[1] Prandaj, duke e lënë fjalën e fillimit të Krishtit, le të synojmë përkryerjen, pa hedhur përsëri themel pendimi nga vepra të vdekura dhe nga besimi te Perëndia,
[2] nga doktrina për pagëzimet, të vënies së duarve, të ringjalljes të të vdekurve dhe të gjyqit të përjetshëm;
[3] dhe këtë do ta bëjmë, në e lejoftë Perëndia.
[4] Sepse ata që janë ndriçuar një herë, e shijuan dhuntinë qiellore dhe u bënë pjestarë të Frymës së Shenjtë,
[5] dhe shijuan fjalën e mirë të Perëndisë dhe mrrekullitë e jetës së ardhshme,
[6] dhe po u rrëzuan, është e pamundur t'i sjellësh përsëri në pendim, sepse ata, për vete të tyre, e kryqëzojnë përsëri Birin e Perëndisë dhe e poshtërojnë.
[7] Sepse toka, që pi shiun, i cili bie shpesh mbi të dhe prodhon barëra të dobishme për ata që e punojnë, merr bekim nga Perëndia;
[8] kurse, po të prodhojë ferra e murriza, shahet edhe afër mallkimit dhe fundi i vet është për t'u djegur.
[9] Dhe ndonëse flasim kështu, ne, o të dashur, lidhur me ju jemi të bindur për gjëra më të mira dhe që i takojnë shpëtimit;
[10] sepse Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën dhe mundimin tuaj të dashurisë që treguat për emrin e tij me shërbesën që u bëtë dhe po u bëni shenjtorëve.
[11] Dhe dëshirojmë që secili nga ju të tregojë deri në fund të njëjtin zell për të arritur në sigurimin e plotë të shpresës,
[12] që të mos bëheni përtacë, por t'u përngjani atyre që nëpërmjet besim dhe durim trashëgojnë premtimet.
[13] Sepse kur Perëndia i dha premtimin Abrahamit, duke qenë se s'kishte ndonjë më të madh që të përbetohej, bëri be me veten e tij
[14] duke thënë: ''Sigurisht do të të bekoj dhe do të të shumoj fort''.
[15] Dhe kështu Abrahami, duke pritur me durim, fitoi premtimin.
[16] Sepse njerëzit bëjnë be për dikë që është më i madh, dhe në këtë mënyrë betimi për ta është garancia që i jep fund çdo mosmarrëveshjeje.
[17] Kështu Perëndia, duke dashur t'u tregojë trashëgimtarëve të premtimit në mënyrë më të qartë palëkundshmërinë e vendimit të tij vuri ndërmjetës betimin,
[18] që me anë të dy gjërave të pandryshueshme, në të cilat është e pamundur të Perëndia të gënjejë, të kemi trimërim të madh ne, që kemi kërkuar strehë duke u kapur nga shpresa që na u vu përpara.
[19] Kjo shpresë që ne kemi është si një spirancë e sigurt dhe e patundur, dhe që hyn deri në brendësinë e velit,
[20] ku ka hyrë Krishti, si pararendës për ne, pasi u bë kryeprift në amshim sipas rendit të Melkisedekut.