Skip to content
Opens in a new window

[1] Mjerë ti që shkreton edhe sikur të mos kesh qenë i shkretuar, që vepron me pabesi edhe sikur të mos jetë vepruar me pabesi kundër teje! Kur të kesh mbaruar së shkatërruari do të shkatërrohesh edhe

[2] O Zot, ki mëshirë për ne, që kemi shpresë te ti. Bëhu krahu ynë çdo mëngjes dhe shpëtimi ynë në kohë fatkeqësie.

[3] Nga zhurma e një turme, popujt ikin, kur ti çohesh kombet shpërndahen.

[4] Plaçka juaj e luftës do të mblidhet ashtu siç mblidhen vemjet; ashtu si turren karkalecat kështu do të turren mbi të.

[5] Zoti është lartësuar sepse banon lart; ai e mbush Sionin me barazi dhe drejtësi,

[6] dhe do të jetë siguria e ditëve të tua, forca e shpëtimit, dituria dhe njohja; frika e Zotit do të jetë thesari i tij.

[7] Ja, heronjtë e tyre bërtasin nga jashtë, lajmëtarët e paqes qajnë me hidhërim.

[8] Rrugët janë të shkreta, nuk ka as edhe një kalimtar nëpër to. Ai e ka prishur besëlidhjen me ta, i përbuz qytetet, nuk kujdeset për njeri.

[9] Vendi është në zi dhe vuan; Libani është plot me turp dhe i dobësuar; Sharoni është si një shkretëtirë, Bashani dhe Karmeli tronditen me të madhe.

[10] "Tani do të çohem", thotë Zoti, "tani do të lartësohem, tani do të ngrihem.

[11] Ju keni mbarsur bykun, por do të pillni kashtë; fryma juaj do të jetë një zjarr që do t'ju gllabërojë.

[12] Popujt do të jenë si furra të gëlqeres, ata do të digjen në zjarr si ferrishte të prera.

[13] O ju që jeni larg, dëgjoni atë që kam bërë; dhe ju që jeni afër, njihni fuqinë time".

[14] Në Sion mëkatarët i ka kapur frika, një drithërimë ka pushtuar të pabesët: "Kush prej nesh do të mund të banojë me zjarrin gllabërrues? Kush prej nesh do të mund të banojë me flakët e përjetshme?".

[15] Ai që ecën me drejtësi dhe flet drejt, ai që i përçmon fitimet e shtrëmbëra, që lëviz duart për të mos pranuar dhurata, që i mbyll veshët për të mos dëgjuar të flitet për gjak dhe sytë për të mos parë të keqen,

[16] ai do të banojë në vënde të larta, shkëmbenjtë e fortifikuar do të jenë streha e tij, buka e tij do t'i jepet, uji i tij do t'i sigurohet.

[17] Sytë e tu do të sodisin bukurinë e mbretit tënd, do të shohin një vend që ndodhet shumë larg.

[18] Zemra jote do të bjerë në mendime të thella mbi tmerret e kaluara: "Ku është shkruesi? Ku është ai që peshon? Ku është ai që numëron kullat?".

[19] Ti nuk do ta shikosh më atë popull mizor, atë popull me një të folur të errët dhe të pakuptueshme, që belbëzon një gjuhë që askush nuk e kupton.

[20] Sodit Sionin, qytetin e madhështive tona! Sytë e tu do të shohin Jeruzalemin, vendbanim i qetë, çadër që nuk do të lëvizet më nga vendi, hunjtë e së cilës nuk do të shkulen dhe asnjë nga litarët e saj nuk do të hiqet.

[21] Por aty Zoti në madhështinë e tij do të jetë për ne një vend lumenjsh dhe rrjedhash të gjera uji, ku nuk arrin asnjë anije me lopata dhe nuk kalon asnjë anije e fuqishme.

[22] Me qenë se Zoti është gjykatësi ynë, Zoti është ligjvënësi ynë, Zoti është mbreti ynë; ai do të na shpëtojë.

[23] Litarët e tu janë liruar, nuk e mbajnë mirë dyrekun dhe nuk vënë në veprim velat. Atëherë do të ndahet preja e një plaçke të pasur; edhe çalamanët do të marrin pjesë në plaçkitje.

[24] Asnjë banor i qytetit nuk do të thotë: "Unë jam i sëmurë". Populli që banon aty do të përfitojë faljen për paudhësinë e tij.

Isaia — Chapters