[1] Afrohuni, o kombe, për të dëgjuar; o popuj, kini kujdes. Le të dëgjojë toka dhe gjithçka që është në të, bota dhe gjithçka që ajo prodhon.
[2] Sepse Zoti është zemëruar me të gjitha kombet, është indinjuar me të gjitha ushtritë e tyre; ai ka vendosur shkatërrimin e tyre, i braktis në masakër.
[3] Të vrarët e tyre do të hidhen tutje, kufomat e tyre do të qelben dhe malet do të shkrihen me gjakun e tyre.
[4] Tërë ushtria e qiellit do të zhduket, qiejtë do të mblidhen rrotull si një libër, por tërë ushtria e tyre do të bjerë, ashtu si bie gjethi nga hardhia, si bie një fryt i fishkur nga fiku.
[5] Me qenë se shpata ime është dehur në qiell, ja ajo po gatitet të bjerë mbi Edomin, mbi popullin që kam vendosur të shfaroset, për të vënë në vend drejtësinë.
[6] Shpata e Zotit është plot me gjak, është ngopur me dhjamë, me gjakun e qengjave dhe të cjepve, me dhjamin e veshkave të deshve; sepse Zoti bën një flijim në Botsrah dhe një kërdi të madhe në vendin e Edomit.
[7] Bashkë me ta bien buaj, mëzetër tok me dema; toka e tyre është vaditur me gjak, pluhuri i tyre është ngopur me dhjamë.
[8] Sepse është dita e hakmarrjes të Zotit, viti i shpërblimit për çështjen e Sionit.
[9] Përrenjtë do të kthehen në katran, pluhuri i vet në squfur, toka e vet do të bëhet rrëshirë e zjarrtë.
[10] Nuk do të shuhet as ditën as natën, tymi i tij do të ngjitet përjetë; do të mbetet e shkretë brez pas brezi, askush nuk do të kalojë mbi të.
[11] Zotër të tij do të bëhen pelikani dhe iriqi dhe do të banojnë aty kukuvajka dhe korbi. Zoti do të shtrijë mbi të litarin e dëshpërimit, plumbçen e boshllëkut.
[12] Do t'i thërrasin fisnikët në mbretëri, por nuk do ketë asnjë prej tyre, dhe tërë princat janë katandisur në hiç.
[13] Në pallatet e tij do të rriten gjemba, në fortesat e tij hithra dhe carangtha; do të bëhet banesë për çakejtë, një vend i rrethuar për strucat.
[14] Kafshët e shkretëtirës do të takohen me kafshët që ulërijnë, cjeptë do të thërrasin njeri tjetrin; do të vendosen aty edhe kukuvajkat dhe do të gjejnë një vend pushimi.
[15] Do të bëjë folenë e vet gjarpëri-shigjetë, do të lëshojë aty vezët, do t'i çelë dhe do t'i mbledhë në hijen e tij të vegjëlit e vet, aty do të mblidhen edhe hutat, secili me shokun e vet.
[16] Kërkoni në librin e Zotit dhe lexoni: asnjë prej tyre nuk do të mungojë, askujt nuk do t'i mungojë shoku i vet, sepse e ka urdhëruar goja e tij dhe e ka mbledhur Fryma e tij.
[17] Ai vetë e ka hedhur shortin për ta, dhe dora e tij e ka ndarë midis tyre me vijën e matjes; do ta zotërojnë për gjithnjë; do të banojnë aty brez pas brezi.