Skip to content
Opens in a new window

[1] Ja, një mbret do të mbretërojë me drejtësi dhe princat do të qeverisin me paanësi.

[2] Secili prej tyre do të jetë si një mbrojtje nga era dhe një strehë kundër uraganit, si rrëke uji në një vend të thatë, si hija e një shkëmbi të madh në një tokë të zhuritur.

[3] Sytë e atyre që shohin nuk do t'u erren më dhe veshët e atyre që dëgjojnë do të jenë të vëmendshëm.

[4] Zemra e njerëzve të pamend do të fitojë njohuri dhe gjuha e atyre që belbëzojnë do të flasë shpejt dhe qartë.

[5] Njeriu i përçmuar nuk do të thirret më fisnik, as i pandershmi nuk do të thirret i pavlerë.

[6] Sepse njeriu i përçmuar thotë gjëra të neveritshme dhe zemra e tij jepet pas paudhësisë, për të kryer pabesi dhe për të thënë gjëra pa respekt kundër Zotit, për ta lënë bosh stomakun e të uriturit dhe për ta lënë thatë atë që vuan nga etja.

[7] Armët e të pandershmit janë të poshtra; ai kurdis plane të këqija për të shkatërruar të mjerin me fjalë gënjeshtare, edhe kuri mjeri pohon të drejtën.

[8] Por njeriu fisnik mendon plane fisnike dhe i vë vetes qëllime fisnike.

[9] Çohuni, o gra që jetoni në bollëk, dhe dëgjoni zërin tim; o bija pa mend, ia vini veshin fjalës sime!

[10] Brenda një viti dhe disa ditëve ju do të dridheni, o gra pa mend, sepse vjelja e rrushit do të shkojë keq dhe korrje nuk do të ketë.

[11] Fërgëlloni, o gra që jetoni në bollëk, dridhuni o ju gra pa mend. Hiqni veshjet tuaja, zhvishuni dhe vini një grethore në ijët,

[12] duke i rënë gjoksit nëpër arat e mira dhe nëpër vreshtat prodhimtare.

[13] Mbi tokën e popullit tim do të rriten gjemba dhe ferra; po, mbi të gjitha shtëpitë e gëzimit të qytetit të qejfeve.

[14] Sepse pallati do të braktiset, qyteti i zhurmshëm do të shkretohet, Ofeli dhe kulla do të bëhen për gjithnjë shpella gëzimi për gomarët e egër dhe kullotë për kopetë.

[15] deri sa mbi ne të përhapet Fryma nga lart, shkretëtira të bëhet pemishte dhe pemishtja të konsiderohet si një pyll.

[16] Atëherë i drejti do të banojë në shkretëtirë dhe drejtësia do të banojë në pemishte.

[17] Pasojë e drejtësisë do të jetë paqja, rezultat i drejtësisë qetësia dhe siguria përjetë.

[18] Populli im do të banojë në një vend paqeje, në banesa të sigurta dhe në vende të qeta pushimi,

[19] edhe sikur të binte breshër mbi pyllin dhe qyteti të ulej shumë.

[20] Lum ju që mbillni në breg të të gjithë ujërave dhe që lini të shkojë e lirë këmba e kaut dhe e gomarit.

Isaia — Chapters