Skip to content
Opens in a new window

[1] Profecia mbi Egjiptin. Ja Zoti që kalëron mbi një re të lehtë dhe hyn në Egjipt. Idhujt e Egjiptit lëkunden para tij, dhe zemra e Egjiptasve po mpaket brenda tyre.

[2] "Do t'i nxis Egjiptasit njëri kundër tjetrit, secili do të luftojë kundër vëllait të vet, dhe secili kundër të afërmit të tij, qyteti kundër qytetit, mbretëria kundër mbretërisë.

[3] Fryma e Egjiptit do të ligështohet në mes të tij dhe unë do të shkatërroj planet e tij; kështu ata do të konsultojnë idhujt dhe yshtësit, mediumet dhe magjistarët.

[4] Do ta dorëzoj Egjiptin në duart e një padroni të ashpër dhe një mbret mizor do të sundojë mbi të, thotë Zoti, Zoti i ushtrive.

[5] Ujërat e detit do të thahen, lumi do të shterojë dhe do të thahet.

[6] Lumenjtë do të bëhen të neveritshëm, kanalet e Egjiptit do të zbrazen dhe do të thahen, po kështu do të thahen edhe kallamishtet e xunkthat.

[7] Luadhët pranë Nilit, në grykëderdhjen e tij dhe të gjitha arat e mbjella gjatë lumit do të thahen, do të fshihen dhe do të zhduken.

[8] Peshkatarët do të rënkojnë, tërë ata që hedhin grepin në Nil do të ankohen dhe ata që hedhin rrjetat e tyre në ujë do të ligështohen.

[9] Ata që punojnë lirin e krehur dhe endësit e pambukut do të çoroditen.

[10] Themelet e tyre do të prishen dhe gjithë punëtorët me mëditje do të trishtohen.

[11] Me siguri princat e Tsoanit janë budallenj; këshilltarët më të urtë të Faraonit japin këshilla të paarsyeshme. Si mund t'i thoni Faraonit: "Unë jam bir i njerëzve të urtë, bir i mbretërve të lashtë"?

[12] Ku janë tani njerëzit e tu të urtë? Le të ta deklarojnë tani dhe të pranojnë atë që Zoti i ushtrive ka vendosur kundër Egjiptit.

[13] Princat e Tsoanit janë bërë budallenj, princat e Nofit gabohen; ata që janë guri i qoshes në fiset e tij që e kanë bërë Egjiptin të marrë rrugë të gabuar.

[14] Zoti ka përzier në mes të tij një frymë degjenerimi, dhe ata e kanë futur Egjiptin në rrugë të gabuar për çdo gjë, ashtu si dridhet i dehuri kur vjell.

[15] Dhe asgjë nuk do të mund të bëjë Egjiptin: koka ose bishti, palma ose xunkthi.

[16] Atë ditë Egjipti do të jetë si gratë, dhe do të dridhet dhe do të trembet përballë dorës që Zoti i ushtrive do të lëvizë kundër tij.

[17] Vendi i Judës do të jetë tmerri i Egjiptit; sa herë që do të përmendet, ka për të qenë një tmerr i vërtetë për shkak të vendimit të marrë nga Zoti i ushtrive kundër tij.

[18] Atë ditë do të ketë në vendin e Egjiptit pesë qytete që do të flasin gjuhën e Kanaanit dhe do të betohen për Zotin e ushtrive; njeri nga këto do të quhet "qyteti i shkatërrimit".

[19] Atë ditë do të ketë në mes të vendit të Egjiptit një altar kushtuar Zotit, dhe një shtyllë të ngritur për Zotin pranë kufirit të tij.

[20] Do të jetë një shenjë dhe një dëshmi për Zotin e ushtrive në vendin e Egjiptit; kur ata do t'i këlthasin Zotit për shkak të shtypësve të tyre, ai do t'u dërgojë atyre një shpëtimtar dhe një të fuqishëm që do t'i çlirojë.

[21] Zoti do t'i shfaqet Egjiptit dhe Egjiptasit do ta njohin Zotin atë ditë; do t'i ofrojnë flijime dhe blatime ushqimore, do të bëjnë premtime solemne para Zotit dhe do t'i mbajnë ato.

[22] Zoti do t'i godasë Egjiptasit, do t'i godasë dhe do t'i shërojë; ata do t'i kthehen Zotit që do t'i dëgjojë lutjet e tyre dhe do t'i shërojë.

[23] Atë ditë do të ketë një rrugë nga Egjipti në Asiri; Asirët do të shkojnë në Egjipt, dhe Egjiptasit në Asiri, dhe Egjiptasit do të shërbejnë bashkë me Asirët.

[24] Atë ditë Izraeli, i treti me Egjiptin dhe me Asirinë, do të jetë një bekim në mes të rruzullit.

[25] Zoti i ushtrive do t'i bekojë, duke thënë: "I bekuar qoftë Egjipti populli im, Asiria vepër e duarve të mia dhe Izraeli trashëgimia ime!".

Isaia — Chapters