Skip to content
Opens in a new window

[1] "O ju të gjithë që keni etje, ejani tek ujërat, dhe ju që nuk keni para ejani, blini dhe hani! Ejani, blini pa para dhe pa paguar verë dhe qumësht!

[2] Pse shpenzoni para për atë që nuk është bukë dhe fryt i mundit tuaj, për atë që nuk të ngop? Dëgjomëni me kujdes dhe do të hani atë që është e mirë, dhe shpirti juaj do të shijojë ushqime të shijshme.

[3] Vini veshin dhe ejani tek unë, dëgjoni dhe shpirti juaj do të jetojë; dhe unë do të bëj me ju një besëlidhje të përjetshme, sipas hirit të qëndrueshëm që i premtova Davidit.

[4] Ja, unë ia dhashë si dëshmitar popujve, si princ dhe komandant të popujve.

[5] Ja, ti do të thërrasësh një komb që nuk e njeh, dhe një komb që nuk të njeh do të vrapojë te ti, për shkak të Zotit, Perëndisë tënd, dhe të Shenjtit të Izraelit, sepse ai të ka përlëvduar".

[6] Kërkoni Zotin ndërsa mund të gjendet, e thirrni ndërsa është afër.

[7] I pabesi le ta lërë rrugën e tij dhe njeriu i padrejtë mendimet e tij, dhe le të kthehet tek Zoti që të ketë dhembshuri për të, tek Perëndia ynë që fal bujarisht.

[8] "Duke qenë se mendimet e mia nuk janë mendimet tuaja, dhe as rrugët tuaja nuk janë rrugët e mia", thotë Zoti.

[9] "Ashtu si qiejtë janë më të lartë se toka, kështu edhe rrugët e mia janë më të larta se rrugët tuaja dhe mendimet e mia janë më të larta se mendimet tuaja.

[10] Ashtu si shiu dhe bora zbresin nga qielli dhe nuk kthehen prapa pa vaditur tokën, pa e bërë pjellore, pa bërë që të mbij në mënyrë që ai që do të mbjellëtë marrë farën dhe të sigurojë bukën për të ngrënë,

[11] Kështu do të jetë fjala ime e dalë nga goja ime; ajo nuk do të më kthehet bosh mua, pa kryer atë që dëshiroj dhe pa realizuar plotësisht atë për të cilën e dërgova.

[12] Sepse ju do të niseni me gëzim dhe do t'ju kthejnë në paqe. Malet dhe kodrat do të shpërthejnë në britma gëzimi përpara jush dhe tërë drurët e fushave do të duartrokasin.

[13] Në vend të ferrave do të rritet selvia, në vend të hithrave do të rritet mersina; kjo do të jetë për Zotin një titull lavdie, një shenjë e përjetshme që nuk do të shkatërrohet".

Isaia — Chapters