[23] Mbasi i nisi ato, u ngjit vetëm mbi mal për t'u lutur. Dhe kur u ngrys ai gjëndej aty, i vetëm fare.
[24] Ndërkaq barka ndodhej në mes të detit; dhe përplasej nga valët sepse era i ishte e kundërt.
[25] Në rojën e katërt të natës, Jezusi shkoi drejt tyre, duke ecur mbi det.
[26] Dishepujt duke parë atë që po ecte mbi det, u trembën dhe thanë: ''Éshtë një fantazmë!''. Dhe filluan të bërtasin nga frika;
[27] por menjëherë Jezusi u foli atyre duke thënë: ''Qetësohuni; jam unë, mos kini frikë!''.
[28] Dhe Pjetri, duke u përgjigjur tha: ''Zot, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti mbi ujëra''.
[29] Ai tha: ''Eja!''. Dhe Pjetri zbriti nga barka dhe eci mbi ujëra, për të shkuar te Jezusi.
[30] Por, duke parë erën e fortë, kishte frikë, dhe duke filluar të fundosej, bërtiti duke thënë: ''O Zot, shpëtomë!''.
[31] Dhe Jezusi ia zgjati menjëherë dorën, e zuri dhe i tha: ''O njeri besimpak, pse dyshove?''.
[32] Pastaj, kur hynë në barkë, era pushoi.
[33] Atëherë ata që ishin në barkë erdhën dhe e adhuruan, duke thënë: ''Me të vërtetë ti je Biri i Perëndisë!''.
[34] Pastaj, mbasi dolën në bregun tjetër, erdhën në krahinën e Gjenezaretit.
[35] Dhe njerëzit e atij vendi, sapo e njohën, e përhapën fjalën në gjithë krahinën përreth; dhe i sollën të gjithë të sëmurët;
[36] dhe iu lutën që të mund t'i preknin të paktën cepin e rrobes së tij; dhe të gjithë ata që e prekën u shëruan plotësisht.